Bisedimet midis Maqedonisë dhe Bullgarisë janë të natyrshme dhe do të vazhdojnë, por Qeveria nuk ka ndërmend të bëjë lëshime që lidhen me interesin kombëtar, historinë dhe identitetin, thanë për "Lokalno" nga kabineti i ministrit të Jashtëm, Timço Mucunski.

Kur u pyet se cilat janë zgjidhjet e mundshme për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe çfarë do të thotë praktikisht që Protokolli 2 i Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, Miqësi dhe Bashkëpunim me Bullgarinë nuk është pjesë e kornizës negociuese, nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se Mucunski theksoi nevojën për qartësi, parashikueshmëri dhe garanci se procesi i pranimit do të zhvillohet në bazë të kritereve evropiane.


"Ministri Mucunski theksoi qartë në konferencën për shtyp qëndrimin se, nga një perspektivë ligjore, protokollet nuk janë pjesë integrale e Kornizës Negociuese. Në të njëjtën kohë, Ministri Mucunski theksoi edhe një herë nevojën për qartësi, parashikueshmëri dhe garanci se procesi i pranimit do të zhvillohet në bazë të kritereve evropiane, dhe jo interpretimeve dypalëshe", deklarojnë nga kabineti ministrit Mucunski.

Sipas Ministrit të Punëve të Jashtme, thelbi i problemit është se Bullgaria ka një interpretim të ndryshëm dhe i trajton të ashtuquajturat protokolle si pjesë integrale të Kornizës Negociuese./Telegrafi/