LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e Kosovës dyfishon subvencionet për bujqit

Qeveria e Kosovës dyfishon subvencionet për bujqit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit të saj ka miratuar vendimin për dyfishimin e subvencioneve për bujqit.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa në prezantimin e këtij propozimi ka the se, ky sektor gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 është ballafaquar me shumë sfida, përcjell Telegrafi.


Ai shtoi se në kuadër të Planit për Rimëkëmbjen Ekonomike do të bëhet dyfishimi i subvencioneve për fermerët.

“Pandemia COVID-19 ka paraqitur mjaftë sfida edhe për sektorin e bujqësisë. Këto sfida filluar me të vjelat dhe të mbjellat, ku në mungesë të tregjeve të gjelbëra ka vazhduar me mungesë të shitjes së produkteve bujqësore gjatë tërë vitit. Sipas Planit për Rimëkëmbjen Ekonomike kemi paraparë dyfishimin e subvencioneve për vitin 2020, krahasuar me normat e viti 2019, duke rritur substancialisht fondet për të investuar edhe më shumë në bujqësi. Sivjet do të paguajmë dyfish për kulturat e parapara në Programin e Pagesave Direkte për vitin 2020”, tha Mustafa.

Me këtë dyfishim, në industrinë e qumështit, cilësia do të paguhet me: 12 cent për litër të klasës ekstra, 8 cent për klasën e parë dhe 4 cent për klasën e dytë.

Me nga 140 euro do të paguhet për krerë të lopëve dhe buallicave qumështore, 30 euro për dele dhe dhi. Dyfish do paguhet edhe subvencioni për pulat vojse, 1 euro për thëllëza, 40 euro për dosa në riprodhim, 100 euro për therjet e gjedhit në thertore të licencuara dhe 40 cent për kilogram të peshkut. Bletaria dhe mjedra sivjet do të subvencionohen me 30 euro çdo koshere dhe me 16 cent çdo kilogram i mjedrës. /Telegrafi/