LAJMI I FUNDIT:

Red Bull RB17 do të jetë një hiperveturë hibride me 1100 kuaj/fuqi

Red Bull RB17 do të jetë një hiperveturë hibride me 1100 kuaj/fuqi

Departamenti i teknologjisë së avancuar të Red Bull ka njoftuar se do të projektojë, zhvillojë dhe prodhojë një hiperveturë krejt të re që do të ofrojë një përvojë superiore drejtimi në pistë.

Hipervetura e re do të quhet RB17, pasi Red Bull Racing e kapërceu “në mënyrë misterioze” këtë etiketë nga RB16 2021 në RB18 të këtij viti. Dizajni është nënshkruar nga Adrian Newey, njeriu pas shumë makinave fenomenale të Formula 1, dhe është gjithashtu krijuesi i modelit mbresëlënës të Aston Martin, Valkyrie.


Newey tani po e kthen vëmendjen te modeli RB17, i cili nuk ka gjasa të jetë i ligjshëm për rrugë, kështu që rregulloret nuk do të kufizojnë dëshirën për performancë.

“RB17 do të përmbledhë gjithçka që dimë për krijimin e veturave të kampionatit të Formula 1 në një paketë që do të ofrojë nivele ekstreme të performancës në një pistë të dedikuar me dy vende,” tha Newey.

Deri më tani është publikuar vetëm një skicë, por dihet se RB17 do të fuqizohet nga një motor hibrid V8 që do të zhvillojë më shumë se 1100 kuaj/fuqi. Vetëm 50 kopje do të prodhohen në shtëpinë e Red Bull në Milton Keynes dhe prodhimi do të fillojë në vitin 2025.

Çmimi i veturës do të jetë 6 milionë euro, pa taksa, ndaj klientët do të duhet të kenë të paktën 9 milionë euro në llogarinë e tyre për të hyrë në listën e pritjes. Ky çmim përfshin qasje në simulatorin Red Bull F1, si dhe stërvitjen në pistë. /Telegrafi/