LAJMI I FUNDIT:

Qeveria i propozon dy anëtarë për OSHP nga komuniteti serb

Qeveria i propozon dy anëtarë për OSHP nga komuniteti serb

Qeveria e Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Kosovës, gjashtë kandidatët për anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Në listën e siguruar nga KosovaPress, janë propozuar edhe dy persona të komunitetit serb. Ata janë Mirko Simoviq dhe Stojan Stanojkoviq. Ndërsa emra të tjerë të propozuar janë Agim Shala, Vjollca Shala-Kurtishaj , Nuhi Paçarizi dhe Blerim Dina.


Këta persona do t’i nënshtrohen procedurave të intervistimit nga komisioni të enjten në Kuvendin e Kosovës dhe se nga këta gjashtë persona do të zgjidhen tre kandidat të cilët do të dërgohen në seancë plenare për votim.

Organi më i lartë i tenderëve aktualisht nuk mund të marrë vendime të bazuara në ligj. Ka vetëm dy anëtarë, Tefik Sylejmanin dhe Ekrem Salihu. Ky organi është jofunksionalë që nga viti i kaluar.

Disa javë më herët nga ky institucion kishte dhënë dorëheqje kryetari i saj, Hysni Hoxha, i cili është i akuzuar dhe ka dy raste të korrupsionit. Po ashtu, edhe një anëtar tjetër Bajram Zogiani është shkarkuar të enjten nga deputetë e Kuvendit të Kosovës në seancën e fundit të saj.

Shkarkimi i tij ishte bërë pasi që ai ndodhet në paraburgim dhe se është i dyshuar për trafikim me femra të mitura.