LAJMI I FUNDIT:

​Qytetarët ende pa sigurime shëndetësore, skepticizëm se nuk do të ketë as brenda pesë vitesh

​Qytetarët ende pa sigurime shëndetësore, skepticizëm se nuk do të ketë as brenda pesë vitesh
Foto: Ilustrim

Qytetarët kosovarë vazhdojnë të mos kenë sigurime shëndetësore. Ligji aktual që rregullon këtë çështje i aprovuar më 2014 nuk ka gjetur zbatim, por i njëjti ligj me ndryshime synohet të procedohet në Kuvendin e Kosovës vitin e ardhshëm.

Mirëpo, Shoqata për të Drejtat e Pacientëve (PRAK) është skeptike që mund të lëvizë pozitivisht rreth sigurimeve shëndetësore para vitit 2026, pasi përmendin mangësitë në instrukturën ligjore. Gjithsesi, rregullimi i kësaj çështjeje do t’i shërbente edhe vet mirëfunksionimit të sistemit shëndetësor.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryetare e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku u shpreh se qeveria aktuale është shumë e interesuar që sa më shpejt ta procedojë projektligjin me ndryshime për votim.

Por, sipas saj, Ligjit për sigurime shëndetësore duhet t’i paraprijë funksionimi i Sistemit Informativ Shëndetësor.

“Qeveria aktuale është shumë e interesuar ta procedojë këtë projektligj në Kuvendin e Republikës së Kosovës por të plotësuar dhe ndryshuar sepse është domosdoshmëri për të pasur mundësi për ta implementuar. Ajo çka duhet t’i paraprijë është vërtetë Sistemi Informativ Shëndetësor, i cili po ashtu është pilotuar, ka pasur edhe keqpërdorime të fondeve dhe deri tani ende nuk kemi një Sistem Informativ të mirëfilltë Shëndetësor që duhet t’i paraprijë zbatimit të Ligjit për sigurime shëndetësore.

Në strategjinë legjislative për vitin tjetër parashihet procedimi i Projektligjit për sigurime shëndetësore i plotësuar dhe ndryshuar. Ndërsa, ajo çfarë mbetet është që në ndërkohë të punohet në implementimin e SISH-it dhe ministria është duke u marr shumë seriozisht edhe me studimin e fizibilitetit për SISH sepse neve na nevojitet evidencë”, theksoi ajo.

Për mundësitë e zbatimit të këtij ligji skeptik është shprehur Muhamedali Kodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve.

Kodra thotë se mungojnë shumë akte nënligjore, rregullore dhe nevojitet përgatitje institucionale për të nis së implementuari ky ligj.

Prandaj, ai shprehet se edhe me angazhimin më serioz të institucioneve nuk do të arrihet që para 5 viteve qytetarët e Kosovës të gëzojnë sigurimet shëndetësore.

“Neve na mungojnë një mal dokumentesh nënligjore, mungojnë rregullore, akte administrative që duhet të rregullohen dhe përgatiten institucionet të pilotohen ato dhe tek pastaj të reflektojnë në ligj. Ka pesë vite që vazhdimisht po tentohet të ndryshohet ligji kur asgjë tjetër nuk kemi punuar është irelevante se a miratohet sot ky ligj apo lihet pas 1 viti kjo nuk do të na ndryshojë gjendjen…

Nuk e kemi as Sistemin e Informimit i cili mbledh të dhëna dhe akumulon të dhëna por nuk përpunohen ato duhet ta kemi llogarinë kombëtare shëndetësore që përpunon që është sfidë në vete, stafin e kemi absolutisht të papërgatitur për këtë çështje se si do i kalkulojmë ato, si do i paguajmë, pra jemi tërësisht në mjegull. Ka 10 vite që bisedohet për pakon bazike dhe jemi në pikën ku kemi qenë para 10 vitesh…Në vullnetin më të mirë të qeverisë dhe angazhimin më serioz para 5 vitesh nuk mund të presim nuk është reale”, theksoi Kodra për KP.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi u shpreh se implementimi i Ligjit për sigurime shëndetësore duhet të jetë objektiv strategjik i Ministrisë së Shëndetësisë.

Krasniqi tha se përmes sigurimeve shëndetësore do të përmirësohej edhe funksionimi i tërësishëm i sistemit shëndetësor në vend.

“Ligji për Sigurime Shëndetësore po ashtu është një ligj shumë i rëndësishëm për krijimin e një financimi të qëndrueshëm të shërbimeve shëndetësore dhe për krijimin e një sigurie tek qytetarët për të marrë shërbime shëndetësore më cilësore. Sigurisht që nuk duhet të krijojmë pritje dhe mrekulli edhe nëse impelemtentohet Ligji për sigurime shëndetësore por që duhet të presim dhe është reale të presim që funksionalizimi i këtij Fondi do të stabilizojë dhe përmirësojë funksionimin të tërësishëm të sistemit shëndetësor në vend”, u shpreh Krasniqi për KosovaPress.

Nevojën që sa më parë të jetësohet ky ligj e ka shprehur edhe Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.

Ndërsa, liston disa nga vërejtjet që kanë në këtë ligj, Azemi tha se përmes Fondit punëtorët e sektorit privat do ta kenë më të lehtë të kenë qasje në shërbime shëndetësore që kanë kosto të papërballueshme për ta.

“Ne si Sindikatë e Sektorit Privat të Kosovës në këtë ligj që mendon që të amendamentohet kemi vërejtjet tona pasi që në një nen aty thotë se nëse një punëtor për 3 muaj rresht nuk i paguan sigurimet shëndetësore e humb të drejtën edhe nëse ka paguar 10 vite radhazi kështu që për ne është një hendikep sepse dihet që kemi pronar të kompanive që shpeshherë na vonon pagat me nga 5-6 muaj dhe e humbim këtë të drejtë. Për punëtorët e sektorit privat do të ishte më se e nevojshme pasi ata janë në gjendje tejet të rëndë dhe shpeshherë ndodh që për një mjekim shumë i thjesht kushton më shumë sesa pagën që e merr andaj çdo moment i humbur për ne është shumë i rëndësishëm dhe shpresojmë që ky ligj të vijë sa më shpejt dhe të hyjë në fuqi”, tha ai.

KosovaPress ka kërkuar një qëndrim në lidhje me çështjen e sigurimeve shëndetësore edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Për herë të parë një Ligj për sigurime shëndetësore ishte miratuar në vitin 2007, por i njëjti nuk ka hyrë asnjëherë në fuqi për shkak se shefi i atëhershëm i UNMIK-ut nuk e nënshkroi atë. Pas shpalljes së pavarësisë një vit më vonë, ligj u tërhoq për shkak të buxhetit. Ligji i ri për sigurime shëndetësore u miratua në vitin 2014, por asnjëherë nuk u zbatua. Aktualisht, ata qytetarë që kanë sigurime shëndetësore janë të siguruar vetëm përmes kompanive private.

Në trend Lajme

Më shumë
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
Bajrami i reagon Muratit pasi tha se ka rritje të qarkullimit të biznesve, e fton për përballje

Bajrami i reagon Muratit pasi tha se ka rritje të qarkullimit të biznesve, e fton për përballje

Lajme
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Kurti: Më herët mirëmbajtja e rrugëve ka kushtuar 57 milionë për tri vjet, ne e kemi zbritur në 38 milionë

Kurti: Më herët mirëmbajtja e rrugëve ka kushtuar 57 milionë për tri vjet, ne e kemi zbritur në 38 milionë

Lajme
Aksident tragjik në Kërçovë, humbin jetën tre persona

Aksident tragjik në Kërçovë, humbin jetën tre persona

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori