Blerjet industriale në Gjermani pësuan një rënie më të madhe nga sa pritej në muajin korrik si shkak i një kërkese më të dobët nga jashtë vendit, duke sugjeruar se sektori në vështirësi i prodhimit mund të drejtojë ekonominë më të madhe të Evropës në recesion gjatë tremujorit të tretë.

Ekonomia gjermane e varur nga eksportet po vuan nga rritja e ngadaltë botërore dhe nga pasiguritë e biznesit të shkaktuara nga mosmarrëveshjet ndërkombëtare tregtare dhe plani i vonuar i Britanisë së Madhe për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

Kontratat për mallrat e prodhuara në Gjermani ranë me 2.7 për qind nga muaji korrik, si rezultat i një rënieje të madhe në rezervime nga vendet jashtë eurozonës. Kjo shifër tejkaloi një parashikim nga Reuters për një rënie prej 1.5 për qind. Shifra për muajin qershor shënonte një rritje prej 2.7 për qind nga një rritje e mëparshme që raportohet të jetë 2.5 për qind.

“Mjerimi në sektorin e prodhimit vazhdon. Rënia në blerjet e reja në mënyrë domethënëse rrit rrezikun e një recesioni për ekonominë gjermane”, tha analisti i VP Bank, Thomas Gitzel, përcjell Telegrafi.

Prodhimi i Brendshëm Bruto i Gjermanisë u tkurr me 0.1 për qind në tremujorin e dytë nga tremujori i parë për shkak të dobësimit të eksporteve, me një rënie në shitjet e huaja kryesisht e nxitur nga Britania e Madhe dhe nga kërkesa në rënie prej Kinës.

“Rreziku është i madh se rritja e dobët do të reflektohet edhe në tremujorin e tretë”, shtoi Gitzel.

Blerjet nga vendet jashtë Eurozonës u zhytën me pothuajse 7 për qind, ndërsa kërkesa nga vendet e tjera të Eurozonës dhe rezervimet e brendshme u rritën lehtazi.

Të dhënat e tregut të punës treguan javën e kaluar se papunësia sezonale u rrit në muajin gusht, duke gërryer një shtyllë të rritjes që ka ndihmuar në mbështetjen e ekonomisë gjermane, e cila është e varur nga eksporti.

Qeveria pret që rritja ekonomike të ngadalësohet në 0.5 për qind këtë vit nga 1.5 për qind vitin e shkuar. Kjo do të përbënte zgjerimin më të dobët që nga 2013, kur Eurozona po luftonte me krizën e borxhit. /Telegrafi/