LAJMI I FUNDIT:

Raporti i republikanëve amerikanë thotë se “coronavirusi doli nga laboratori në Kinë”

Raporti i republikanëve amerikanë thotë se “coronavirusi doli nga laboratori në Kinë”

Një shumicë e provave dëshmon se virusi që shkaktoi pandeminë e COVID-19 doli nga një strukturë kërkimore kineze, tha një raport nga republikanët amerikanë i publikuar të hënën, një përfundim që agjencitë e inteligjencës amerikane ende nuk e kanë vërtetuar.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, raporti citoi gjithashtu “dëshmi të shumta” që shkencëtarët e Institutit Wuhan të Virologjisë (WIV) – të ‘ndihmuar’ nga ekspertët amerikanë dhe fonde të qeverisë kineze dhe amerikane – po punonin për të modifikuar coronaviruset për të infektuar njerëzit dhe që një manipulim i tillë mund të fshihej.


Përfaqësuesi Mike McCaul, republikani më i lartë në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, publikoi raportin nga stafi republikan i panelit.

Kina mohon akuzat për një coronavirus të modifikuar gjenetikisht të dalë nga objekti në Wuhan ku rastet e para të COVID-19 u zbuluan në vitin 2019 – një teori kryesore por a pavërtetuar në mesin e disa ekspertëve. Pekini gjithashtu mohon akuzat për fshehje.

Ekspertët të tjerë dyshojnë se pandemia është shkaktuar nga një virus kafshësh që ka të ngjarë të jetë transmetuar te njerëzit në një treg ushqimesh deti pranë institutit të Wuhanit (WIV).

“Ne tani besojmë se është koha që ta hedhim plotësisht poshtë idenë e tregut të lagësht si burim të shpërthimit”, thuhet në raport.

“Ne gjithashtu besojmë se shumica e provave dëshmon se virusi ka rrjedhur nga Instituti Wuhan i Virologjisë dhe që ka rrjedhur diku para 12 shtatorit 2019”, sipas raportit.

“Ne e dimë se hulumtimi mbi funksionin po ndodhte në Institutin Wuhan të Virologjisë dhe ne e dimë se po bëhej në kushte të pasigurta. Ne gjithashtu tani e njohim kreun e CDC-s kineze dhe drejtorin e laboratorit BSL-4 të institutit (WIV) ku shprehu publikisht shqetësimet në lidhje me sigurinë në laboratorët e PRC në verën e vitit 2019. Kur e kuptuan se çfarë ndodhi, zyrtarët e Partisë Komuniste Kineze dhe shkencëtarët në WIC filluan të mbulojnë në mënyrë të furishme rrjedhjen, duke përfshirë edhe shkyçjen e bazës së të dhënave të viruseve nga interneti në mes të natës, dhe duke kërkuar më shumë se 1 milion dollarë për siguri shtesë”, thuhej në raportin nga McCaul.

“Është gjithashtu shqetësuese që komuniteti shkencor i tha popullit amerikan për më shumë se një vit se ishte e pamundur të modifikohej një virus pa lënë gjurmë kur kjo teknologji ekzistonte më shumë se 14 vjet para fillimit të pandemisë. Siç parashtron ky raport, studiuesit në WIV gjithashtu ishin në gjendje të modifikonin me sukses coronaviruset pa lënë gjurmë që në vitin 2016. Prandaj, nuk është më e përshtatshme për këdo që të hedhë poshtë nocionin se ky virus mund të ishte modifikuar gjenetikisht para se të dilte nga WIV”.

Sipas këtij raporti, kishte shqetësime të rëndësishme në lidhje me protokollet e sigurisë të dobët në laboratorët e PRC, përfshirë nga kreu i Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe kreun e laboratorit BSL-4 të WIV.

Kishte kërkesa të shumta për mirëmbajtje në WIV, përfshirë në objektin e tyre të ri që kishte funksionuar për më pak se dy vjet. Disa nga ato kërkesa përfshinin mirëmbajtjen e “sistemit të dezinfektimit të ajrit të mjedisit” dhe “sistemit të trajtimit të mbeturinave të rrezikshme” – të cilat do të tregonin shqetësime se si funksiononin këto sisteme për të parandaluar rrjedhjet e laboratorit.

Shkencëtarët kanë qenë në gjendje të modifikojnë gjenetikisht coronaviruset pa lënë gjurmë të atij modifikimi që nga viti 2005. Shkencëtarët në WIV modifikuan me sukses coronaviruset pa lënë gjurmë qysh në vitin 2016 – tre vjet para shpërthimit. /Telegrafi/