LAJMI I FUNDIT:

Raport: SHBA-ja fajëson Rusinë për përhapje të dezinformatave për coronavirusin

Raport: SHBA-ja fajëson Rusinë për përhapje të dezinformatave për coronavirusin

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë identifikuar tri faqe në gjuhën angleze që thonë se janë duke u përdorur nga Rusia për të përhapur dezinformata në lidhje me coronavirusin, duke shfrytëzuar luftën e SHBA-së në menaxhimin e pandemisë.

Zyrtarët amerikanë thanë për agjencinë e lajmeve Associated Press më 28 korrik se këto aktivitete lidhen me shërbimet e inteligjencës ruse, dhe se ata kanë identifikuar dy rusë si përgjegjës për përpjekje për dezinformim, të cilët mbanin poste të larta në njësinë e inteligjencës ushtarake të Rusisë, e njohur si GRU.


AP raportoi se zyrtarët e SHBA-së folën në kushtet anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht.

Zyrtarët amerikanë, më parë kanë paralajmëruar për përhapjen e dezinformatave të lidhura me pandeminë, por zyrtarët e cituar nga AP përmendën InfoRos, si agjenci të informacionit që është e regjistruar në Rusi dhe operon në faqet e internetit InfoRos.ru, Infobrics.org dhe OneWorld.press.

Në mes të muajit maj dhe në fillim të muajit korrik këto, ueb-faqe kanë publikuar rreth 150 artikuj në lidhje me pandeminë, përfshirë këtu edhe disa raportime të cilat e vendosin Rusinë në pozitë të mirë dhe pozitive, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës në pozitë denigruese, bëri të ditur njëri nga zyrtarët.

Në këto ueb-faqe thuhej se Rusia u kishte dhënë ndihmë të konsiderueshme Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të luftuar pandeminë dhe kanë zmadhuar deklaratat kineze në lidhje me dyshimet se coronavirusi është një armë biologjike. Artikujt në këtë ueb-faqe gjithashtu kanë nxjerrë në pah trazirat në shumë qytete amerikanë në lidhje me padrejtësitë racore.

Këto gjetje dolën në pah në kohën kur përhapja e dezinformatave është bërë shqetësim në prag të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA në muajin nëntor.

Politikanët amerikanë kanë paralajmëruar disa herë për ndërhyrjet e vazhdueshme të rusëve, të cilat komuniteti i inteligjencës amerikane dhe komitetet e Kongresit kanë ardhur në përfundim se këto ndërhyrje u zhvilluan kryesisht përmes një fushate të fshehtë në mediat sociale në vitin 2016, për të shtyrë përpara kandidaturën e Donald Trump për president të SHBA-së.

Zyrtarët thanë se po flisnin për këto ueb-faqe, në mënyrë që të ngrenë alarmin dhe të ekspozojnë atë për të cilët ata thonë se është një lidhje e qartë në mes të këtyre ueb-faqeve dhe inteligjencës ruse.

Dy individët të cilët kanë mbajtur role udhëheqëse në InfoRos dhe kanë shërbyer më parë në GRU, janë identifikuar si Denis Valeryevich Tyurin dhe Aleksandr Gennadyevich Stranskiy.

Njësia GRU ku ata kanë shërbyer, është e specializuar në inteligjencë psikologjike ushtarake dhe të dy personat ende kanë lidhje të ngushta me këtë njësi, raporton AP.

AP tha se u përpoq që të merrte ndonjë koment nga InfoRos, por askush nuk i është përgjigjur emaileve të tyre. InfoRos e përshkruan veten në faqen në saj në Facebook si “Agjenci e Informacionit: Bota Përmes Syve të Rusisë”.

InfoRos dhe One World edhe më herët kanë qenë të kritikuara edhe nga shtetet evropiane. Një raport në muajin e kaluar nga DisinfoLab me bazë në Bruksel, ka zbuluar lidhjet në mes të InfoRos dhe One World me inteligjencën ushtarake ruse.

“InfoRos është duke u zhvilluar në një zonë gri, ku aktivitetet e rregullta të informatave janë të përziera me veprime kontroverse, të cilat mund të jenë shumë të lidhura me operacionet e informacionit të shtetit rus”, thuhet në raport.

Washington Post gjithashtu ka raportuar më parë se InfoRos ishte i lidhur me GRU. /REL/