LAJMI I FUNDIT:

Raporti ‘Doing Business 2020’: Kosova zbret për 13 vende

Raporti ‘Doing Business 2020’: Kosova zbret për 13 vende

Kosova është në mesin e ekonomive të mbarë botës që ka pasur disa përmirësime në reformat e të bërit biznes, por vendi ynë për këtë vit ka zbritur për 13 vende, kështu thuhet në raportin e “Doing Business 2020”, të publikuar të enjten nga Grupi i Bankës Botërore.

Këtë vit, Kosova radhitet në pozitën e 57-të nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 44-të ku ka qenë vitin e kaluar.


Kosova radhitet e 12-ta në hapjen e një biznesi, e 15-ta në marrjen e kredisë, e 31-ta në tregtinë ndërkufitare, e 160 në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 128-ta në mbrojtjen e investitorëve nga pakicat, e 90-ta në furnizimin me energji elektrike, e 53-ta në zbatimin e kontratave, e 48-ta në pagesën e tatimeve, e 37-ta në regjistrimin e pronës dhe e 48-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës, përcjell Telegrafi.

Çdo vit, raporti “Doing Business” në 190 ekonomi, mat aspekte të rregulloreve të biznesit që janë me rëndësi për ndërmarrësit, duke u fokusuar në dhjetë fusha: krijimin e një biznesi, trajtimin e lejeve të ndërtimit, furnizimin me energji elektrike, regjistrimin e pronave, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve të pakicave, pagesën e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

Lista e Bankës Botërore kryesohet nga Zelanda e Re, pas saj vijnë Singapori dhe Hong Kongu, ndërsa në fund të listës janë Somalia, Eritrea dhe Venezuela. Raporti thekson se ekonomitë me përmirësimin më të dukshëm janë Arabia Saudite, Jordania, Togo, Bahrejni, Taxhikistani, Pakistani, Kuvajti, Kina, India dhe Nigeria.

Megjithatë, raporti nuk përfshinë të gjitha çështjet që janë me rëndësi për vendimet e bizneseve. /Telegrafi/