LAJMI I FUNDIT:

Reagim ndaj gjuhës së urrejtjes dhe mentalitetit milosheviqian në Kosovë

Reagim ndaj gjuhës së urrejtjes dhe mentalitetit milosheviqian në Kosovë

Na u dha mundësia ta lexojmë reagimin e profesorit të gazetarisë zt. Milazim Krasniqi: “Kam pasë shkruar para do kohe se sot në Kosovë segmentet proserbe janë më të forta se sa në vitet nëntëdhjetë. Janë konsoliduar dhe po përgatisin hakmarrje. Goditja e tyre ndaj Universitetit të Prishtinës është dëshmi e guximit të tyre të ri. Bijtë e shkinave po përdhosin edhe institucionin më sublim të dijes në shtetin tonë dhe po duken krenarë.”. Ky është reagimi më i gabuar në shumë nivele të tij që kam mundur të lexoj deri sot.

Ky zotëri, e quajti “goditje” ndaj Universitetit të Prishtinës protestën kundër rektorit mashtrues, skandaleve me shitblerje të diplomave dhe uzurpimin e Universitetit nga pushteti. Neve që po e bëjmë atë që bënin studentët në 1968, 1981, 1989, 1997, pra neve që po e kundërshtojmë pushtetin shtypës siç e kundërshtonin paraardhësit tanë në këto vite, ju na quani segmente proserbe. Do të doja të dija cili është kontributi juaj si segment anti-serb për Universitetin e Prishtinës? Falsifikimi? Shitblerjet e diplomave? Shkatërrimi i Universitetit për ta ruajtur pushtetin tuaj?


Ky gazetar dhe profesor na tha “bijë të shkinave”. Ky gazetar e profesor përdor gjuhë të urrejtjes kombëtare në ndërkohë që pajtohet dhe mbron Qeverinë që po e humb sovranitetin e vendit. Më tregoni profesor, më mësoni ju lutem, çfarë të keqe ka që dikush ta ketë nënën serbe?! A nuk i duan nënat fëmijët e tyre me atë dashurinë më të pastër e më të dhembshur kudo nëpër botë njësoj? Ç’do me thënë ky diskurs i urrejtjes i përdorur nga një profesor dhe gazetar që konsiderohet me nam në shoqërinë tonë?

Ju bashkë, të gjitha segmentet propushtetare, kinse gazetarë, kinse profesorë, kinse parlament studentor, kinse intelektualë, ju bëni anti-protesta, reagoni me gjuhë të urrejtjes ndaj qytetarëve që mundohen ta bëjnë këtë vend të jetueshëm, ju e kritikoni shoqërinë civile se po përzihet në Universitet pa të drejtë dhe se kjo është “çështje e brendshme” e Universitetit. Ky është mentaliteti i Sllobodan Milosheviqit. Ai është shpikësi i anti-protestave, ai fliste me gjuhë të urrejtjes, ai u thoshte ndërkombëtarëve “Kosova është çështje e brendshme”. Ju nuk paskët qenë parimor në kundërshtimin ndaj Milosheviqit, ju e paskët xhelozuar atë. Neve s’na duhet mentaliteti i Milosheviqit, ne do të angazhohemi ta çrrënjosim, kësaj here me të vërtetë atë.