Qytetarët e Maqedonisë mbështesin anëtarësimin në BE, janë optimist për datë në pranverë


Qytetarët e Maqedonisë së Veriut e mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Shumica prej tyre vlerësojnë se ajo është punë e mirë dhe dobishme për shtetin dhe mbesin optimist për fitimin e datës për hapjen e negociatave në pranverë.
Kështu thonë rezultatet më të reja nga hulumtimi EUROMETRI i Qendrës për Strategji Evropiane EUROTHINK (QSE), lidhur me mendimin qytetarëve për çështjet e eurointegrimeve dhe besueshmërisë në institucionet.
Përfaqësuesja e EUROTHINK, Magdalena Lembovska, e cila i prezantoi rezultatet nga anketa, theksoi se ndikimet e drejtpërdrejta të vetos franceze për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut, mbi mbështetjen e qytetarëve të vendi për aderim janë minimale.
Shumica e qytetarëve apo 56.8 për qind, si arsye kryesore për mos fillimin e negociatave e theksojnë mos zbatimin e reformave ne plan të brendshëm, përderisa pakica, gjegjësisht një e katërta si arsye i theksojnë ngjarjet e brendshme në BE.
Megjithatë, më tepër se gjysma e qytetarëve presin fillimin e negociatave në maj të vitit 2020.
Për dallim nga anketat e tjera, ajo çka është karakteristike në këtë anketë është se për më pak se dy muaj në mënyrë drastike është rritur përqindja e qytetarëve të cilët raportin e BE-së, ndaj Maqedonisë së Veriut e vlerësojnë si “të padrejtë, shantazhues dhe arrogant”, që i dedikohet ndjenjës së tradhtisë së pritjeve. Kjo përqindje në tetor ka qenë 30,3 për qind, ndërsa nga fundi i nëntorit është rritur për 44,4 për qind.
Lembovska, nga EUROTHINK, vlerësoi se nëse vazhdon ky trend, ai do të ndikoj mbi perceptimin e qytetarëve ndaj BE-së, e me këtë edhe të mbështetjes.
Anketa tregon se çdo i pesti qytetar besoj se Maqedonia e Veriut, nuk ka miq në bashkësinë ndërkombëtare. Pjesa dërmuese e tyre vlerësojnë se “kërcënimet” më të mëdha ndaj vendit vijnë nga fqinjësia.
Në pyetjen se cili shtet apo organizatë ndërkombëtare është miku më i madh i vendi, 18,3 për qind janë përgjigjur se askush, 16,2 për qind janë përgjigjur se mik më madh i Maqedonisë së Veriut është Gjermania, pastaj vijon Serbia, me 11,8 për qind, SHBA-ja, 9,7 për qind, Turqia 7,4, BE-ja, 4,8 dhe 4,7 për qind e të anketuarave janë përgjigjur se mik më madh i Maqedonisë së Veriut është Rusia./Telegrafi/





































