LAJMI I FUNDIT:

Reciprociteti për targa me Serbinë – dita e dytë: Vendosmëria e Kurtit, reagimet e BE-së dhe përkrahja nga Rama

Reciprociteti për targa me Serbinë – dita e dytë: Vendosmëria e Kurtit, reagimet e BE-së dhe përkrahja nga Rama

Një ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve, kanë vazhduar reagimet dhe kundërshtimet e palës serbe.

Dhjetra qytetarë serbë, duke kundërshtuar një masë të tillë, sot kanë vazhduar t’i mbajnë të bllokuara rrugët që shpien në pikat e kalimit kufitar në veri të Kosovës Jarinë dhe Bërnjak në veri të Kosovës, ndërsa atje janë pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare me Serbinë, lëvizja është zhvilluar normalisht duke respektuar masat e reciprocitetit, pra vendosjen e tabelave provuese për automjetet me targa serbe që hyjnë në Kosovë.

“Ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën e dytë të vendosjes së masës së reciprocitetit për targat e automjeteve me Serbinë.

Kurti sot në zyre i shkuan ambasadorët e vendeve të QUINT-it, ku edhe diskutuan për vendimin e djeshëm lidhur me reciprocitetin e targave me Serbinë.

Kryeministri i informoi ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar dje dhe sot nuk ka pasur incidente, teksa shtoi se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.

Ndërkaq, përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se ka njoftuar vendet e BE-së për situatën në veri të Kosovës.

Lajçak përmes një postimi në Twitter, ka shkruar se është i shqetësuar për situatën në veri dhe u ka bërë thirrje për zhvendosje.

“I informova vendet e BE-së për situatën në veri të Kosovës. Unë jam i shqetësuar dhe bëj thirrje për një zhvendosje të menjëhershme. Është e rëndësishme të zvogëlohen tensionet, të rivendoset një atmosferë paqësore dhe të lejohet liria e lëvizjes”, ka shkruar Lajçak.

E, vendimi për reciprocitet po vazhdon të kundërshtohet nga serbët, të cilët edhe kanë  organizuar protestë në Jarinë dhe Bërnjak,

Rrugët në Jarinë dhe Bërnjak vazhdojnë të mbeten të bllokuara dhe nuk ka qarkullim të automjeteve, ndërsa qytetarët mund të kalojnë kufirin këmbë.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës vlerësojnë situatën e qetë dhe pa incidente, ndërsa thonë se angazhimi dhe realizimi i detyrave policore do të vazhdojë në interes të ruajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend.

MPB ka njoftuar se Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj është duke vazhduar ndërmarrjen e veprimeve policore në nivel vendi, përfshirë të gjitha pikat e kalimit kufitarë me qëllim të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë-konkretisht targave të automjeteve, ku gjatë 24 orëve të fundit ministria ka lëshuar 1.455 targa provuese.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi është kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në nivel vendi. Me qëllim të mundësimit të qarkullimit të lëvizjes së lirë, njoftohen qytetarët të cilët planifikojnë të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, që mundësisht të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim, për shkak të krijimit të pengesave të mundshme”, thuhet në njoftim.

Për situatën e krijuar ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, të cilët thonë se po e monitorojnë situatën në terren.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, pas aplikimit të reciprocitetit nga ana Qeveria e Kosovës lidhur me targat e automjeteve të Serbisë, ka thënë se BE-ja po vazhdon të monitorojë situatën në teren. Ai ka bërë thirrje që të dyja palët [Kosova dhe Serbia] të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe menjëherë të zvogëlojnë tensionet.

Stano, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se BE edhe gjatë ditës se djeshme ka deklaruar se liria e lëvizjes është gurthemeli i Bashkimit Evropian. “Si e tillë, Kosova dhe Serbia presim ta promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon”, tha ai.

“Ne vazhdojmë të monitorojmë vazhdimisht situatën në terren dhe i bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe menjëherë të zvogëlojnë tensionet”, deklaroi Stano.

“Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell gjatë mbrëmjes së djeshme ishte në kontakt me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti si dhe me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili ende është në Beograd dhe po vazhdon punën me të dyja palët”, tha ai.

Për vendosjen e reciprocitetit, ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se Kosova ka ngritur problemin me plot të drejtë.

“Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%).Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”, shkruan Rama.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në reagimin e tij tha se ka refuzuar propozimin nga vendet e QUINT-it, për të zgjidhur çështjen e targave me Kosovën.

“Unë e refuzova atë sepse nuk është kompromis dhe sepse e kthen Serbinë prapa. Shkurt – është një zgjidhje sipas së cilës 70 për qind e asaj që shqiptarët kishin ndërmend të bënin…”, ka shtuar tutje presidenti i Serbisë.

Lidhur me situatën e krijuar ka reaguar edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Kamberi thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i reagojë Serbisë për mosrespektimin e marrëveshjes lidhur me tabelat. Në situatën e krijuar me reciprocitetin e targave ai deklaron se fajin e mban Serbia. Sjelljet e kësaj të fundit, konsideron se varen nga reagimet e ndërkombëtarëve.

“Ky vendim i fundit duhet parë në kontekst të mos zbatimit të marrëveshjes së tabelave të regjistrimit të marrëveshjes së Brukselit, të cilën Serbia po e injoron në vazhdimësi. Është një çështje e cila përmendet edhe në Raportin e Progresit të Serbisë, të cilën BE e ka publikuar në marsin e këtij viti. Ku i bëhet vërejtje Serbisë që nuk po zbaton këto marrëveshje. Prandaj edhe në këtë kontekst mendoj se është e drejtë masa që Qeveria e Kosovës ka vendosur”, deklaroi ai.

Ndryshe, çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në vitin 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Në vitin 2016, po ashtu ishte arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel që automjetet me targa ‘KS’ të vazhdonin të jenë në qarkullim edhe për një afat prej pesë vjetësh, pra deri në shtator të vitit 2021.

Në marrëveshjen e këtij viti, ishte arritur pajtimi që me etiketa apo letra ngjitëse, të mbulohen pjesët relevante të targave, siç janë simbolet dhe akronimet e shteteve përkatëse, gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës.

Por, kur qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe ata serbë, kanë automjete me targa ‘RKS’, ata i nënshtrohen procedurave në vendkalimet kufitare në Serbi, për t’i hequr këto targa dhe për t’i vendosur targat “Prova” që i lëshojnë autoritetet serbe./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Kronika e Zezë
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori