Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, deklaroi se viti që lamë pas ka qenë sfidues për qytetarët e kësaj komune. Ai thotë se helmimi i qytetarëve nga uji i pijes, vrasja e trefishtë dhe vdekjet e njerëzve për shkak të COVID-19 janë arsye pse viti i kaluar ka qenë i vështirë për deçanasit.

Megjithatë, ai sheh përpara me projektet që synon të realizojë në mandatin e ri pas besimit që iu dha në tetor të vitit të kaluar në zgjedhjet lokale.

Ramosaj pret nga organet e drejtësisë që të zbardhin rastin e helmimit me ujë të pijes të shumë qytetarëve të kësaj komune, si dhe rastin e fundit ku tre qytetarë u vranë në mënyrë mizore.

“Ka qenë vit sfidues në disa tema, ka qenë sfidues për krejt botën dhe sidomos për shtetin tonë. Ajo çka ka ndodhur me ujin e pijes në Deçan, ka kohë që po e bëjmë një luftë tepër të madhe që me i marrë këto kompetenca dhe ta kemi kompetencë menaxhimin e ujit të pijes në komunën e Deçanit, sepse po e dimë për çka po flasim, e dimë qysh keqmenaxhohet dhe e dimë sa të pazotë janë në menaxhim të ujit të pijes në një qytet ku ka resurse tepër të mëdha ujore. […] Unë shpresoj që organet përgjegjëse qoftë të hetuesisë, prokuroria, gjykata do ta çojnë deri në fund temën e helmimit të ujit të pijes. Nuk ka qenë vit i lehtë sidomos edhe me rastet e vështira që i kemi pasur sepse një pjesë të njerëzve në këtë qytet i ka marrë pandemia dhe deri tek rasti i fundit ku e patëm vrasjen e trefishtë. Unë uroj që hetuesia, prokuroria, të mos lenë alternativë pa e studiuar që t’i japin epilog përfundimtar kësaj ngjarjeje”, thotë ai.

Kryetari i Deçanit shprehet optimist që gjatë këtij viti do të përfundojë asfaltimi i rrugës Deçan-Plavë, pavarësisht përplasjeve që janë zhvilluar me përfaqësuesit e Manastirit të Deçanit gjatë vitit të kaluar kur edhe u ndaluan punimet.

Për një gjë të tillë, Ramosaj thotë se pret edhe mbështetjen e nivelit qendror, në të kundërtën thotë se nuk i bëhet nder vendit.

“Po presim që në 2022 të jetë e asfaltuar pjesa e Republikës së Kosovës, është një lajm i mirë që edhe Qeveria e Republikës së Malit të Zi ka ndarë një pjesë të buxhetit sado që është i vobektë ai buxhet, bile së paku me hap trasenë në bazë të projektit që ne jemi dakorduar me ta në vitin 2018 dhe vitin 2019, që kishin me e nxjerrë këtë komunë sidomos edhe Komunën e Plavës e ato vise që dikur kanë qenë të banuar me shqiptarë do t’i nxjerrë prej këtij kurthi gjeografik në të cilin edhe kanë mbetur. […] Nuk e shoh ndonjë pengesë dhe ndoshta unë jam njeriu më përgjegjës që me e thënë një gjë të saktë, por nuk shoh ndonjë pengesë në ndërtimin e kësaj rruge. Duhet vetëm të buxhetohet. [..] Po shpresoj që do të ketë vullnet, patjetër që do të ketë vullnet, në të kundërtën nuk është duke i bërë nderë këtij vendi dhe as kësaj komune”, thotë Ramosaj.

Ramosaj, që në fund të vitit të kaluar mori besimin e qytetarëve të Deçanit që të udhëheq edhe një mandat me këtë komunë, thotë se fokus kryesor të punës së tij do ta ketë zhvillimin e sektorit të turizmit.

“Jam i bindur në këtë që e them që nuk do të shkojë kohë e gjatë dhe Deçani do të jetë kryeqendra e turizmit në Republikën e Kosovës. Është qyteti që ka potencial më së shumti për turizëm në Republikën e Kosovës, është aseti kryesor që Republika e Kosovës e ka në sferën e turizmit. Për këtë ndonjëherë nuk jemi mirëkuptuar me nivelin qendror sepse 60 përqind e territorit të Komunës së Deçanit është park nacional dhe duke qenë park nacional ku ende nuk është miratuar plani hapësinor mbi këtë park neve po na mohohet e drejta për ta zhvilluar këto konceptet e ndërtimit”, thotë ai.

Kryetari i Deçanit, premton zgjidhje të problemit të ujërave të zeza në këtë komunë, projekt që sipas tij, është i ndarë në dy pjesë.

“Është e ndarë në dy pjesë, ne tashmë kemi gjashtë fshatra që realisht jemi në parakontratë për ta implementuar këtë projekt, që janë dy Strellcat, Isniqi, Lëbusha, Prapaqani, Duboviku, Papiqi, që nuk kanë rrjet të kanalizimit të ujërave të zeza dhe janë disa rrjete të improvizuara, mirëpo që duhet t’i bëjmë me një projekt bashkëkohor që është brenda standardeve që mos me pas telashe në ekosistemin e këtyre vendbanimeve. Janë 18 fshatra të tjera ku edhe pse një pjesë e tyre kanë të trajtuar problemin e ujërave të zeza, janë impiante të cilat nuk janë të ndërtuara me standarde dhe krijojnë këtë ndotjen ose këtë jetën e vështirë”, thotë ai.

I pari i Deçanit thotë se nuk do t’i lënë anash as investimet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi e kulturë./kp/