ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Aulona Memeti, qytetarja e cila publikoi fotografi dhe reagoi për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, ka thënë se pas reagimit të saj publik ka filluar të ndiejë presion.

Në një postim në rrjetet sociale, Memeti ka deklaruar se mbrëmë rreth orës 23:30 është vizituar në dhomën ku po qëndron me djalin e saj dhe i është kërkuar të verifikojë ato që kishte shkruar në reagimin e saj.


Ajo ka thënë se edhe sot rreth orës 10:30 është vizituar sërish, ku sipas saj i është thënë se pretendimet e publikuara janë të pasakta dhe i është kërkuar të përgatisë një raport lidhur me rastin.

“Dua të sqaroj se nuk kam refuzuar dhe nuk refuzoj ta adresoj ankesën time përmes rrugëve institucionale. Trajtimi i djalit tim ende nuk ka përfunduar dhe, në këtë moment, prioriteti im është të kujdesem për të”, ka shkruar ajo.

Memeti ka thënë se fotografitë e publikuara, sipas saj, janë dëshmi për gjendjen në të cilën ndodhen disa hapësira të klinikës.

“Ato e dëshmojnë gjendjen ndoshta më mirë se çfarëdo ankese që mund të shkruaj unë. Për të filluar adresimin e një dysheku të njollosur, mungesës së sapunit apo kushteve elementare, nuk duhet pritur ankesa e një nëne me fëmijën e shtrirë në spital”, ka deklaruar ajo.

Reagimi i saj vjen pasi më herët kishte publikuar fotografi nga Pediatria e QKUK-së, duke ngritur shqetësime për kushtet në këtë klinikë.

Ajo ka theksuar se kritika e saj, sipas saj, nuk është kundër individëve, por lidhet me kërkesën për përmirësim të shërbimeve shëndetësore.

“Duhet ta duam dhe ta mbështesim shëndetësinë publike. Por pikërisht sepse është e jona, duhet edhe të kërkojmë llogari për të”, ka shkruar Memeti. /Telegrafi/