LAJMI I FUNDIT:

Rasti ‘gylenistët’, i akuzuari Sylejmani thotë se ishte njoftuar me vonesë lidhur me vendimin MPB-së për dëbim

Rasti ‘gylenistët’, i akuzuari Sylejmani thotë se ishte njoftuar me vonesë lidhur me vendimin MPB-së për dëbim

Në rastin e njohur si “Gylenistët”, i akuzuari Rraham Sylejmani ka thënë se është informuar pesë ditë me vonesë, pasi që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB-ja) kishte marrë vendim për revokimin e leje qëndrimeve të 6 shtetasve turq.

“Ekziston ai dallim, revokimi me datë 23 mars, informimi im me 28 mars në fund të orarit të punës, që janë pesë ditë diferencë për mu informimi si zyrtar që kom pas me vepru”, tha Sylejmani.


Këtë deklarim, i akuzuari Sylejmani e dha në seancën e së mërkurës gjatë vazhdimit të deklarimit të tij në fazën e mbrojtjes, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Flakron Sylejmani.

Në këtë rast, akuzohen për korrupsion ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Krasniqi, si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare (DMH), Rrahman Sylejmani.

Sipas të akuzuarit Sylejmani, te rastet e revokimit të leje qëndrimeve që bazohen në nenin 6 të Ligjit për të Huaj mbi vlerësimin se ata paraqesin rrezik, kërcënim për sigurinë e vendit e rendit publik, kur autoriteti i autorizuar që është (MPB-ja) respektivisht DSHAM-ja e bën revokimin e atyre leje qëndrimeve ajo ka për obligim që menjëherë ta informoj policinë dhe t’ia kaloj qasjen policisë pastaj për veprimet e mëtutjeshme.

“Unë nuk kam qenë i informuar deri më 28 as idenë se kam pasur se si është përgatitur një rast i tillë”, tha i akuzuari Sylejmani.

Sylejmani ka thënë se bazuar në deklaratat e transkriptuara të zyrtarëve Qazim Susuri e Shkodran Manaj që kishin dhënë në Komisionin Parlamentar për Hetimin e këtij rasti ka kuptuar se më 23 mars 2018 ishte bërë revokimi i leje qëndrimeve.

“Kam pa se aty qysh e kanë shpjegu ata aty kam lexu se 12.03.2018 ata me kërkesë të drejtorit të DSHAM-t kanë dërguar 3 dosje, pastaj me 19-tin tri tjera me emaile qysh kanë komuiku mes vete me Valon Krasniqin, ndërsa më 23-tin është bërë revokimi dhe e kanë shtyp, e nënshkru”, ka thënë ai.

E kjo sipas tij, nënkupton se më 23 mars MBP-ja e ka kryer punën e saj, i ka dorëzuar vendimet dhe ja ka lënë në zyre tek drejtori, tani i akuzuari Valon Krasniqi.

“Janë 5 ditë diferencë, nuk guxon me ndodh ajo në raste të tilla dhe me ligj parashihet se menjëherë duhet të informohet policia për veprimet e mëtutjeshme ”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse ata shtetas të huaj kanë qenë të rrezikshëm për sigurinë kombëtare do të duhej të mbaheshin të mbyllur deri kur të depërtohen.

“Se ata njerëz shtetasit për pesë ditë kanë mujt me ta qu vendin në ajër nëse kanë qenë të rrezikshëm për sigurinë kombëtarë, unë s’kam qenë në dijeni por së paku ata është dashur të mbahen të mbyllur deri në datën kur do të depërtohen”, ka thënë i akuzuari Sylejmani.

Tutje, Sylejmani ka thënë se DSHAM-ja, përkatësisht Divizioni për Ripranim ka qenë e obliguar që të bëjë aranzhimin e depërtimit, ndërsa urdhrat për largim me forcë i ka lëshuar drejtoria e tij, pra Drejtoria për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare (DMH).

“Urdhrat e largimit me force qe i ka leshu drejtoria ime, ne fakt policia, në këshillën juridike ju shkruan se afati është prej 8 ditëve për të ushtruar ankese për shkallë të dytë që është Komisioni për shqyrtimin e ankesave të shtetasve të huaj që është në kuadër të Kryeministrisë, të gjitha këto të drejta janë konsumu, janë ushtru nga ana e përfaqësuese, avokatëve të gjitha një nga një”, ka thënë tutje ai.

Dhe sipas tij, Komisioni si shkallë e dytë i ka vërtetuar të gjithë urdhrat, mirëpo ka ndryshuar vetëm kohën e ndalimit nga pesë vite e ka ulur në tri vite.

I njëjti ka thënë se, sipas Ligjit për të Huajt që ka qenë në fuqi në atë kohë, të gjithë urdhrat e largimit me forcë e kanë pasur klauzolën se ankimimi nuk e pezullon ekzekutimin e tyre.

Mirëpo, me plotësim ndryshimin e këtij ligji në vitin 2019, ai tha se vetëm në rastet kur cenohet siguria kombëtare ankesa kundër urdhrit të largimit me forcë nuk e pezullon ekzekutimin e urdhrit, por për rastet tjera të largimit me forcë e pezullon.

Po ashtu, i akuzuari Sylejmani, në deklaratën e tij ka thënë se arsyeja pse shihet në video-incizimet brenda Aeroportit të Prishtinës ditën e depërtimit të shtetasve turq është sepse atje së bashku me dy zyrtarët e AKI-së kishte shkuar për t’iu ndihmuar zyrtareve policor.

Dhe arsyeja e dytë, sipas tij pse ai kishte hyrë prapë brenda ishte se një zyrtar policor e kishte informuar atë se njërit nga shtetasit turq e konteston identitetin e tij.

“Ai shtetas turk ka qenë Hasan Husein Demir në vendim, ndërsa personi është prezantuar si Hasan Husein Gunakan”, tha Sylejmani.

E pastaj ai tha se, kishte kërkuar që të suspendohet depërtimi i tij deri sa të vendoset lidhur me atë shtetas.

Sipas tij, përveç fotografisë të dhënat personale të këtij shtetasi kanë qenë komplet ndryshe, por ai tha se personi është depërtuar si Hasan Husein Demir.

I akuzuari Sylejmani pasi u përgjigj në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Flakron Sylejmani, i njëjti tutje ka shfrytëzuar të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje.

Sylejmani gjithashtu ishte deklaruar edhe në seancën e 12 prillit 2023.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani, në seancën e kaluar i akuzuari Gashi ka shfrytëzuar të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje, por i njëjti kishte thënë se i vetmi mekanizëm për vlerësimin e shkeljeve të drejtorit të AKI-së është inspektori brenda AKI-së.

Sipas saj, për rastin konkret i akuzuari Gashi kishte thënë se bazuar raportin e inspektimit të brendshëm në AKI nuk ishin gjetur shkelje nga ana e drejtorit të AKI-së.

Andaj, e njëjta tha se gjykata sipas detyrës zyrtare do të bëjë përpjekje në sigurimin e këtij raporti ose të paktën gjetjet e këtij raporti që ndërlidhen me pretendimet e të akuzuarin Gashi.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Leutrim Syla ka propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen edhe njëherë Shaban Guda, Qazim Susuri dhe Shkodran Manaj, por për këtë propozim gjykatësja Namani tha se do të vendoset jashtë seance pasi që gjykata të vlerësoj deklaratat e tyre.

Seanca e radhës për këtë rast është e caktuar më 23 maj 2023.

Gjykata e Apelit në dhjetor 2021 ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin për herë të dytë kishte refuzuar hudhjen poshtë të aktakuzës.

Ndryshe, më 21 maj 2021, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Driton Gashit, Valon Krasniqit dhe Rrahman Sylejmanit.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me arsyetimin se ka pasur shkelje esenciale e ka kthyer këtë rast në rivendosje sa i përket pjesës me të cilën gjykata e shkallës së parë ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përpos konfirmimit të aktakuzës, kjo gjykatë kishte aprovuar disa propozime të mbrojtjes për shpalljen e papranueshme të disa provave.

Ndërsa, pas kthimit të rastit në rivendosje gjykata e shkallës së parë më 28 gusht 2021 sërish kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes, hudhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave me arsyetimin se në shkresat e lëndës ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë së të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

E që ky vendim më 16 dhjetor 2021 është vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë, duke refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Ndryshe, më 26 prill 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte mbajtur shqyrtimin e dytë për këtë rast, gjatë të cilës seancë të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre kishin paraqitur kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ish-shefi i AKI, Driton Gashi, drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB, Valon Krasniqi si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë së Kufitare, Rrahman Sylejmani kishin kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë hudhjen e aktakuzës ndaj tyre, duke kundërshtuar edhe provat që gjenden në të.

Ndërkaq, prokuroja Habibe Salihi kishte kërkuar konfirmimin e aktakuzës, me të cilën Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon Driton Gashin, Valon Krasniqin dhe Rrahman Sylejmanin për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, kurse Sylejmanin edhe për veprën penale të privimit të kundërligjshëm nga liria.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.

PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejt në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohet se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23 mars 2018 dhe gjer më 29 mars 2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Gjithnjë sipas prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletë-udhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.

PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, drejtor i DMH, pranë MPB, më 29 mars 2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99, par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM.

Ndërsa, thuhet se urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97, par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97, paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe depërtojë të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoi dëm moral dhe material të dëmtuarve.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Po ashtu, prokuroria e akuzon Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoj kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe depërtuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29, par.2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13, paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.

Me këto veprime, PSRK e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196, par. lidhur me par. 3 të Kodit Penal, raporton betimiperdrejtesi.

Në trend Lajme

Më shumë
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Kronika e Zezë
Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Lajme
Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Lajme
Kalo në kategori