LAJMI I FUNDIT:

Rakiq paralajmëron protesta të serbëve në institucionet e Kosovës

Rakiq paralajmëron protesta të serbëve në institucionet e Kosovës

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, sot në një konferencë për media në Mitrovicë, e ka bërë kryeministrin Albin Kurti përgjegjësin e vetëm për dështimin e arritjes së një marrëveshje për çështjen e targave të hënën në Bruksel.

Ai ka treguar se sot, deri në mëngjes, kanë pasur një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.


Rakiq, siç raporton “N1”, ka paralajmëruar protesta në të gjitha institucionet, pa specifikuar se kur do të nisin.

“Deri në mëngjes kemi pasur një takim me presidentin Aleksandar Vuçiq. Në atë takim ishin të pranishëm ministrat, kryeministri dhe drejtori i zyrës për Kosovë. Ndoshta ishim të lodhur, por kur pamë shqetësimin e presidentit Vuçiq dhe përkushtimin e tij për zgjidhjen e kësaj krize të shkaktuar nga Prishtina, asgjë nuk ishte e vështirë për ne. Asnjë marrëveshje nuk është arritur në Bruksel dhe Prishtina është përgjegjëse për këtë”, tha Rakiq, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, serbët nga Kosova duan vetëm paqe dhe kërkon që të mos rriten tensionet dhe të mos përdoret forca kundër serbëve.

“Ne serbët nga Kosova vetëm kërkojmë që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen ashtu siç është rënë dakord në Bruksel… Ne duam të jetojmë në paqe, të jemi vetëm dhe të qëndrojmë në vatrat tona shekullore”, tha Rakiq.

Ai vlerësoi se tri gjëra “e mbushën kupën”, shkarkimi i Nenad Gjuriqit, vendimi i njëanshëm për targat dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin, sipas tij, është pritur për 10 vjet.

Në konferencë për media, përveç kryetarëve të komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – që dhanëdorëheqje në fillim të muajit, ishte i pranishëm edhe Ivan Todosijeviq, zyrtar i Listës Serbe dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

Më 19 nëntor, në rigjykim, Todosijeviq u dënua me një vit burgim për “përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës”

Ai u dënua për shkak të deklaratës së tij në mars të vitit 2019 se arsye për “agresionin e NATO-s” kundër caqeve të ushtrisë jugosllave më 1999 ka qenë “e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”. /Telegrafi/