LAJMI I FUNDIT:

Rama si kryeministër i republikës së shtatë të Jugosllavisë

Rama si kryeministër i republikës së shtatë të Jugosllavisë

I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, për Mini-Shengenin theksoi: “Ne besojmë se, që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet t’i përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë Qeverinë e Kosovës”.

Ky qëndrim amerikan është shumë i qartë, është pro Kosovës dhe asgjësues për përpjekjen e Serbisë për të mos e njohur Kosovën dhe për ta konsideruar me këmbëngulje dhe agresivisht si pjesë të saj.


Në asnjë tavolinë të mëtejshme, Mini-Shengeni nuk mund të zhvillohej pa zgjidhur këtë problem kritik, që lidhej me integritetin dhe sinqeritetin e tavolinës. Vazhdimi i tavolinave të Mini-Shengenit pa Kosovën dhe patetizmi demonizues, ironik dhe tradhtar i Edi Ramës kundër saj, s’janë as më shumë dhe as më pak sesa shitja pa hezitim i Kosovës te Serbia.

Çdo shqiptar, pa asnjë përjashtim, po të pyetej do të thoshte se tavolina pa Kosovën nuk mund të mbahej kurrsesi.

Rama u vendos tërësisht kundër Kosovës, duke pranuar të ulej dhe rreshtohej në tavolinë me ish-republikat jugosllave pa Kosovën dhe kundër Kosovës.

Mini-Shengenin pa e njohur Kosovën, e bën këtë për ta nxjerrë nga agjendat njohjen e Kosovës si dhe për ta relativizuar, minimizuar dhe izoluar këtë kauzë, për të cilën janë bërë sakrifica të panumërta dhe është derdhur gjak.

Vënia totalisht e Ramës në dispozicion të këtij qëllimi shumë të qartë të Serbisë kundër Kosovës, duke iu kundërvënë edhe SHBA-ve, është një tradhti shumë e rendë.

Mini-Shengeni nuk zgjidh asnjë problem për shqiptarët, as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Mini-Shengeni zgjidh vetëm problemin e Serbisë për të mos e njohur asnjëherë Kosovën dhe për ta penguar atë kudo dhe me ç’të mundet. Ky është një skenar i qartë. Nëse për pjesëtarët e tjerë ish-Jugosllavë të tavolinës së Mini-Shengenit ky nuk është fare problem, për shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë njohja e Kosovës është dhe mbetet një kauzë e shenjtë. I vetmi problem kritik në hapësirën ballkanike është qëndrimi armiqësor dhe destruktiv i Serbisë lidhur me mosnjohjen e Kosovës.

Ky qëndrim konfliktnxitës është një nga momentet më të nxehta, zgjidhja e të cilit nuk pret dhe kërkon përgjigjen e shpejtë dhe të vetme, që është: njohja pa kushte e Kosovës nga Serbia.

Krijimi prej dyshes Rama-Vuçiq i një fokusi fiktiv dhe artificial si fiksioni i Mini-Shengenit ka vetëm një qëllim: shtyrjen në një qoshe dhe shpërqendrimin e vëmendjes për zgjidhjen e çështjes kardinale të njohjes së Kosovës nga Serbia.

Rama me bindje të plotë ka zgjedhur anën renegate anti-Kosovë të tavolinës së Mini-Shengenit.

Rama përfundimisht po sillet si kryeministri i një republike të shtatë të Jugosllavisë dhe aspak si përfaqësues i Shqipërisë, që është vëllai i madh i pazëvendësueshëm për Kosovën.