Rashiq u dorëzon mjete bujqësor tri familjeve në Prizren


Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka vizituar Prizrenin, ku u ka dorëzuar mjete bujqësore familjeve Azari, Murati dhe Ajradini, në kuadër të programit mbështetës të ministrisë për zhvillimin e ekonomive familjare.
Sipas njoftimit të Partisë "Za Slobodu Pravdu i Opstanak", gjatë takimit me përfituesit, Rashiq theksoi përkushtimin e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për të ofruar mbështetje konkrete dhe të barabartë për të gjitha komunitetet.
"Obligimi ynë është të jemi pranë qytetarëve tanë dhe të sigurojmë mundësi të barabarta për zhvillim për çdo familje. Mbështetja e ministrisë është e dedikuar për të gjitha komunitetet, sepse duam që njerëzit të qëndrojnë në vatrat e tyre, të zhvillojnë ekonomitë familjare, të punojnë dhe të krijojnë një të ardhme më të sigurt për familjet e tyre", ka deklaruar Rashiq.
Sipas njoftimit, shpërndarja e mekanizmit bujqësor është realizuar në bashkëpunim me partnerët implementues GIZ-in Gjerman dhe Shoqatën Humanitare "Nënë Tereza" dhe është pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme të ministrisë për forcimin e prodhimit bujqësor dhe fuqizimin ekonomik të familjeve në mbarë Kosovën.
Ministria për Komunitete dhe Kthim ka bërë të ditur se do të vazhdojë zbatimin e programeve mbështetëse në të gjitha komunat, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës së qytetarëve, si dhe krijimin e kushteve më të qëndrueshme për qëndrimin dhe zhvillimin e komuniteteve lokale. /Telegrafi/




































