LAJMI I FUNDIT:

Raporti i KE-së për Kosovën: Korrupsioni i lartë, sundimi i dobët i ligjit dhe ekonomia informale – pengesë për sektorin privat

Raporti i KE-së për Kosovën: Korrupsioni i lartë, sundimi i dobët i ligjit dhe ekonomia informale – pengesë për sektorin privat

Sundimi i dobët i ligjit, niveli i lartë i korrupsionit dhe ekonomia informale janë disa nga pengesat me të cilat ballafaqohet ekonomia e Kosovës, veçanërisht për sektorin privat.

Kështu thuhet në raportin Komisionit Evropian për Kosovën, duke shtuar se ka rritje të ndjeshme të inflacionit.

“Kosova ka bërë disa përparime në kriteret ekonomike dhe është në një fazë të hershme të zhvillimit të një ekonomie tregu. Gjatë pandemisë COVID-19, ekonomia tregoi qëndrueshmëri. Megjithatë, sfidat strukturore të gjata, të tilla si ekonomia joformale e përhapur, prevalenca e lartë e korrupsionit dhe sundimi i përgjithshëm i dobët i ligjit, vazhdojnë të pengojnë sektorin privat”, thekson raporti, shkruan Telegrafi.

KE-ja po ashtu thotë se ekonomia e Kosovës është në fazën e hershme të zhvillimit të një ekonomie tregu.

“Rregulli fiskal është pezulluar që nga viti 2020, rimëkëmbja ekonomike si dhe fitimet nga formalizimi çuan në një rritje të fortë të të ardhurave tatimore dhe një deficit të ulët publik në vitin 2021. I nxitur nga rritja e çmimeve të mallrave, inflacioni u rrit ndjeshëm. Sektori financiar mbeti i qëndrueshëm dhe kreditimi vazhdoi të zgjerohej. Përkundër kundërshtimit të fortë politik, Qeveria mori qëndrime të kujdesshme fiskale në lidhje me pensionet e veteranëve të luftës dhe Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës”, vijon KE-ja.

Raporti thotë se Kosova ka bërë përparim të kufizuar për sa i përket aftësisë për të përballuar presionin konkurrues.

“Kosova ka bërë përparim të kufizuar dhe është në një fazë të hershme sa i përket aftësisë për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut në BE-së. Është bërë pak përparim në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe adresimin e boshllëqeve të aftësive në tregun e punës”, thotë raporti.

Në fund, KE-ja pohon se Kosovës i mungon strategjia afatgjate e energjisë.

“Kosova ka bërë disa përparime në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e investimeve në burimet e rinovueshme, por furnizimi me energji me bazë qymyri, i vjetërsuar dhe jo i besueshëm mbetet një shqetësim. Kosovës ende i mungon një strategji afatgjate energjetike. Kosova ka bërë disa përparime në dixhitalizimin e ekonomisë”, përfundon KE. /Telegrafi/