LAJMI I FUNDIT:

Raporti i spiunëve për shëtitjet e “rrezikshme” të Musine Kokalarit, pranë repartit ushtarak!

Raporti i spiunëve për shëtitjet e “rrezikshme” të Musine Kokalarit, pranë repartit ushtarak!
Musine Kokalari, më 1945, në librarinë "Venus" (e hapur nga vëllai i saj Vejsimi i cili, në fund të vitit 1944, bashkë me të vëllain Mumtaz vritet pa gjyq nga komunistët). Musineja arrestohet më 1946.

Nga: Kastriot Dervishi

Për të kuptuar më mirë idiotësitë e dosjeve formulare (agjenturiale-operative) të Sigurimit, në të cilat hidheshin të dhëna për objektet, si dhe hartoheshin planet e përpunimit të tyre, mjafton të lexohet kjo faqe. Dy bashkëpunëtorë, “Piktori” dhe “Lisi”, në vitin 1975 informonin se Musine Kokalari (e cila lëvizte gjithnjë e vetmuar) shfaqte interes për një repart ushtarak i cili rastiste në të njëjtën rrugë dhe të vetmen që bënte Musineja. Vlerësohet e dhëna dhe kërkohet të kihet kujdes.

***

RAPORT, DATË 29/4/1975

“Burimi njofton se me datën 17/4/1975, ora 16:15’, XY ishte në shërbim në pikën e hapjes Ura e Zemas dhe në kohën që bënte instrukatazhin me rojet, panë që po bën një shëtitje rrugës nacionale e internuara Musine Kokalari, e vetmuar, dhe pa patur njeri tjetër me vete. Kjo vinte deri tek ura matanë dhe kthehej prapa.

“Piktori”

SQARIM:

Musine Kokalari, del edhe nga e dhëna e B.P. “Lisi”, që shpeshherë lëviz rreth objekteve ushtarake.

DETYRË:

1. Shikoni edhe në të ardhmen nëse vjen afër repartit Musineja, nëse banë shënime ose skicë, nëse shoqërohet apo kërkon të afrohet me ushtarë e tjerë.

MASAT OPERATIVE:

Të dhënën ta shtypi në një kopje dhe ta dërgojë te D. P. e Brendshme, Rrëshen.

Punëtori operativ

Xhetan Muça”

/Telegrafi/