Rasti "Monstra": Bllokohet ekstradimi Kosovë-Maqedoni

Alil Demiri dhe Afrim Ismailovic u akuzuan në Maqedoni për vrasjen e pesë njerëzve pranë Smilkovcit, një fshat në zonën e Shkupit në prill 2012. Të dy ata u arrestuan në fillim të marsit në Kosovë. Autoritetet maqedonase dërguan një kërkesë ekstradimi në Prishtinë, por nuk kanë marrë një përgjigje.
Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se gjyqësori po trajton dy të pandehur, por shtetësia e tyre e dyfishtë mund t'i shpëtojë nga ekstradimi.
"Kosova nuk ekstradon shtetasit e vet. Të dy personat në çështje janë shtetas të Kosovës”, tha Kuçi për SETimes.
Të dy të dyshuarit ndeshen gjithashtu me një gjyq në Prishtinë për zotërim të paligjshëm armësh në kohën e arrestimit të tyre.
Gjykata e Prishtinës do të vendosë mbi ekstradimin e Demirit e Ismailovicit, ndonëse nuk ka asnjë afat përfundimtar për vendimin.
Autoritetet ligjore të Shkupit nuk shohin arsye për një vendim të zgjatur ekstradimi. Demiri dhe Ismailovic u arrestuan në Kosovë pas një urdhër arrestimi ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase.
"Demiri and Ismailovic kërkohen në Maqedoni për akuza të rënda penale. Kjo metodë nga autoritetet e Kosovës mban shenjën e etnicitetit, në vend të një lufte kundër krimit e për drejtësinë”, tha për SETimes Vladimir Pivovarov, profesor në Universitetin FON të Shkupit.
Ismet Salihu, një profesor i të drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, tha se mbështetur në ligjet vendase, Kosova nuk ka pse t'i dorëzojë ata të dy për shkak të shtetësisë së tyre kosovare. Megjithatë, tha ai, mund të ketë një përjashtim në qoftë se ka një marrëveshje të ndërsjellë midis të dy vendeve që parashikon një gjendje të tillë.
Salihu tha se ka një marrëveshje midis Kosovës dhe Maqedonisë mbi ekstradimin, që do të thotë se dorëzimi i të dyshuarve mund të bëhet, por kjo varet nga vlerësimi i ministrisë së drejtësisë.
Kosova dhe Maqedonia nënshkruan një marrëveshje ekstradimi që ka qenë normale deri tani. Disa ditë pas arrestimit, autoritetet e Kosovës ekstraduan në Maqedoni Shukri Aliun që ishte dyshuar për drejtimin e atyre të përfshirë në vrasjet e Smiljkovcit. /Telegrafi/












































