Pas viteve të pasigurisë rreth peshës së saj, Queen Latifah mori vendimin e thjeshtë për ta dashur veten.

Tani ajo po ndihmon këdo që përjeton obezitet të bëjë të njëjtën gjë.

Aktorja dhe muzikantja është fytyra e fushatës së re “It’s Bigger Than Me”, e cila synon t’i japë fund stigmës rreth epidemisë së obezitetit. Iniciativa siguron burime dhe një seri me video me protagonist Latifah për të ndryshuar mënyrën se si flasim për obezitetin.

“Unë kam përjetuar që jam gjykuar nga të tjerët për shkak të peshës sime”, thotë Latifah në një video nga fushata. “Unë e di efektin që mund të ketë te ju. Por unë kurrë nuk kam lejuar që kjo të më ndalojë, dhe nuk duhet ta lejosh as ti. Të jetosh me obezitet nuk ka të bëjë me mungesën e vullnetit. Nuk është një e metë e karakterit. Është më e madhe se kaq”.

“Obeziteti është një problem shëndetësor”, thotë Latifah në video. “Mund të të bëjë të ndihesh sikur është faji yt, por në fakt është për shkak të biologjisë sate. Dhe për fat të keq, njerëzit mund të reagojnë me stigmë dhe paragjykime në vend të ndjeshmërisë. E gjithë kjo ju bën të mendoni se jeni vetëm dhe nuk mund të merrni ndihmë – por mundeni”.

Qëllimi i Latifah është të fillojë një bisedë me fushatën. Ajo foli për ndryshimin e saj të mendësisë në një intervistë të re për People Magazine, ku shpjegoi se si e detyroi veten të bënte një ndryshim pasi përjetoi “urrejtjen ndaj vetes” në adoleshencë.

“Unë thashë, ‘Ose do ta urresh, ose do ta duash veten’. Dhe vendosa që në atë moment do ta dua veten”, tha Latifah. Megjithatë, është një luftë e vazhdueshme për Latifah – por nuk ka ndërmend të heqë dorë. /Telegrafi/