LAJMI I FUNDIT:

Qeveria formon komision për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në Prishtinë

Qeveria formon komision për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në Prishtinë

Një park, një shesh dhe një autostradë do ta mbajnë emrin e simbolit të rezistencës kombëtare Adem Demaçi.

Madje në sheshin që do të mbajë emrin e tij do të vendoset edhe shtatorja e Demaçit, i cili në moshën 82 vjeçare ka ndërruar jetë më 26 korrik (të enjten).


Për këtë Qeveria e Kosovës sot ka formuar edhe një komision që do të përkujdeset për vendosjen e shtatores së Demaçit

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se  ky propozim vjen  nga zyra e tij.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka themeluar grupin punues teknik për vlerësimin e të gjitha aseteve që janë në pronësi të ndërmarrjes shoqërore “Trepça” dhe përfshirja e të gjitha aseteve fizibile në statusin e kësaj shoqërie aksionare.

Qeveria ka themeluar gjithashtu edhe Grupin Punues Teknik për trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve për të gjitha çështjet sociale të ngritura nga Sindikata e Minatorëve të “Trepçës”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se grupi për vlerësimin e të gjitha aseteve do të përgatisë propozimin final për Qeverinë, jo më larg se tre muaj pas miratimit të këtij vendimi.

“MZhE është përkujdesur që në kuadër të kompetencave që ka të jep përgjigje edhe për vërejtjet dhe shqetësimet e ngritura nga Sindikata e Minatorëve sidomos si rezultat i mos koordinimit apo mos pajtimit në mes të bordit dhe anëtarëve të bordit që janë. Përmes dialogut të vazhdueshëm janë evidentuar çështjet konkrete si dhe është arritur pëlqimi për trajtimin e tyre nëpër grupe punuese, apo grupeve të ekspertëve të cilët duhet të japin përgjigje konkrete çështjeve thelbësore siç është edhe përgatitja e propozimit që në kuadër të ndërmarrjes ‘Trepça’ të përfshihen edhe asetet fizike. Të cilat aktualisht nuk janë të përfshira në projektstatutin e ndërmarrjes ‘Trepça’. Me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve më të mira dhe të pranueshme edhe për faktin se kërkohet një koordinim dhe bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Ministrive kompetente, si dhe strukturave mbikëqyrëse menaxhuese dhe Sindikatës së Trepçës vlerësojmë se duhet të formohet grupi punues teknik për vlerësimin e aseteve të Trepçës”, tha Lluka.

Ndërsa, sa i përket grupit Punues Teknik për trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve për të gjitha çështjet sociale të ngritura nga Sindikata e Minatorëve të “Trepçës”, ministri Lluka tha se ky grup do të ketë qëllim gjetjen e zgjidhjeve më të mira dhe të pranueshme për të gjithë.

“Ky grup punues do të ketë për qëllim gjetjen e zgjidhjeve më të mira dhe të pranueshme për të gjitha çështjet sociale të ngritura nga Sindikata e Minatorëve të Trepçës. Grupi punues teknik për trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve të çështjeve sociale ka përbërje sipas dokumentacionit përcjellës që është bashkangjitur, afati për dorëzimin e raportit është tre muaj nga dita e marrjes së këtij vendimi”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, raporton KP.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në programin ‘Evropa kreative” për mbështetje të sektorëve kulturorë dhe kreativë.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, tha se pjesëmarrja në këtë program do t’u mundësojë artistëve dhe profesionistëve që t’i bëjnë veprat e tyre krijuese të konkurrueshme me vendet e BE-së.

“Pjesëmarrja në këtë program do të mundësojë artistëve dhe profesionistëve të kulturës, si dhe organizatave krijuese të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese të konkurrueshme me vendet e Bashkimit Evropian. Aprovimi i projektligjit për pjesëmarrje në kuadër të programit ‘Evropa kreative’ njerëzit do të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të sektorit kulturor dhe krijues, përmes promovimit të platformave kulturore dhe përmirësimit të akcesit ndaj krijimeve evropiane kulturore dhe fuqizimit të audiencës, si dhe forcimit të inovacionit dhe krijimtarisë në fushën e kulturës. Impakt do të ketë edhe në rritjen e inovacionet, mobilitetit ndërshtetëror dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e kulturës”, tha ai.

Tek kjo pikë, reagoi kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se përkundër që kjo është e mirë që po ndodh ai tha se është i shqetësuar për votat në Parlament.

“Në fakt kjo është mirë që po ndodh, por jemi të shqetësuar pak në votat në parlament. Ju e patë nuk ka vend në botë që refuzon marrjen e pareve fal, e paret që vijnë prej IPA-së janë fal. Pra, është e habitshme qasja e LDK-së dhe kujtdo tjetër që nuk kanë votuar me marrë pare, pra pare fal dhënë Kosovës IPA. Është porosi shumë e gabueshme, nuk e di si ka ndodhur kjo dhe shpresoj se do të korrigjohet në afatin sa më të shpejt të mundshëm. Është e pa shpjegueshme”, tha kryeministri.

Edhe propozimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka marr miratimin e kabinetit qeveritar për nismën e lidhjes së Marrëveshjes për sigurime sociale në mes të Mbretërisë së Holandës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se me arritjen e kësaj marrëveshje shtetasit e të dyja vendeve do të kenë mundësi të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, familjare dhe invalidore të punës.

“Shtetasit e të dyja vendeve do t’u mundësohet të realizojnë të drejtat e tyre sic janë pensionet e moshës, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës. Pra, qytetarët kosovar që kanë punuar në Holandë do t’u mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në shtetin e tyre, në shtetin e  Kosovës. por, gjithashtu do t’u mundësohet e drejta për t’i bashkuar periudhat e kontributeve dhe stazhit të punës në mënyrë që të realizohen pensionet në rastet ku nuk është e mundur të plotësojnë kushtet ligjore për pensionim, qoftë në Kosovë apo në Holandë”, tha Reçica.

Në mbledhjen e sotme është miratuar Projektligji për të drejtën ndërkombëtare private, projektligj që rregullon përcaktimin e të drejtës sa i përket marrëdhënieve në të drejtën private të cilat kanë elemente ndërkombëtare.

Edhe Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për organizimin e brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë, ka marrë aprovimin në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Rregullorja përcakton organizimin e brendshëm  të Ministrisë së Drejtësisë dhe organeve tjera të administratës shtetërore nën mbikëqyrje të Ministrisë së Drejtësisë.

Qeveria ka miratuar propozimin e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike për negocimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e diasporës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Është aprovuar edhe vendimi  për  rritjen  e numrit të stafit me katër inspektorë, në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Obiliqit, me qëllimit të administrimit dhe kontrollimit  të investimeve(ndërtimeve) në sektorin e ndërtimit dhe mjedisit në Komunën e Obiliqit, përkatësisht në Zonën e Interesit të Veçantë Ekonomik.

Me propozimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë, është aprovuar kërkesa e komunës së Deçanit për zhvarrimin dhe rivarrimin e dëshmorëve të fshatit Isniq, proces të cilin do ta kryejë Ministria e Forcës së Sigurisë./Telegrafi/