LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e Kosovës: Muri u rrënua, aty do të ketë një shesh si të gjitha sheshet

Qeveria e Kosovës: Muri u rrënua, aty do të ketë një shesh si të gjitha sheshet

Pas rrënimit të murit ilegal sot në Mitrovicë vjen edhe reagimi i parë nga institucionet e Kosovës.

Ka qenë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ai që së bashku me ministrin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, kanë mbajtur një konferencë për media, përcjell Telegrafi.


Pasi ka bërë një përmbledhje të ngjarjeve që sollën në rrënimin e Murit, kryeministri Mustafa ka thënë se që nga koha kur ka filluar ndërtimi i këtij muri, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i ka ndërmarr të gjitha masat që ky mur të rrënohet.

Pas kësaj, sipas tij, pas negociatave, është arritur një marrëveshje për një gjë të tillë.

E ministri Shala, duke komentuar deklaratat, sidomos të medieve serbe pas rrënimit të murit, gjegjësisht se aty do të vendoset një konstruksion tjetër ka thënë se aty nuk do të ketë më kurrfarë muri.

“Nuk do të ketë kurrfarë pengesash, pjesë e projektit do të jenë ato gjëra që mund të jenë pjesë e çdo sheshi”, ka thënë.

“Ai është plan në kuadër të kritereve dhe standardeve si në gjitha qytetet e Kosovës, do të jetë një shesh si të gjitha sheshet”.

“Do të ketë objekte përcjellëse që janë në çdo shesh. Çdo veprim që do të bëhet aty do të jetë në bazë të një projekti, dhe në bazë të lejes që i ka kaluar tanimë të gjitha instancat”, ka thënë ministri Shala. /Telegrafi/