Raporti i Ombudsmanit: Gjykatat prijnë në shkeljen e të drejtave

Veprim i vonuar ose mungesë e plotë e veprimit nga institucionet pas rekomandimeve të Avokatit të Popullit për shkeljen e të drejtave të qytetarëve, konstaton Ombudsmani në raportin për vitin e kaluar të prezentuar para deputetëve.
Edhe më tej më së shumti të drejtat shkelen nga gjykatat, ndërsa pothuajse në të gjitha fushat numri i rasteve të shkeljes së të drejtave është në rritje.
Kështu, nga mbi 2.900 lëndë që kanë mbërritur, 1.810 janë përfunduar, ndërsa në mbi 400 prej tyre është konstatuar shkelje.
“Avokati i Popullit, duke vepruar sipas ankesave individuale, ashtu si edhe në vitet e kaluara, edhe në vitin e kaluar konstaton se procedurat në fushat kompetente zgjasin shumë dhe se nuk merret parasysh efikasiteti i procedurave, me ç’rast palët nuk marrin njoftime në kohë për statusin e lëndëve të tyre.”, - deklaroi avokati i Popullit, Faton Selami.
Opozita e lavdëroi raportin, por i vuri në dukje Ombudsmanit se nuk ka bërë mjaftueshëm për rastin në Koçan.
“Më tej ta mbani lëndën hapur, të keni komunikim me qytetarët që duhet të realizojnë të drejtat. Sidomos kujdesi ynë duhet të jetë i madh para së gjithash për njerëzit, të rinjtë që janë lënduar, disa prej të cilëve morën trajtim me vonesë, morën me vonesë mjete të ndryshme ndihmëse që të mund t'i përdorin gjymtyrët, në çfarë gjendje janë.”, - theksoi deputetja e PRSD-së, Sonja Mirakovska.
Është shqetësuese që çdo e katërta ankesë është konfirmim i shkeljes, thotë deputeti Murat.
“Dhe se rreth 400 raste të shkeljes së vërtetuar janë pa përgjigje nga shkelësit, deri më sot ashtu qëndron në raport, nuk kemi përgjigje prej tyre.”, - u shpreh deputeti i Frontit Evropian, Sali Murat.
Raporti i Avokatit të Popullit këtë herë është përgatitur për vitin 2025, vit në të cilin për gjashtë muaj institucioni punoi pa një Ombudsman të zgjedhur. /rtvm2



















































