LAJMI I FUNDIT:

Rasti ‘Medicus” në mediat amerikane: Mjeku turk thotë se transplantimin e veshkave bënte për para të majme (Video)

Rasti ‘Medicus” në mediat amerikane: Mjeku turk thotë se transplantimin e veshkave bënte për para të majme (Video)

Në një dokumentar të kanalit amerikan ‘HBO’, është trajtuar me hollësi transplantimi ilegal i veshkave që kryhej në klinikën ‘Medicus’ në Prishtinë. Për këto veprime në këtë klinikë, Gjykata e EULEX-it ka dënuar disa persona përfshirë edhe një zyrtar të Qeverisë. Ndërkohë vet mjeku që ka transplantuar veshka, turku Jusuf Sonmez është ende në kërkim.

Gazetarët amerikanë kanë arritur ta intervistojnë Sonmezin e njohur si Dr. Frankestein. Ai ka thënë se në Kosovë kishte ardhur për shkak të ofertës së majme të parave. Gazeta Express sjell të përkthyer dokumentarin e realizuar nga ‘HBO’.


Në nëntor të vitit 2008, u arrestuan disa persona me akuzë për një rrjet të trafikimit të organeve në Prishtinë. Në këtë rast ishte i përfshirë edhe Dr. Jusuf Sonmez, i cili është marrë në pyetje edhe nga Policia e Kosovës.

Në rastin e “Medicus” janë dënuar urologu dhe pronari i klinikës Medicus, Lutfi Dervishi me tetë vite burg dhe 10 mijë euro gjobë, djali i tij Arban Dervishi është dënuar me shtatë vite burg dhe me një gjobë prej dymijë e pesëqind euro.

Lutfi dhe Arban Dervishi janë obliguar nga gjykata që të kompensojnë viktimat me pesëmbëdhjetë mijë euro. Anesteziologu Sokol Hajdini u shpall fajtor për lëndim të rëndë trupor, me tri vjet heqje lirie.

Asistentë-anesteziologët, Islam Bytyqi dhe Sylejman Dula, u dënuan me nga një vit dënim me kusht për lëndim të rëndë trupor, me kusht që brenda dy vitesh të mos bëjnë vepër të re penale.

Ilir Rrecaj, ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, u lirua nga akuza për abuzim të detyrës zyrtare dhe u refuzua akuza tjetër ndaj tij, ajo për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Edhe Driton Jiltës, kirurg, iu refuzua akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit mjekësor.

Mjeku turk, Dr. Sonmez gjithashtu besohet se ka qenë aktiv në Baku të Azerbajxhanit, që sipas një hetimi thuhet se qytetarë të vendeve të ndryshme u sollën në Kosovë për të kryer transplante të paligjshme të veshkave.

Thuhet se Sonmez ishte përfshirë në shumë mashtrime, i cili gjithashtu njihet se kishte kryer edhe disa operacione në Ekuador.

Më 12 janar të vitit 2011, Jusuf Sonmez, i quajtur ndryshe edhe “Dr Frankenstein” nga mediat turke, u arrestua në Stamboll.

Në shtator të vitit 2011, një prokuror turk kërkoi dënimin e tij me 171 vjet burgim , i cili ishte i ngarkuar me kryerjen e të paktën 11 operacioneve të paligjshme të organeve në klinikën kosovare “Medicus”. Ai u akuzua për trafikim të paligjshëm të organeve, si dhe formimin e një bande kriminale.

Në një rast tjetër, 9 persona të tjerë duke përfshirë edhe ish-sekretarin e qeverisë së Kosovës për shëndetësi, janë paditur më 15 tetor të vitit 2010, nga një gjykatë e EULEX-it në Prishtinë. Të akuzuarit thuhet se janë përfshirë drejtpërdrejtë në një numër të transplanteve të paligjshme vdekjeprurëse të veshkave në klinikën Medicus.

Të akuzuarit thuhet se kanë joshur shumë njerëz të varfër nga Turqia, Rusia, Moldavia dhe Kazakistani me premtime të rreme për pagesa për organet e tyre.

Sipas Gazetës britanike The Guardian, besohet se organet janë dërguar në Stamboll në një rrjet kriminal të drejtuar nga vet Dr. Jusuf Sonmez, i cili gjithashtu ishte i kërkuar edhe nga Interpoli për përfshirjen e tij të dyshuar në rastin e klinikës Medicus.

Dokumentari i realizuar nga HBO vitin e kaluar, flet për rastin e transplantimit të organeve në klinikën Medicus në Kosovë, por gjithashtu gazetarët e HBO kanë arritur ta intervistojnë edhe vet Dr. Jusuf Sonmez për këtë rast.

Dr. Sonmez ndryshe, asnjëherë nuk është prononcuar për media në lidhje më këtë akuzën të cilën ai e quan plotësisht të pavërtetë, ashtu siç i quan edhe akuzat e tjera që janë bërë drejtë tij, për transplantim të organeve në vendet e ndryshme të botës.

Kosova një vend i ri në Europë. E shkëputur nga Jugosllavia në vitin 2008, por tani e kapluar nga korrupsioni e rrjeti i krimit të organizuar

Kur Raul Fain, shtetas turk, njëri nga personat që Dr. Sonmez kishte kryer operacion të transplantimit të veshkës në Kosovë, thotë se ai nuk kishte asnjë ide se do të bëhej pjesë e rrjetit të transplantimit të jashtëligjshëm më të madh në botë. Një rrjeti i cili është hulumtuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Jonathan Ratel, është një gjyqtar i dërguar nga Bashkimi Europian për të hetuar dhe rapotuar për krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë

Rasti i parë për Ratel ishte rasti i klinikës në Kosovë Medicus. Akuzat kanë përmbajtur trafikimin e organeve njerëzore, krimin e organizuar dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Në raportimin e Jonathan Ratel, ai thotë se në Kosovë ishte krijuar një rrjet i kriminalizuar i cili mund ta kërcënojë edhe botën më gjerë.

“Për fat të keq, viktimat e rasteve të tilla të trafikimit bien njerëzit e varfër. Kurse personat që po e organizojnë një gjë të tillë, janë të pasur, janë më të pasurit në pjesën perëndimore të vendit”.

Shtetasi turk i cili kishte pranuar veshkë nga një operacion të kryer nga Dr. Sonmez, Raul Fain thotë se edhe pse Dr. Sonmez ishte i përshkruar si përbindësh i transplantit dhe se kishte dëgjuar mjaft për të nëpër media, ai nuk kishte zgjidhje tjetër.

“Ai ma shpëtoi jetën. Unë nuk e di se për çfarë qëllimesh dhe si janë kryer këto transplante, por unë mund të them se zgjidhja ime e vetme për të jetuar ishte vetëm Dr. Sonmez”, ka thënë Raul Fain.

Në klinikën e quajtur “Medicus”, jeta e Raul Fain u shpëtua nga duart e të ashtuquajturit Dr. Frankinstein, njeriut më të kërkuar në Europë.

Ndërsa, i dërguari nga Bashkimi Europian për rastet kriminale në Kosovë, Jonathan Ratel, thotë se përgjegjësinë e plotë të transplanteve në Kosovë, e bartë Dr. Sonmez.

“Sonmez gjithashtu ka krijuar rrjet kriminal edhe në vendin e tij, në Turqi. Ai është një kirurg i specializuar, i cili bart përgjegjësinë e plotë për rastin e Medicus në Kosovë”, thotë Ratel.

Dr. Jusuf Sonmez, është mjeku më i kërkuar i transplanteve të organeve në Europë, por edhe më i kërkuari nga Interpoli për transplantim të paligjshëm.

Ai ka operuar më shumë se 2 mijë operacione në Turqi, por edhe në vendet e errëta të Europës, duke përfshirë shtetet sovjetike dhe Kosovën.

Mediat e shumta ndërkombëtare, duke përfshirë The Guardian, New York Times dhe The Star, kanë shkruar tituj prej më të ndryshmëve për Dr. Sonmez.

The Guardian: “… subjekti nacional i gjahut të njerëzve”.

The Star: “Dr. Frankenstein… ka kryer më shumë se 2 mijë e 400 operacione ilegale të transplantit të veshkave”.

The New York Times: “.. këtë që po e bën, ai e di se është ilegale”.

Transplantet ilegale të veshkave që i kishte kryer në klinikën kosovare “Medicus”, kishin bërë mjaft bujë në të gjithë botën.

Raul Fain, rrëfen për operacionin e tij në Kosovë të kryer nga Dr. Sonmez.

“Ai mundte të komandonte çdo kënd që ishte në dhomë. Ai nuk kishte kohë për të biseduar më askënd. Kam tentuar njëherë t’i them se e njoh se kush është nga mediat, dhe se kam lexuar mjaft për të, e që kujtoj mirë fjalët e tij ‘Po, besoj që keni dëgjuar të gjitha ato fjalët e mira për mua në media, por sidoqoftë prap keni ardhur tek unë’. Unë më pastaj i thash se erdha tek ju sepse ju jeni i vetmi”, rrëfen Fain.

Rasti Medicus ka përfshirë shumë njerëz nga tri kontinentet, ndërsa Rauli ishte njëri ndër personat që kishte udhëtuar për në Kosovë për të kryer operacionin e transplantimit të veshkës nga Dr. Somnez në vitin 2008.

Megjithatë, gazetarët e HBO, kishin arritur ta marrin në intervistë Dr. Jusuf Sonmez. Ata kishin shkuar në shtëpinë e tij, ku ishin të pranishme gruaja e tij, vajza dhe nëna e tij.

Nëna e tij, Gulgia Sonmez, thotë për HBO se djali i saj nuk kishte vrarë askënd. “Ai është një kirurg shumë i mirë, të gjithë e dinë këtë”.

Ndërsa gruaja e tij Aline Sonmez, thotë se ai ndoshta mund të duket njeri nervoz, por ai është njeriu më i mirë ne botë dhe më pozitiv në botë.

“Në të gjithë botën, në të gjitha mediat dhe gazetat e botës është shkruar për raste të ndryshme të trafikimit të organeve, duke më përfshirë edhe mua. Të gjitha këto janë të montuara vetëm nga mediat”, thotë Sonmez.

Ai gjithashtu tregon se përgjatë 10 viteve, ai është akuzuar më shumë se 10 herë për çështjen e trafikimit të organeve në Turqi. Por, që në fund të çdo gjykimi ai doli i pafajshëm.

“Duke u bazuar në fjalët që u thanë se unë kam krijuar një rrjet kriminal, gjithmonë kam dalur i pastër. Unë nuk kam kryer asnjë krim”, thotë ai.

Megjithatë, Dr, Jusuf Sonmez, nuk mund ta lë Turqinë, sepse rrezikohet të arrestohet. Ai vazhdon të jetë i kërkuar nga Jonathan Ratel, i cili vazhdon ta vëzhgojë me vëmendje nëse ai largohet ndonjëherë nga Turqia.

Gazetarja e HBO e kishte pyetur Sonmez se pse kishte shkuar në Kosovë dhe Azerbajxhan, për të cilat udhëtime edhe u akuzua për trafikim organesh.

“Sa i përket Kosovës dhe Azerbajxhanit, gjithçka është e thjeshtë. Unë jam kirurg, kam pasur një ofertë, së pari nga Kosova. Kam shkuar atje për një arsye të thjeshtë, për të fituar para. Megjithatë, në Kosovë kam pasur një ofertë të mirë, të cilën e kam pranuar”, përgjigjet ai.

Mirëpo kur ai u pyet se nëse dhuruesi vjen nga Moldavia ose nga Ukraina, ai thotë se nuk është punë e tij ta dijë se prej nga vjen dhuruesi i organit. “Puna ime është vetëm ta kryej operacionin”.

Ndërsa, gruaja e tij Aline Sonmez tregon se si familja e saj kishin reaguar mjaftë ashpër kur kishin dëgjuar për rastin e Kosovën në media.

“Rasti i Kosovës, e ka dëmtuar mjaftë familjen time. Vëllai im dhe familjarët e tjerë pasi kishin dëgjuar për rastin, më kanë kontaktuar dhe më thanë, se a e di se po jetoj me një përbindësh. Me kohë jam munduar t’ua shpjegoj se Jusuf nuk ishte i tillë, u mundova t’iu tregoj se të gjitha këto akuza janë të montuara vetëm nga mediat”, thotë ajo.

Urologu Lutfi Dervishi, djali i tij Arban Dervishi dhe mjekët Sokol Hajdini, Islam Bytyqi e Sylejman Dulla u dënuan me gjithsej 20 vjet e 3 muaj burg më 29 prill të vitit 2013.

Viktimat megjithatë, ishin nga Izraeli, Rusia, Bjellorusia, Turqia dhe pjesa tjetër e viktimave të pa identifikuar. Atyre i ishin premtuar parat prej 10 000 – 12 000 dollarë amerikanë për një veshkë.

Viktimat kanë nënshkruar kontrata false, shumica prej tyre nuk janë paguar. Viktimave i është organizuar transporti prej Stambollit në Kosovë. Deri sot janë identifikuar 11 marrës të veshkave nga shtetet e ndryshme Izraeli, Polonia, Kanadaja, SHBA etj. Marrësit kanë paguar deri 100 000 dollarë amerikanë për një veshkë. /Përktheu: Morena Kokollari/

Në trend Lajme

Më shumë
Ekipet e reja për mbledhjen e mbeturinave, Rama njofton se janë sulmuar fizikisht punëtorët në lagjen Dardania

Ekipet e reja për mbledhjen e mbeturinave, Rama njofton se janë sulmuar fizikisht punëtorët në lagjen Dardania

Lajme

"Daily Mail" shkruan për kosovarin me nënshtetësi angleze që po mbahet në një burg ferri në Serbi

Lajme
Gashi: Mandatori i ardhshëm për kryeministër duhet së pari të flasë me ne

Gashi: Mandatori i ardhshëm për kryeministër duhet së pari të flasë me ne

Lajme
Pasuria e kryetarit të Suharekës e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Pasuria e kryetarit të Suharekës e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
Hyri ilegalisht nga Serbia në Kosovë, policia ndalon të dyshuarin

Hyri ilegalisht nga Serbia në Kosovë, policia ndalon të dyshuarin

Kronika e Zezë
Kryetari i Istogut deklaron mbi 3 mijë euro kursime në bankë, e bashkëshortja e tij vetëm 30

Kryetari i Istogut deklaron mbi 3 mijë euro kursime në bankë, e bashkëshortja e tij vetëm 30

Lajme
Kalo në kategori