LAJMI I FUNDIT:

Qeveria nuk e tërheq Ligjin për Pagat, pavarësisht grevave

Qeveria nuk e tërheq Ligjin për Pagat, pavarësisht grevave

Qeveria e Kosovës nuk e ka opsion tërheqjen e Ligjit për Pagat pavarësisht deklaratës së Sindikatës së  Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), se nëse tërhiqet ky Ligj do ta ndërpresin grevën.

SBASHK-u ka kërkuar që të tërhiqet Ligji për Pagat, në të kundërtën sipas tyre grevës nuk i shihet fundi.


“Edhe njëherë, ju bëjmë apel institucioneve qendrore, në veçanti ministrit Shyqyri Bytyqi, që të jep kontributin e tij në Qeverinë e Kosovës, për realizimin e kërkesave ose largimin e Ligjit të Pagave, përndryshe grevës nuk i shihet fundi”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut, përcjell Telegrafi.

SBASHK: Greva nuk do të ndërpritet, edhe nëse fillohet me veprime tjera sindikale
Lexo po ashtu SBASHK: Greva nuk do të ndërpritet, edhe nëse fillohet me veprime tjera sindikale

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, tha për Telegrafin se tërheqja e Ligjit për Pagat nuk është opsion.

“Ashtu siç e kam bërë publike, tërheqja e Ligjit për Pagat nuk është opsion dhe nuk e kemi dërguar ligjin në Kuvend që ta tërheqim. Unë mendoj që një ndër përfituesit më të mëdhenj në këtë Ligj janë vetë mësimdhënësit, për shkak se atyre përveç në këtë nivelizim marrin ngritje të pagave, po ashtu edhe pjesa shtesë mbi pagën bazë ka kaluar në pagën bazë”, tha Tahiri.

Ai ka thënë se vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj ka qenë i bazuar në mundësitë buxhetore.

“Ne si Qeveri do të reflektojmë, do t’i shohim të gjitha rrethanat. Vendimi i Kryeministrit i llogaritur prej Ministrisë së Financave ka qenë i bazuar në kornizat buxhetore dhe në mundësitë që ky shtet i ka për këtë kategori shumë të rëndësishme”, tha ai.

Projektligji për Paga dërgohet në Kuvend
Lexo po ashtu Projektligji për Paga dërgohet në Kuvend

Komisioni për Administratë Publike ka miratuar ndryshime në Projektligjin për Paga për sektorin publik, ku ka miratuar edhe uljen e koeficienteve nga 12 sa ishte në 10.

Kryetari i këtij komisioni, Nait Hasani, ka thënë se të gjithë agjencitë të cilat financohen nga shteti duhet t’u përcaktohet pragu i pagave.

“Në të ardhmen ne kemi kërkuar që me projektligjin e ri RTK të përcaktojë vet pagat e veta. Ne vetëm mund të përcaktojmë sa mund të jetë rroga minimale dhe maksimale. Nëse financimi kalon direkt nga qytetarët ata i përcaktojnë pagat vet, por nëse financohen nga shteti atëherë nuk mund të jetë ndryshe vetëm se 1:7”, ka thënë Hasani.

Gjashtë sindikata në grevë për përmirësim të kushteve dhe rritje të pagave
Lexo po ashtu Gjashtë sindikata në grevë për përmirësim të kushteve dhe rritje të pagave

Ndryshe në grevë janë dhe punëtorët e disa sektorëve të tjerë publikë që kërkojnë rritje të pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës. /Telegrafi/