LAJMI I FUNDIT:

Rënie “drastike” e investimeve të huaja në Kosovë

Rënie “drastike” e investimeve të huaja në Kosovë

Investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie nga 400 në 100 milionë euro, sidomos në pesë vitet e fundit. Bilanci i investimeve në vitin 2014 ishte 123.9 milionë euro, që paraqet një rënie të konsiderueshme krahasuar me vlerën prej 250.2 milionë euro në vitin 2013.

Ndërsa, bilanci i Investimeve të huaja në vitin 2015 ishte 287.3 milionë euro, që paraqet një rritje të lartë krahasuar me vlerën prej 123.8 milionë euro në vitin paraprak. Në vitin 2016 Investimet e Huaja Direkte të pranuara në Kosovë arritën vlerën prej 215.9 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët.


Investimet e huaja në vitin 2017, arritën vlerën prej 287.8 milionë euro, që paraqet një rritje prej 30.8 për qind krahasuar me vitin 2016.

Ndërsa vit i keq për investime është cilësuar viti 2018, me një vlerë prej 121.9 milionë euro dhe shënuan rënie vjetore prej 43.0 për qind.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi tha se ka rënie të investimeve të huaja direkte dhe është tregues jashtëzakonisht negative, përderisa në vendet e rajonit ka zhvillime shumë më pozitive sa i përket investimeve të huaja direkte.

“Problemi është edhe te cilësia e investimeve të huaja direkte, kur themi cilësia nuk ka këtu një matës cilësie, por kjo mund të shihet me vlerën e shtuar në ekonomi. Ne kemi shumë pak investime që kanë krijuar vlerë të shtuar në ekonomi. Promovimi më i mirë i investimeve është kur të përmirësohen kushtet këtu në Kosovë, kur ka energji elektrike të mjaftueshme, kur e eliminojmë burokracinë, kur nuk kemi problem me leje të ndërtimit, me licenca të ndryshme, kur e zvogëlojmë korrupsionin, kur e rrisim performancën e gjyqësorit, kur i trajtojmë çështjet pronësore”, thekson Rukiqi.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizimit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi, thotë se janë përgjysmuar investimet për shkak të mungesë së ofertës së mirëfilltë dhe mungesës së një ligji efikas për të investuar në Kosovë.

Edhe ato investime të pakta, sipas Krasniqit, shumica janë nga bashkatdhetarët që kanë investime në patundshmëri dhe jo në ndërmarrje; fabrika apo prodhim.

”Shkaqet kryesore janë mungesa e ofertës. Kosova ende nuk ka arrit me bërë një ofertë serioze për investitorë qoftë vendorë dhe të huaj. Para dy vitesh është miratuar nga qeveria dhe kuvendi ligji për investime strategjike dhe fatkeqësisht kemi vetëm 11 oferta për këtë vit dhe asnjë e përfunduar. Pra, Kosova nuk ka arrit asnjë investitorë ta sjell përmes Ligjit për Investime Strategjike. Dhe kjo ka ndikuar që investimet në Kosovë të ulën nga rreth 400 milionë euro që kanë qenë në vitin 2010, ndërsa në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë më pak se 100 milionë euro investime”, tha Krasniqi.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala tha se thithja e investimeve të huaja do të jetë njëri nga prioritetet e rëndësishme gjatë vitit 2019.

Ministri Shala thotë se kanë bërë disa ndërhyrje në aktet nënligjore të ligjit për investime strategjike dhe pret që në fillim të vitit të ardhshëm të shpallin edhe investitorët e parë strategjik.

“Ka të interesuar, unë i kam autorizuar për disa ndryshime pas kërkesave të investitorëve potencial te çështja e procedurës së aplikimit për investitorë strategjik. Deri tash ka të interesuar të cilët janë duke i ndjekur të gjitha procedurat të cilat i përcakton Ligji për investime dhe rregullore të tjera në fuqi. Besoj se shumë shpejt ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë do të dalim edhe me rezultate në raport me këtë”, tha Shala.
Sektori energjetik, miniera, transporti dhe telekomunikacioni, industria përpunuese, bujqësia dhe turizmi janë vetëm disa nga sektorët me më potencial në të cilët investitorët ndërkombëtarë do të mund të investonin. /KP/Telegrafi/