LAJMI I FUNDIT:

Qysh me hi në Prishtinë?

Qysh me hi në Prishtinë?

Krejt fajet i ka SHBA dhe “Air Ponteri” i saj, pra pajisja e instaluar e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, e cila paraqet ndotjen në nivel më të lartë për 20 për qind sesa stacionet tona matëse. Përse vëlla nuk ja ka besuar kalibrimin e këtyre pajisjeve faktorit lokal. Tash ishim rahat. Kështu diqysh po bie besimi i qytetarëve në zyrtarët qendrorë e lokalë.

Vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, sipas të dhënave të zyrtarëve tonë, gjendja ka qenë edhe më alarmante, por aso kohe qytetarët nuk ankoheshin aq shumë, se zyrtarët jepnin shifrat e tyre. Dilema t’u besosh mushkërive dhe fytit tënd apo Qeverisë, zgjidhej në favor të qeverisë, sepse vetëbesimi qytetarë ishte nën zero. Në minus,pra!


Ndërkohë, sipas medias vesh më vesh, krejt faji për sëmundjet e shpeshtuara të mushkërive, u lihej rrezatimeve nga bombardimet e NATO-s dhe duhanit. Sivjet, krejt shteti u ngrit në këmbë, dhe u barrikadua në qendër, edhe për një arsye shtesë se zyrtarët e lartë qëlluan këndej pari pasi nuk kishin viza të ikin jashtë, pastaj po akuzohen nga brenda dhe jashtë se nuk po mbajnë përgjegjësi për çështjet madhore që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit.

Pra, pak a shumë, thënë thjesht, qendra ku banon shteti, po mbrohet prej periferie. Në këtë mbyllje kufijsh në Prishtinë mundesh gjithsesi me hy, por veç me kontrabandë.

Grupet që po e zbraznin Kosovën kanë mbetur pa punë, sa për regjim të ashpërsuar në kufijtë e Evropës, sa edhe për faktin se populli që ka mbet as që është i motivuar me shkua në Evropë se jeton nga buxheti. Pastaj krejt kanë qëlluar afër, nëpër institucione, krejt rreth qendre, me një grup të mbyllur në “Viber” apo rrjetet e tjera sociale, i mbledh sa hap e mbyll sytë për çaj. Sidomos në atë të ambientit dhe integrimeve euroatlantike, mjafton dikush me lëshua kushtrimin.

Pra, o burra, në barrikada. Prishtina po mbrohet nga ardhacakët. Dikur këndohej një këngë, për të gjitha rrugët që qojnë në Prishtinë dhe çajtoret e famshme ku të gjithë vinin veç për të pirë qaj. Prishtina, kishte halle tjera, asokohe, se pushteti ishte i huaj i instaluar dhe i dhunshëm dhe askush nuk u shkonte në zyrë për të pirë qaj. Ndoshta “shlivovicë”!

Tash ka ndërrua situata. Qytetarët, sikur para apokalipsës ecin rrugëve me maska në gojë. Edhe Skënderbeu ka vu maskë, në Prishtinë. Kjo e bënë Skendën tonë të dallohet nga origjinali në Tiranë. Erioni ka ecë me autobusët elektrik! Në fakt, Skendës ia vunë maskën për të sensibilizuar opinionin për helmimin masiv të qytetarëve që po ndodhë ditëve të fundit, përmes emetimit të jashtëzakonshëm të gazrave në kryeqytet. Të gjithë kanë faj përpos (pu)shtetit.

Shteti, si shteti, po thotë, se fajtorë janë qytetarët e në mes tyre disa janë më fajtorë se të tjerët , Kështu, nga dita e mërkurë atyre ua ka ndaluar hyrjen në qendër. Munden me parkua ku të donë, në periferi, e drejt shtetit munden me ja mësy këmbë ose me autobusët lokalë të cilët edhe ashtu një kohë të gjatë po rrinë jashtë përdorimi.

Në krejt këtë zhurmë dhe mobilizim gjithëpërfshirës të (pu)shtetit, për të barrikaduar qendrën, askush nuk e fajëson pushtetin as atë qendror apo lokal, të cilët lejuan përdorimin e veturave të stërvjetra, as për “dizelin” me kualitet të ultë të cilin nuk e kontrollon askush, as për gazrat që emetohen pa kontroll nga tymtarët e lartë termocentraleve, të cilat nuk shpërndahen tutje kur nuk ka erë.

Fajtorë mbeten qytetarët të cilët sipas zyrtarëve, me veturat e tyre me 30 për qind i kontribuojnë ndotjes së ambientit, dhe kështu po e helmojnë shtetin që banon në qendër. Askush nuk e fajëson (pu)shtetin i cili për përfitime grupore apo individuale, lejoi hyrjen e dhjetëra mijëra veturave të skaduara në vend, dhe ende nuk ka siguruar transport publik të besueshëm dhe komod.

Mbetet e paqartë, përse ky reagim kaq i vrullshëm i shtetit, i cili nuk reagoi për shumë tema të rëndësishme për të ardhmen e vendit, dhe duke mos reaguar e bllokoi tërë vendin dhe qytetarët, duke mbetur kështu të vetmit në Evropë, pa viza.

Anash të gjitha fjalët, për ambientin e ndotur, sepse përkundër faktit se Prishtina është mbuluar me re pluhuri, të gjithë duan të hyjnë në (krye)qytet, sepse qysh e thamë edhe më herët, në Prishtinë, në qendër banon shteti. Shteti është biznesmeni kryesor dhe “idarja” e të gjithëve në këtë vend varet drejtpërdrejtë nga shteti. Për të shuar zërat e qytetarëve të cilët ankohen se shteti dhe sidomos disa nga zyrtarët më të lartë janë drejtë për drejtë përgjegjës për izolimin e vendit, dhe gjendjen e rëndë ekonomike e sociale, ata vendosën të ua marrin bukën qytetarëve që ankohen se nuk kanë djathë, pra i vunë “vizat” për të hyrë në Prishtinë. Tash, viza janë e viza nuk janë. Vunë barrierë.

Të kthehemi tash te titulli! “Qysh me hy në Prishtinë”, ishte pyetja e një qytetari, në një emision të drejtpërdrejtë televiziv, i cili në Prishtinë vjen për të bërë biznes dhe e ka të domosdoshëm udhëtimin me veturë?

Në fakt, mundesh edhe nuk mundesh me hy në kryeqytet, prej sot. Mund të hysh këmbë, me autobus, mundesh edhe nëpër male, edhe nëpër fusha, por jo nëpër autostrada. Mund të hyni me taksi, me bus, apo mund të shfrytëzoni lidhjet familjare, pra të ftoni vëllezërit ose kushërinjtë me vendbanim në Prishtinë të vijnë të ju marrin, ju që keni targa “të jashtme”. Fundja, tri ditë do të zgjas e gjithë kjo parodi. E shumta dhjetë! (Pu)shteti e zbuloi edhe një instrument për të zhvendosur vëmendjen nga temat tjera emergjente.

“Ofroj një veturë Mercedes Benz të 2017-të për një kalë me apo pa pajton (karrocë)”, klithi plot dëshpërim dhe satirë, një qytetar, në fakt vet ambasadori ynë i (vet)akredituar në “Facebook”! Për të hyrë në Prishtinë, gjithsesi. Derisa qytetarët, po klithin për një kalë, për të hyrë në kryeqytet, pushtetarët, me gjasë, secilën herë e më tepër po vijnë në situatë të klithin, sikurse bëri dikur një mbret i famshëm: “Jap mbretërinë, për një kalë…” !

Në fund, për t’i ikur ngatërresave, po japim targat e regjioneve, sipas një profili në “facebook”: 01 Prishtina, 02 Mitrovica, 03 Peja, 04 Prizreni, 05 Ferizaj, 06 Gjilani, 07 Gjakova, 3Z Drenica!

Shpejt pritet edhe reagimi i komunave të tjera. Veturat me targa 01, nuk do të mund të hyjnë në qytetet e tjera. Do të sigurohen autobus, për bartjen prishtinasve, pinjollë apo të ardhur pas lufte, në brendi të qyteteve. As Qeveria nuk do të rrijë duarkryq, në këtë luftë ndër komunale. Qeveria do të fusë pasaportën komunale dhe vizat e brendshme, sikur në kohët e arta…! Pastaj do të vijë liberalizimi!

Mos të thotë kush se liberalizimi varet nga Evropa.

Po çfarë Evrope …!

Në trend

Më shumë
Babai plagosi të bijën dhe më pas vrau veten, i afërmi: Vajza ishte e divorcuar, fëmijët i kishte marrë i ati

Babai plagosi të bijën dhe më pas vrau veten, i afërmi: Vajza ishte e divorcuar, fëmijët i kishte marrë i ati

Lajme
Më shumë se njëzet ekipe, bashkë me dronët dhe qentë - në kërkim të helikopterit

Më shumë se njëzet ekipe, bashkë me dronët dhe qentë - në kërkim të helikopterit "të rrëzuar" të presidentit iranian

Botë
Usyk dyshohet se ka thyer rregullat e boksit mes raundit 6-7 në duelin

Usyk dyshohet se ka thyer rregullat e boksit mes raundit 6-7 në duelin "e shekullit" me Furyn

Boks
Arda Guler nuk ndalet me gola të bukur te Real Madridi

Arda Guler nuk ndalet me gola të bukur te Real Madridi

La Liga
Tyson Fury thumboi babain dhe trajnerin e tij për humbjen nga Oleksndr Usyk

Tyson Fury thumboi babain dhe trajnerin e tij për humbjen nga Oleksndr Usyk

Boks
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Kalo në kategori