LAJMI I FUNDIT:

Rakiq pyetet rreth djegies së billbordit “Liria ka emër” në Graçanicë

Rakiq pyetet rreth djegies së billbordit “Liria ka emër” në Graçanicë

Djegia e billbordit “Liria ka emër” me stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot në Graçanicë, ka ngjallur debat në komisionin parlamentar ku po raportoi ministri nga radhët e komunitetit serb Goran Rakiq.

Ky i fundit ka thënë se nuk është në dijeni për këtë ngjarje dhe se për këtë duhet pyetur policia.


Rakiq ka raportuar rreth mendimit ligjor që ka dhënë Ministria e Pushtetit Lokal lidhur me riorganizimin e shkollave në komunën e Kamenicës, për çka ka hasur në kundërshtimin e deputetëve.

Persona ende të paidentifikuar, mëngjesin e së martës i kanë vënë flakën billbordit “Liria ka emër UÇK”, në Kishnicë të Graçanicë, zonë kjo e banuar me shqiptarë.

Lidhur me këtë, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu ka pyetur kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

“Duke pasur parasysh edhe qëndrimet e juaja në aspektin politik kohëve të fundit, më intereson të të pyes për atë që ka ndodhur në Graçanicë, ku është djegur billbordi ‘Liria ka emër’ në të cilin ka qenë e vendosur edhe stema e UÇK-së, ka ndodhur të digjet stema e UÇK-së që për ne është vlera më sublime për liri dhe pavarësi”, tha ajo.

Ajo ka ngritur dyshimin nëse veprime të tilla sot janë bërë me udhëzime nga Beogradi.

E për këtë, ministri Goran Rakiq tha se duhet që të pyetet Policia e Kosovës.

“E nderuara deputete, kam ndjenjën që ju keni mendoni që unë jam ministër vetëm sot dhe nesër nuk do të jem këtu dhe tentoni të më parashtroni pyetje jashtë kontekstit dhe jashtë rendit të ditës. Pyetjen që ma parashtruat lidhur me djegien e billbordit, unë për herë të parë po e dëgjoj dhe ju falënderoj. Kjo nuk është pyetje për mua, por për komandantin e stacionit policor”, tha ai.

Kryeziu tha se nuk e njeh Goran Rakiq si ministër, e as ndonjë ministër të qeverisë aktuale.

“Për mua në fakt nuk jeni ministër. Unë nuk e njoh për ministër asnjërin prej qeverisë tuaj, kështu që t’u drejtova me pyetje në cilësinë e përfaqësuesit të Listës Serbe se si e komentoni një akt të tillë vandal dhe desha të di a mendoni që janë marrë udhëzime nga Beogradi për këtë veprim, sepse duket që nuk keni pasur njohuri, por kjo lë pikëpyetje sepse nuk tingëllon si e tillë”, tha ajo.

Ndërsa kryetari i Listës Serbe tha se mund të jep përgjigje vetëm në zyrën e partisë, meqë siç tha ai, në komision është në cilësinë e ministrit.

“Nëse dëshironi pyetje për këtë, si përfaqësues i Listës Serbe, do të ju them kur të vini në zyrën time, si kryetar i Listës Serbe, e këtu jam në cilësinë e ministrit e jo në cilësinë e kryetarit të Listës Serbe”, tha ai.

Në Komisionin për Qeverisje Lokale, Rakiq u kundërshtua nga deputetët rreth mendimin ligjor që ka dhënë kjo ministri, i cili nuk e kundërshton vendimin e kryetarit të Kamenicës Qëndron Kastrati lidhur me riorganizimin e shkollave në këtë komunë.

Rakiq tha se komuna i ka kompetencat që të marrë vendime, ndërkohë ministria vetëm mund të jep mendime nëse ato janë në përputhje me ligjin.

“Kompetencat e kësaj ministrie janë që të jep mendim për ligjshmërinë në punë. Unë kam thënë që personalisht unë, si Goran Rakiq, jo si ministër, personalisht do të shkoja te çdo kryetar komune dhe drejtor shkolle, do të mundohesha që mos të lejoj mbylljen e shkollave nëse në atë shkollë është vetëm një nxënës, dhe nëse ka nevojë së bashku do të shkojmë me ju te kryetari i Kamenicës, të shohim ku është problem, sepse ne japim mendim në bazë të letrave të shkruara që i marrim nga vetëqeverisja lokale”, tha ai.

Ndërsa deputeti Valon Ramadani tha se ministri është dashur të rrëzojë vendimin e kryetarit Kastratit.

“Ne nuk kemi nevojë të shkojmë tash, është mirë të shkohet t’i shohim ato, por nuk ka nevojë të merremi me disa paraqitje kur ai ka ardhur me vendim. Shumë e thjeshtë ka qenë kjo, vetëm e kishe rrëzuar atë vendim se nuk ka të drejtë dhe sot ne nuk ishim marrë me këtë punë”, tha ai.

Deputeti nga Lista Serbe Igor Simiq drejtoi kritika pse në raportim nuk është ftuar ish-ministrja Emilia Rexhepi, meqë sipas tij, vendime të tilla janë marrë në kohën kur Albin Kurti ka qenë në krye të ekzekutivit.

“Unë do të pyes zotëri Rakiq, ministrin për Qeverisje Lokale, këtë vendim e ka nxjerrë për herë të parë, ministrja zonja Rexhepi në shkurt të këtij viti, kur ishte Qeveria Kurti, a është e saktë kjo? Pyetja tjetër për deputetët, e kemi fituar ministren Rexhepi apo dikë nga qeveria që në këtë komision? Si është e mundur që 400 fëmijë shqiptarë në komunën e Kamenicës të mbesin pa arsim, sepse jam i sigurt, sepse edhe atëherë ka qenë e vështirë për nxënësit dhe prindërit, ka qenë një muaj para fillimit të pandemisë me COVID-19”, tha ai.

Ndaj kësaj deklarate të Igor Simiq ka reaguar deputetja Arbëresha Kryeziu.

“Nuk është që e pata plan të lidhem në diskutim, por më la përshtypje reagimi i deputetit Igor Simiq, që në fakt është kjo shprehje e reagimit kurdo që keni rast ta përmendni qeverinë Kurti, pasi definitivisht ju ka tmerruar, andaj reagoni në këtë mënyrë. Vendimi i parë që është nxjerrë prej Qendron Kastratit lidhur me rastin e Kamenicës është 02/26937 i datës 30.08.209, që i bie që ky vendim është dashur të shqyrtohet më datën 10 të secilit muaj kur ministria i merr dhe i shqyrton vendimet, pra më 10.09.2019, atëherë nuk ka pasur qeveri Kurti zotëri Simiq”, tha ajo.

Në këtë komision Rakiq është pyetur edhe rreth ndarjes së fondeve nga Ministria e Pushtetit Lokal, për çka ai ka thënë se bashkë me kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë, kanë takuar qytetarët e komunave dhe kanë përkrahur komunat në nevojë në luftën me COVID-19, pavarësisht etnisë./KP/

Në trend Lajme

Më shumë
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Kronika e Zezë
Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Lajme
Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Lajme
Kalo në kategori