LAJMI I FUNDIT:

Raporti i Komisionit për dëbimin e turqve dërgohet në Kuvend

Raporti i Komisionit për dëbimin e turqve dërgohet në Kuvend

Pas miratimit të raportit të Komisionit hetimor parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, deputetët dhe anëtarët e këtij komisioni, Xhelal Sveçla dhe Driton Selmanaj njoftuan se tashmë dokumenti do të shkojë për diskutim dhe miratim në seancë plenare, pastaj edhe për në Prokurori.

“Pas 10 muaj punë të komisionit, u votua raporti. Ky raport vendos standarde të reja të punës. Tashmë ai do të shkojë në seancë plenare për diskutim dhe miratim gjithashtu edhe në Prokurori”, deklaroi Sveçla në një konferencë për media.


Ai uroi që Prokuroria Speciale të merret seriozisht me raportin.

Ndërsa deputeti Driton Selmanaj, tha se raporti do të ishte më i plotë me dëshminë e presidentit Hashim Thaçi.

“Raporti do te ishte më i plotë nëse do ta kishim në detaje dëshminë e presidentit sepse dihet që mbrapa krejt kësaj qëndron ai”, tha Selmanaj.

Ai tha se ky komision do të jetë shembull se si duhet të bëhet puna në një komision hetimor./Telegrafi/