LAJMI I FUNDIT:

Reciprociteti në fuqi derisa Serbia t’i njohë certifikatat e Kosovës

Reciprociteti në fuqi derisa Serbia t’i njohë certifikatat e Kosovës

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës i kanë reaguar deklaratave të Kryeministri të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha sot se shumë shpejt do të zgjidhet problemi i krijuar pas vendimit për reciprocitet nga ana e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, ka thënë se autoritetet serbe duhet t’i njohin certifikatat e Shtetit të Kosovës para se të flitet për heqjen e reciprocitetet. Edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, konfirmon se me Serbinë do të ketë reciprocitet.


Abrashi ka thënë se kjo çështje mund të zgjidhet me dialog derisa i ka bërë thirrje Serbisë të mos pengojë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve.

“Sidoqoftë, ne besojmë se dialogu është e vetmja mënyrë e zgjidhjes se problemeve, dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të jenë më bashkëpunuese rrjedhimisht te njohin certifikatat tona, në mënyre që qarkullimi i lirë i mallrave dhe njerëzve si parakusht i zhvillimit ekonomik, te mos jete subjekt i politikave ditore”, ka thënë Zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi.

Abrashi ka treguar se vendimi i Ministres Hykmete Bajrami për masën e reciprocitetit është marrë pasi Serbia ka refuzuar t’i largojë barrierat për shoferët dhe kamionët e Kosovës që bartin materie të rrezikshme.

“Nga autoritetet serbe kemi kërkuar që të marrin masat e duhura për të eliminuar këtë barrierë, por nuk ka pasur përgjigje pozitive, madje e kemi ngrit çështjen edhe ne CEFTA dhe ne Bruksel”, ka shtuar ai.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, konfirmon se me Serbinë do të ketë reciprocitet.

Ajo ka shprehur keqardhjen që për shkak të këtij reciprociteti mërgimtarët që udhëtojnë nga Serbia për në Evropë dhe anasjelltas mund të kenë probleme, njofton Klan Kosova.

Bajrami ka shtuar se marrëveshja e CEFTA-s nuk po respektohet nga Serbia dhe fajtor për këtë situatë janë vetë autoritetet serbe.

Ja postimi i plotë i ministres Hykmete Bajrami në Facebook.

Sinqerisht me vjen keq, për çdo problem qe bashkombasit e mij mund te kane rrugës neper Serbi për te ardhur ne vendlindjen e tyre ne Kosove dhe kërkoj mirëkuptimin e tyre. 
Sa ju përket autoriteteve serbe, ju lutem po flasim për reciprocitet cka d.m.th. Serbia ju ka vene kompanive kosovare një barriere te tille qe 8 muaj, për 8 muaj rresht ne kemi biseduar ne CEFTA dhe ne Bruksel por te mos ardhur deri te kjo situate, këtu fajtore janë autoritet serbe dhe askush tjetër! Serbia nuk duhet asnjëherë ta harroj sa eksporton ne Kosove, gjithashtu edhe pse “nuk e pranon” ne jemi SHTET.

Sa i përket deklaratave qe nuk po respektohet CEFTA, nëse Serbia nuk e respekton marrëveshjen e CEFTA-s si mund te na thotë neve qe s’po e respektoni”, ka shkruar ajo.

Pas ndërmarrjes së masave të reciprocitetit me Serbinë nga ana e Qeverisë së Kosovës për të bllokuar kamionët me mallra serbe që hyjnë në Kosovë, ka reaguar edhe kryeministri i atjeshëm, Aleksandër Vuçiq.

Vuçiq, në një prononcim për media, ka thënë se qeveria e tij është duke u marrë me problemin, është në diskutim të vazhdueshëm me Brukselin dhe se beson që kjo çështje do të zgjidhet shpejtë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami kishte nënshkruar vendimin për masa reciproke kundër Serbisë në fushën e transportit të naftës dhe gazit. Vendimi kishte ardhur pasi Serbia ka refuzuar të njohë certifikatat e shoferëve dhe automjeteve kosovare që bartin materie të rrezikshme. Tash, as Shteti i Kosovës nuk do t’i njohë dokumentet e njëjta të lëshuara nga Serbia.

Rreth 21 mijë euro në ditë i humbë Serbia nga bllokada e naftës dhe gazit, pas vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovë. Bazuar në të dhënat e doganës, vitin e kaluar Kosova ka importuar në rrugë legale 33 milion litra gaz dhe 708 mijë litra naftë, në vlerë mbi 8 milion euro.