LAJMI I FUNDIT:

Qeveria rikthen Asociacionin e Komunave të Kosovës në Komitetin antiCOVID

Qeveria rikthen Asociacionin e Komunave të Kosovës në Komitetin antiCOVID

Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të përfshijë edhe Asociacionin e Komunave të Kosovës në Komitetin antiCOVID.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate nga AKK-ja.


“Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka kthyer Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) në Komitetin Anti-Covid19 si përfaqësues i pushtetit lokal në Kosovë. Përndryshe sot Qeveria e Kosovës ka thirrur në një takim Kryetarët e Komunave të Kosovës për t’u koordinuar lidhur me angazhimet e përbashkëta në betejën kundër pandemisë Covid19.  Po ashtu dje Qeveria e Kosovës nuk e ka përshirë Asociacionin e Komunave të Kosovës në Komitetin Anti-Covid19 që koordinon veprimet ndërinstitucionale për luftimin e pandemisë Covid19”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, tutje thuhet se, “Si shkas nga kjo mospërfshirje të AKK-së në këtë Komitet si përfaqësuese e pushtetit lokal në Kosovë, Bordi i AKK-së ka vendosur që Kryetarët e Komunave të mos marrin pjesë në takimin e sotëm të Qeverisë”.

“Sipas njoftimit të Qeverisë sot pasdite, Asociacioni i Komunave të Kosovës nga nesër do të jetë i përfshirë në këtë Komitet për të dhënë kontributin dhe koordinimin me Komunat në betejën kundër pandemisë Covid19. Pas këtij vendimi AKK zotohet që do të vazhdoj të jap kontributin e vetë si deri më tani që nga marsi i vitit 2020  në aktivitete të përbashkëta ndërinstitucionale në angazhime kundër kësaj pandemie”, thuhet në komunikatë.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 në vend, ku nuk u përfshinë kryetarët e komunave.

Pas reagimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës në lidhje me këtë mos-përfshirje, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se komiteti është formuar në bazë të Ligjit anti-COVID dhe me të gjitha institucionet që parashihen me ligj.

Vitia: Komiteti koordinues antiCOVID u formua në bazë të Ligjit, u bëj thirrje kryetarëve të komunave të mos e bojkotojnë Qeverinë
Lexo po ashtu Vitia: Komiteti koordinues antiCOVID u formua në bazë të Ligjit, u bëj thirrje kryetarëve të komunave të mos e bojkotojnë Qeverinë

“Sa i përket takimit për Komitetin, ne të dielën kemi pasur takimin e Këshillit të Sigurisë, ku pas këtij takimi kemi marr hapa konkret, njëri nga ta ka qenë të themelohet Komiteti për Koordinimin e Vlerësimin për situatën antiCOVID. Në vitin e kaluar e kam krijuar unë sa kam qenë ministër, edhe nga Qeveria e kaluar, por është bërë në të dy rastet pa bazë në ligj pasi nuk e kemi pasur ligjin anti-COVID. Në këtë drejtim ky komitet është i bazuar në këtë ligj dhe me të gjitha institucionet që parashihen me ligj. Vendimi është marr të dielën, ne e kemi formuar menjëherë, në mënyrë që fronti jonë, lufta jonë të jetë sa më i përbashkët”, theksoi Vitia.

Ai u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave të Kosovës, të mos e bojkotojnë Qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Vitia ka thënë se nuk është koha për ndasi dhe se do të bëjnë më të mirën për të përfshirë të gjithë.

“Kryetarët e komunave kanë pasur rol krucial, janë përballur në terren me shumë sfida, në secilin prej takimeve ata janë ftuar dhe janë marrë parasysh kërkesat, ankesat e tyre e janë marrë shumë seriozisht. Ju bëj thirrje kryetarëve të komunave që të mos e bojkotojnë Qeverinë dhe kryeministrin Kurti. Është koha kur duhet të jemi bashkë, nuk është koha e ndasive do të bëjmë më të mirën që të përfshihen të gjithë”, tha Vitia.

Ndryshe, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 në vend.

Por në përbërjen që ka përcaktuar Qeveria, nuk janë futur edhe kryetarët e komunave të Kosovës.

Sipas Qeverisë, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë do të caktojë sekretariatin e komitetit, ndërsa ky komitet obligon komunat që të themelojnë nën komitete komunale me qëllim të parandalimit dhe luftimit të pandemisë. /Telegrafi/