LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët nuk besojnë se vota e tyre do të mbetet e fshehtë

Qytetarët nuk besojnë se vota e tyre do të mbetet e fshehtë

Partitë politike në Maqedoni, kryesisht ato në pushtet, qëllimisht krijojnë një perceptim se kanë informacione për secilin qytetarë se për cilën parti ka votuar, duke nxitur kështu frikë dhe panikë në mesin e votuesve, konstatohet në një hulumtim të realizuar nga Qendra për Arsim Evropian rreth zgjedhjeve, shkruan REL.

Lupço Petkovski nga kjo qendër thotë se qytetarët e Maqedonisë edhe pas 25 vitesh demokraci akoma nuk besojnë se çdo presion në zgjedhje do të duhet të marrë epilog gjyqësorë, sepse shkelet ligji për zgjedhje me çka qytetarëve u garantohet e drejta e votës së lirë.


“Një nga të dhënat më të rëndësishme është ajo se mbi 40 për qind e qytetarëve janë të bindur se pushteti ka mekanizma që në çdo moment të kuptojë se si ka votuar çdo qytetar. Kjo e bënë të vështirë që secili, të merr guximin tu kundërvihet politikave të partive në pushtet. Ky perceptim është më shumë si rrjedhojë e rrëfimeve konspirative se pushteti arrin të sheh gjithçka”, tha Lupço Petkovski.

Sipas të dhënave nga hulumtimi i Qendrës për Arsim Evropian, numri i qytetarëve shqiptarë është më i madh krahasuar me ata maqedonas të cilët janë shprehur se pushti është në dijeni për atë si kanë votuar.

Kështu, frika tek shqiptarët është më e madhe, duke arritur madje shifrën deri në 70 për qind të qytetarëve të përfshirë në anketa.

Petrit Saraçini nga asociacioni “CIVIL”, që gjithashtu monitoron fushatën parazgjedhore dhe procesin zgjedhorë gjatë ditës së zgjedhjeve thotë se të dhënat paraqesin alarm për institucionet e vendit dhe faktorin politik se pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë kanë humbur plotësisht në procesin zgjedhorë.

“Kjo tregon se elektorati shqiptar e ka humbur plotësisht besimin në procesin zgjedhorë. Faji për këtë gjendje duhet kërkuar në faktorët që ndikojnë, përkatësisht garantojnë fshehtësinë e votës”, thotë Saraçini.

“Në këtë rast janë trupat votues duke filluar nga Komisioni shtetëror i zgjedhjeve, komisionet komunale dhe bordet votuese, përkatësisht aty ku qytetarët në një mënyrë në formë të drejtpërdrejtë janë të sfiduar se u kërcënohet fshehtësia e votës”, thekson ai.

Gjithsesi, vijon Saraçini, edhe faktori politik dhe institucionet “janë ato të duhet të jenë garantuese dhe të kontribuojnë me vepra që qytetarët të ndjehen të lirë ditën e votimeve”.

Hulumtimi rreth mbarëvajtjes së procesit zgjedhorë ka nxjerrë në pah se më shumë keqpërdorime sa i përket votimeve bëhen përmes paraqitjes së personave si analfabetë si dhe personave të sëmurë.

“Lajmërimi i personave të caktuar si analfabet paraqet një mekanizëm përmes të cilit keqpërdoret votimi, sepse personat të cilët ndihmojnë në këto raste janë ata të cilët vendosin se për cilin kandidat do të votohet”, thuhet në hulumtimin e prezantuar.

Njëherësh në Maqedoni gjatë çdo procesi zgjedhorë, paraqiten mbi 15 mijë persona me nevoja të veçanta të cilët nuk kanë mundësi të dalin në vendvotime. Sipas ligjit, këtyre personave u mundësohet të votojnë një ditë para datës së zgjedhjeve.

Ndryshe, misioni OSBE/ODIHR, ka njoftuar se nga enjtja zyrtarisht fillon me vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Maqedonisë, të cilat pritet të mbahen më 11 dhjetor. /Telegrafi/