LAJMI I FUNDIT:

Qeveria (nuk) bie para Bajrami?

Qeveria (nuk) bie para Bajrami?

I lumi, Ramazani, gati shkoi. Bajrami po vjen! Ka rrezik me na zanë të papërgatitur politikisht. Ku me e shtru sofrën e madhe? Nëse iftaret po i bëjmë nëpër rrugët kryesore të qyteteve, për Bajram nuk mjaftojnë. Në cilin shesh apo në cilën autostradë? Për këtë duhet debat nacional…!

Përndryshe, Qeveria mundet me ra para Bajrami, paralajmërojnë disa. Disa thonë që kjo mund të ndodhë, por para Bajramit të Vogël. Si kurban! Veç me ra, po thonë, do të bjerë sigurt! Do të bëjë harakiri ose do të rrëshqas në lëvozhgën e bananes, krejt njësoj.


Sidoqoftë, kjo ka të bëjë me ngecjen e përgjithshme në shoqëri dhe shtet. Krejt proceset strategjike janë ndalë. Nuk po ecë! Nëpër rrethrrotullimet e shumta e kemi humbur idenë se kah i bie rruga për Evropë. Edhe më keq, e kemi të turbullt idenë se ku i bie të jetë shtëpia jonë! Në Evropë, apo në Azi?!

Tash, për me qenë më të qartë, te ne Qeveria nuk ka vetëm kuptim nominal. Edhe presidenti mendon se është qeveri, se ka kompetenca ekzekutive. Krejt politikën e jashtme e drejton vet presidenti. Negocionte për të ardhmen e vendit, derisa për pak e pamë veten në Azi. Lëvizja e kufijve në lindje duket se kishte vetëm kuptimin e heqjes së kufijve, me Serbinë. Pastaj u dha alarmi nacional për kufijtë.

Ambienti përreth tashmë është përshtatur me rrugën evropiane të oligarkisë. Iftaret po hahen në rrugë. Xhemati falet në rrugë se xhamitë e vogla të mbetura nga ish-perandoria, nuk po na zënë. Shumë shpejt ka me u pa që as rrugët nuk na zënë dhe duhet me dalë e me i shtrua sofrat në autostradën e kombit. Apo këtë me Shkupin! Kem autostrada boll, falë Zotit. Kur nuk ke asgjë tjetër, mjafton me i pas autostradat.

E, në festën e radhës, me dashtë Zoti kurbanat kemi me i pre me buxhet qeveritar apo presidencial. Pse me u shpenzu populli. Qeveria e radhës ka me ra shahadet, inshallah, urojnë ideatorët e integrimeve evropiane. Evropa edhe ashtu nuk po na do, është arsyetimi i mbuluari euro-skeptikëve për ambientin e ri rreth nesh, pak a shumë freskues, sikur në oazat evropiane të Saharës. Kur Australia këndon në këngën e Eurovizionit, përse Sahara të mos përfshihet në Evropë?

Mesazhe se ku përkasim po na vijnë edhe nga Uashingtoni, ku ambasadorja e presidentit, si “laike” e prezanton republikën tonë “islamike”. Nuk po ecë, me një fjalë, skafi ynë drejtë Evropës ku po përpiqen me na dërgua kontrabande, të mbuluar e të akulturuar.

E, kur nuk ecë qeverisja, duhet me e shty qysh të mundemi. Kjo është praktika jonë për me dalë mekanikisht prej llumi. Kjo është strategjia jonë dalëse. Dorën në zemër, Rambo me krejt muskujt e vet po përpiqet me e shty, qeverinë! Besa edhe me e shty po e shtynë gjithqysh. Qysh po mundet. Herë përpara e herë prapa. Nuk la gjë pa provua, edhe ai.

Dihet se kur ndalet Qeveria, ajo (vetë)rrëzohet. Si biçikleta. Kjo ka të bëjë me përfitimet. Nuk sjell më, mjaftë përfitime për koalicionin, prandaj duhet rrëzuar thonë ata.

Qeveria te ne, është bërë zakon të rrëzohet vet, para se të përfundojë mandati i saj, për me pas zgjedhje të jashtëzakonshme në të cilat vetëm oligarkia shkon e përgatitur. Ajo që nuk po dihet ende është se kush do t’a rrëzojë këtë qeveri të koalicionit.

Papritmas u riaktivizua Isa! Falë Zotit bëri më mirë me shëndet, duket se i kaloi krejt sëmundja (politike) që e kishte mbajtur një kohë të gjatë në shtëpi, jashtë aktiviteteve politike. Sidoqoftë, ai po zhvillon biseda me dy krahët e “Vetëvendosjes” së dikurshme. Te ne rrëzimi sipas zakonit duket si vepër e opozitës, edhe pse zakonisht nuk është ashtu.

Edhe në të kaluarën negociatat me “Vetëvendosjen” ishin rruga më e sigurt për me mbërri deri te koalicioni i dëshiruar. Rregulli është ky: rreziku i futjes së “rebelëve” në qeveri i shqetëson pa masë ambasadat të cilat pastaj “ruajnë paqen” dhe “dialogun” me çdo kusht. Natyrisht, problemi asnjëherë nuk ka qenë rrëzimi i qeverisë, por për të bërë këtë dhe për të mbetur në pushtet sërish, të njëjtit, duhet që gjithçka të bëhet nga opozita.

Puna e opozitës është vetëm t’i ndihmojë koalicionit të krijojë qeverinë e radhës… dhe të mbetet opozitë. Opozita e vërtetë mbetet gjithnjë vetëm opozitë, mendojnë idealistët!

Ndërkohë, e pa mësuar me opozitën, LDK-ja në të gjitha anketat si duket po prinë bindshëm. Për të kuptuar se me kë do të formojë qeverinë Isai, duhet pritur me durim dhe vëmendje deklaratën e parë të tij, se me kë nuk do të e formoj “kurrë” qeverinë. Nëse sërish thotë, “kurrë me SHIK-un”, gjithçka bëhet e qartë.

Pavarësisht situatës tonë, festë do të ketë. Duhet vetëm të hidhet lëvozhga e bananes dhe Qeveria të rrëshqas në të! Dilema më e madhe nacionale nuk ka të bëjë me qeverinë, por me festën. Ku të shtrohet sofra e madhe? Në sheshin “Nëna Terezë” apo të mbyllet për qarkullim, për tri ditë rresht autostrada e kombit?