Rehabilitimi i rrugës Prekoc – Marec – Krilevë shoqërohet me masa për mbrojtjen e lumit Marec


Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, së bashku me ministren e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, kanë vizituar punimet për rehabilitimin e rrugës rajonale Prekoc – Marec – Krilevë (R123a).
Projekti, me gjatësi prej 16 kilometrash dhe vlerë prej 3.1 milionë eurosh, synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë në qarkullim për banorët e kësaj zone.
Sipas njoftimit, gjatë vizitës është theksuar rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe Ministrisë së Mjedisit, me qëllim që rehabilitimi i rrugës të harmonizohet me masat për mbrojtjen dhe trajtimin e lumit Marec përgjatë këtij segmenti.
“Kjo qasje e përbashkët synon të kontribuojë në parandalimin e vërshimeve, mbrojtjen e trupit të rrugës nga dëmtimet dhe garantimin e një infrastrukture më të qëndrueshme”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, është bërë e ditur se ndërhyrjet do të realizohen duke respektuar standardet dhe politikat për mbrojtjen e lumenjve dhe mjedisit.
Autoritetet kanë vlerësuar se koordinimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për të siguruar që projektet infrastrukturore të jenë afatgjata dhe të përballojnë sfidat që lidhen me ndryshimet klimatike dhe rreziqet natyrore. /Telegrafi/



































