LAJMI I FUNDIT:

Rasti i gylenistëve, dëshmitari thotë se procedura për dëbimin e 6 shtetasve turqë nga ana e policisë është bërë konform rregullave

Rasti i gylenistëve, dëshmitari thotë se procedura për dëbimin e 6 shtetasve turqë nga ana e policisë është bërë konform rregullave

Dëshmitari Ragip Bunjaku ka thënë se procedura për depërtimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi gjatë vitit 2018 nga ana e Policisë së Kosovës ishte  bërë sipas rregullave.

“Proceduarat kanë shku sipas rregullave që i kemi ne në polici dhe asgjë jashtë rregullave, me përjashtim të vlerësimit të AKI-së për të cilin nuk kemi kompetencë me vlerësua a është real apo jo real, sepse janë zyrtarët kompetent që e vlerësojnë, të tjerat kanë shkuar sipas procedurave që i zbatojmë në praktik”, tha dëshmitari Bunjaku.

Këtë deklarim ai e ka bërë të mërkurën në gjykimin ku ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Driton Gashit, ish-drejtori të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Krasniqi si dhe drejtori të Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Sylejmani akuzohet edhe për privim të kundërligjshëm nga liria.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Habibe Salihi, dëshmitari tha se aktualisht është drejtor i Departamentit të Policisë Kufitare të Kosovës,  e që në mars të vitit 2018 ka pasur pozitën e drejtorit të Divizionit për Menaxhim të Integruar të Kufirit.

Lidhur me rastin kritik ai ka thënë se nuk ka qenë në njohuri, me ç’rast ka përshkruar ditën e 23 marsit 2018.

“Kah ora 15:30 kur ka ardhur zyrtarja tash kapiten, Merita Salihi dhe ka kërkuar çelësat e automjetit tim zyrtar, të cilën me autorizim e kam shfrytëzua edhe jashtë orarit të punës për detyra zyrtare. Unë e kom pyet zyrtaren pse po i nevojiten çelësat, ajo vetëm më ka thonë se kam urdhër nga drejtori i departamentit të kufirit në atë kohë kolonel Shaban Guda se i nevojiten të gjitha veturat zyrtare, e ka një plan diçka. Kurgjo ma shumë”, tha ai.

Më pas ai tha se kishte pyetur kolonel Gudën se pse kjo zyrtare i kishte marrë çelësat e që sipas tij, koloneli i ishte përgjigjur se kishin një plan një detyrë dhe asgjë më tepër.

Të nesërmen ai tha se kishte qenë me shefin e sektorit dhe drejtorin e operativës nënkolonel Mustafë Kllokoqin duke biseduar rreth një hetimi kur majori Blerim Rama kishte marrë një telefonatë nga drejtori i terrorizmit Luan Keka dhe ishte pyetur nëse të njëjtit kishin bërë arrestime të shtetasve të huaj.

“Përgjigja e Blerimit ishte jo, më pyeti edhe mua i thash jo nuk e di, dhe në atë moment e kam kontaktu në telefon kolonel Rrahman Syelejmanin e kom pyet a din diçka për disa shtetas të huaj që janë arrestuar apo ndaluar se nde nuk e dishim saktë për çka bëhet fjalë aj mu përgjigj se është në aeroport dhe se më pas do të më kontaktoj”, tha ai.

Dëshmitarit tha se më pas kishte kërkuar llogari nga Sylejmani se pse i njëjti nuk ishte njoftuar me kohë lidhur me këtë detyrë apo operacion sipas pozitës që ai kishte, por që Sylejmani kishte thënë se ka qenë urdhri i tillë që askush të mos njoftohej.

“Pastaj koloneli më ka njoftuar se një ditë më herët rreth orës 15:00 është ftuar nga drejtoi i e departamentit të kufirit, kolonel Guda në një takim ku ka marrë pjesë përpos Gudës, Sylejmanit edhe dy përfaqësues nga AKI dhe drejtori i departamentit për shtetësi azil dhe migracion,  Valon Krasniqi”, tha ai.

Ai tha se nga Sylejmani ishte njoftuar që ky takim kishte të bënte me dëbimin e shtetasve turq të cilët në bazë të vlerësimit të AKI-së kanë paraqit rrezik për rendin kushtetues.

“E kom pyet a janë përmbushur të gjitha proceduat ligjore, kolonel Sylejmani më ka thënë se në bazë të dokumentacionit që posedoj gjithçka është në rregull”, tha ai.

Në rastin konkret ai ka thënë se AKI kishte bërë kërkesë për dëbimin e shtetasve turq dhe se në këtë rast meqenëse koha ka qenë shumë e shkurtër dhe nuk janë involvuar njësitë tjera, sipas tij, nuk ka pasur nevojë dhe kompetencë të përgatitet plani operativ.

“Në kuadër të divizionit që e kom menaxhu unë është Drejtoria, e ka edhe sektorin për planifikim operacional, pas përgatitjes së planit operacional, unë e nëshkruaj e aprovoj planin operativ dhe pastaj dërgohet tek drejtori i departamentit. Nëse nuk nevojitet involvimi i njësive tjera jashtë një sektori nuk ka nevojë të përgatitet plani operativ për arsye se ajo konsiderohet detyrë dhe jo plan oeprativ”, tha ai.

Ai gjithashtu ka shtuar se kur informata vijnë nga AKI, ata në bazë të ligjit nuk kanë të drejtë të kërkojnë sqarime më të detajuara pasi që sipas tij AKI është institucioni më kredibil dhe kompetent për vlerësimin e rrezikut për shtetin e Kosovës.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokatit Florent Latifaj se me rastin e ekzekutimit të depërtimit të shtetasve të huaj jashtë Kosovës kush njoftohet për këtë ekzekutim, dukë marrë për shembull kryeministrin, dëshmitari u përgjigj se nuk është përgjegjësi as kompetencë që kryeministri të njoftohet.

Ndërsa gjatë përgjigjeve në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit Sylejmani, avokatit Flakron Sylejmani, dëshmitari ka thënë se ka qenë detyrë e Grudës dhe Sylejmanit që ta njoftonin atë lidhur me depërtimin e shtetasve turq, por që në këtë rast sipas tij, Sylejmani ka vepruar drejtë.

“Vartësi im Sylejmani, më ka deklaruar se ka pasur urdhër që të mos e njoftojë askënd jashtë takimit që kanë qenë prezent, dhe ashtu ka vepruar se ashtu duhet të veproj, kur e merr detyrën nga eprori më i lartë që nuk ke të drejtë ta shpërndash informatën jashtë, për arsye se e ka marrë nga eprori më i lartë se unë”, tha ai.

Derisa duke u përgjigjur në pyetjet e anëtares së turpit gjykues, gjykatëses Shadije Gërguri, dëshmitari ka thënë se përgatitjet dhe organizimin për depërtimin e shtetasve turq është bërë nga AKI deri në momentin kur janë dorëzuar dokumentet ndërsa depërtimin e ka bërë policia.

Më pas në këtë seancë ka dhënë dëshminë e tij edhe Fazli Fazliu i cili tha se në muajin mars kishte qenë shef i Njësisë së Migracionit në kuadër të aeroportit.

Dëshmitari ka thënë se para ditës kritike i ishte kërkuar nga i akuzuari Sylejmani që të nesërmen të asistonte në dëbimin e disa shtetasve të huaj, pa i dhënë ndonjë informatë tjetër.

Në mëngjesin e ditës kritike ai tha se kishte shikuar mundësinë që  personat të silleshin në zonën VIP në mënyrë që të kalonin më lehtë kufirin dhe se më pas për sjelljen e tyre në aeroport kishte kontaktuar me togerin në drejtorinë për migrim, Hamit Rukiqi.

“Hamiti në ditën e depërtimit më ka njoftuar se do të sjellën, kur kemi shku të aeroplani Hamiti e ka zhvillu komunikimin në gjuhën angleze me palën tjetër të huaj me dy persona, unë si kom kuptu çka kanë bisedu se nuk e di gjuhën angleze“, tha ai.

Pastaj ai tha se ishin kthyer në zonën VIP ku nga policia kishin filluar të silleshin personat për tu depërtuar, ku i njëjti tha se lidhur me këtë rast ai kishte kontaktuar zv.komandantin Lulzim Rama nga i cili kishte marrë konfirmim se ishte i njoftuar me rastin dhe se gjithçka ishte në rregull.

“Po i kam parë unë në atë vend kamë qëndruar deri në depërtimin e personit 3 ose 4 nuk më kujtohet, në atë kohë e kam kontaktu togerin Lulzim Ramën atë ditë zv.komandant, e kom njoftu a  je i njoftun për ngjarjen që është ka ndodh tani. Lulzimi pas nashta 2-3 min më thotë se çdo gjë është në rregull. Unë e disha që po ndodh depërtimi por arsyet dhe shkaqet pse po depërtohen nuk e kam ditë”, tha ai.

Sa i përket procedurës së kontrollimit të dokumenteve identifikuese, ai tha se i kujtohej që disa nga këta persona ishin ndalë në kontrollim të pasaportave por se siç tha ai nuk i kishte përcjellë të gjithë dhe nuk e dinte nëse të njëjtit kishin dokumente identifikuese apo jo.

“E di që disa janë ndal në kontroll të pasaportave, një ose dy persona gjatë depërtimit kanë kaluar. Unë me Hamitin deri tek i treti person i kemi përcjell së bashku nën shoqërim të policisë me veturë. Personat a kanë qenë të prangosur apo jo unë nuk e di këtë detaj. Ata kanë pasur fletëudhëtime, kontrollën e ka bo polici i pikës Fatmir Krasniqi, dhe në atë moment Fatmiri mu drejtu, a është në rregull krejt, i kom thon pas kontaktimit me Lulzimin se çdo gjë është në rregull”, tha ai.

Ai tha se gjatë kësaj kohe kishte ardhë edhe i akuzuari Sylejmani me të cilin kishte arritur të bisedonte dhe se pas përfundimit të përcjelljes së personit të tretë apo katërt, ai tha se kishte marrë leje dhe ishte largua nga vendi pasi që i njëjti tha se nuk kishte ndonjë detyrë dhe  nuk e ka konsideruar të nevojshëm qëndrimin i tij.

Por që dëshmitari ka thënë se nuk ishte në njohuri për arsyet dhe shkaqet e depërtimit të këtyre qytetarëve dhe se atë e kishte kuptuar më vonë përmes mediave.

I pyetur nga prokurorja Salihi nëse kishte  dëgjuar se njëri nga këta persona që janë larguar nuk ka pasur dokumente, ai tha se nuk e dinte, dhe se këta persona sipas tij në raste të tilla vijnë nën shoqërim të policisë, e që sipas tij ai nuk bën verifikim të dyfishtë.

Gjithashtu dëshmitari shtoi se nuk ishte në njohuri nëse gjatë këtij depërtimi kishte pasur rezistencë edhe se sipas tij forma e depërtimit shoqërues asnjëherë nuk është i pëlqyeshëm nga personat që depërtohen por siç tha ai këtë vendim nuk e merrë ai por organet kompetente.

“Nëse ndodh unë veç e pyes policinë dhe se vendimin e merr policia, në këto raste vendimin e marrin policia”, tha ai.

Seanca e radhës në këtë rast është caktuar për 23 shkurt ku pritet të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë me radhë të propozuar nga prokuroria.

Paraprakisht në këtë seancë është dhënë edhe fjala hyrëse nga palët në procedurë.

Gjykata e Apelit në dhjetor 2021 ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin për herë të dytë kishte refuzuar hudhjen poshtë të aktakuzës.

Fillimisht, më 21 maj 2021, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Gasht, Krasniqit dhe Sylejmanit si dhe kishte aprovuar disa propozime të mbrojtjes për shpalljen e papranueshme të disa provave.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me arsyetimin se ka pasur shkelje esenciale e ka kthyer këtë rast në rivendosje sa i përket pjesës me të cilën gjykata e shkallës së parë ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndërsa, pas kthimit të rastit në rivendosje gjykata e shkallës së parë më 28 gusht 2021 sërish kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave me arsyetimin se në shkresat e lëndës ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë së të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

E që ky vendim më 16 dhjetor 2021 është vërtetuar edhe nga Gjykata e shkallës së dytë, duke refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbush detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, Drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës, raporton Betimi për Drejtësi.

PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejtë në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së.

Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohet se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23 mars 2018 dhe gjer më 29 mars 2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbush detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Gjithnjë sipas prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletudhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.

PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, Drejtor i DMH, pranë MPB, më 29 mars 2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99 par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM.

Ndërsa, thuhet se urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97 par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97 paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe depërtojë të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoi dëm moral dhe material të dëmtuarve.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së.

Po ashtu, prokuroria e akuzon Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoj kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe depërtuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29 par. 2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13 paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.

Me këto veprime, PSRK e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale, privimi i kundërligjshëm i lirisë nga neni 196 par. lidhur me par. 3 të Kodit Penal.

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori