LAJMI I FUNDIT:

Qeveria me 12 ministri, sfidë e madhe e pushtetit të ardhshëm

Qeveria me 12 ministri, sfidë e madhe e pushtetit të ardhshëm

Në takimin e parë që kishin pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kandidatët për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, dhanë detajet e qeverisjes së tyre të përbashkët që pritet të jetë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ.

Në fjalimin e tyre që të dy përmendën se në këtë takim është diskutuar për reduktimin e ministrive aktuale, e që sipas tyre do të rritet puna dhe do të jetë më efikase.

“Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimet tona kryesisht sa i përket një qeverie e cila do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive por, do të rritet sa i përket punës së mirë në interes të qytetarëve. Është me rëndësi të presim numërimin e të gjitha votave para se ta arrijmë marrëveshjen finale por ka vullnet të mirë nga të dyja palët që marrëveshja të arrihet”, pati thënë Vjosa Osmani pas këtij takimi shkruan Telegrafi.

Kurti dhe Osmani japin detajet e bashkëqeverisjes
Lexo po ashtu Kurti dhe Osmani japin detajet e bashkëqeverisjes

Ndërsa lideri i VV-së, Albin Kurti para zgjedhjeve pati premtuar se synojnë të kenë një qeveri shumë të vogël me 12 ministri, 2 zv.kryeministra dhe nga 2 zv.ministra për ministri.

“Do të kemi shumë më pak ministri dhe zv.ministra. Do të kemi më shumë angazhim dhe punë. Ekipet tona do të takohen për të harmonizuar programet tona dhe të dakordohen për programet tona, besoj që do të na shkojë mbarë e mirë, sepse jemi pajtuar të qeverisim bashkë”, pati thënë Kurti pas takimit me Vjosa Osmanin.

Mirëpo përfaqësuesit e shoqërisë civile një gjë të tillë e shohin si sfidë tejet të madhe për qeverisjen e ardhshme.

Arton Demhasaj nga Çohu në një deklaratë dhënë Telegrafin ka thënë se nuk është problem të funksionojë Qeveria me 12 ministri, pasi që sipas tij është e njëjta metodologji dhe se mund të bashkohen disa prej resorëve aktual që janë ku mund të funksionojë në aspektin e ministrave dhe hierarkisë qeveritare.

“Problemi mund të jetë stafi aktual që kanë ministritë. Shembull në rast se bashkohen Ministria e Diasporës, Ministria e Integrimeve dhe Ministria e Punëve të Jashtme, atëherë nuk është problem të udhëheq një ministër, krijohen departamente, si i integrimeve, i diasporës e kështu me radhë. Por, problemi do të mund të ishte tek stafi ku Ministria e Integrimeve ka staf të madh, Ministria e Diasporës po ashtu ka staf të madh , e edhe e Punëve të Jashtme, dhe si do të mund t’i riorganizojnë në një ministri gjithë këtë staf. Kjo do të jetë sfidë mjaft e madhe, dhe nëse ndodhë bashkimi i resorëve si po pretendohet që nga këto ministri sa janë të vije deri në 12 ministri”, ka thënë ai.

Demhasaj ka theksuar se sado që është numër i madh i stafit në këto ministri, ata nuk mund t’i largojnë.

“Nuk është zgjidhje që punëtorët të largohen nga puna, dhe është e pamundur të bëhet kjo sepse ka staf që mund ta padisin qeverinë dhe ta fitojnë rastin. Tani ata kanë rënë pre e momentit kur është vendosur një reformë e kabinetit qeveritar dhe mandej ata bien viktimat e kësaj reforme. Mendoj që çka duhet të ndodhë është të bashkohen vetëm ministritë si emra dhe të jetë një ministër përgjegjës, mandej reforma e bashkimit të ndodhë më gjatë jo menjëherë, sepse është problem të riorganizohen të gjithë ata njerëz. Mund të ndodhë që njerëzve të caktuar t’iu ndërrohet pozita të punojnë diçka tjetër. Pra do të jetë sfidë pjesa e stafit dhe e riorganizimit, ndërsa pjesa e hierarkisë jo”, ka theksuar ai duke shtuar se kjo punë duhet të rregullohet me ligj.

“Vendimi i parë që këta e kanë marrë shprehimisht, mund të fillojë me 12 ministri, por mendoj që më e mira është projektligji për Qeverinë të fillojë sa më shpejt, ku ai projektligj t’i parasheh në mënyrë të detajuar sa ministri mund t’i ketë Qeveria e Kosovës, sa zëvendës ministra, dhe zv.kryeministra. Kjo pra të vendoset njëherë e mirë që të mos ketë mundësi më askush në ndërrim të pushteteve ta rrisë kabinetin qeveritar apo edhe ta zvogëlojë. Sepse nëse shkohet kështu prapë do të kemi probleme edhe në zgjerim apo zvogëlim. Nëse rregullohet me ligj kjo punë më nuk ka mundësi të ndryshohet”, ka deklaruar ai.

Ndërsa Valmir Ismaili nga Demokracia Plus në një deklaratë për Telegrafin theksoi se zvogëlimi i qeverisë është i mundshëm edhe pse sipas tij do të ketë disa implikime.

“Siç duket edhe VV-ja edhe LDK-ja janë të gatshme që të përmbushin njërin prej zotimeve të tyre kryesore e që është zvogëlimi i numrit të qeverive. Përkundër asaj që do të ketë disa implikime në proces të rialokimit të stafit, praktikisht zvogëlimi i qeverisë është i mundshëm. E para çfarë duhet të bëhet është që ministritë e krijuara nga qeveria e fundit vetëm sa për të përmbushur apetitet e tyre, duhet të shuhen automatikisht, si psh. Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Ministria e Zhvillimit Rajonal, etj. Janë edhe disa ministri që ekzistojnë për një kohë të gjatë por që nuk ka arsye që të ekzistojnë më, psh. Minsitria për Kthim dhe Komunitete. Pastaj, janë disa ministri që shumë lehtë mund të akomodohen në departamente të ministrive tjera, si psh. Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka thënë ai duke shtuar se janë disa ministri që mund të fuzionohen por duhet pak më tepër punë që të shihet se cila ministri duhet në cilën të shkoj.

Sipas tij është e rëndësishme që njerëzit që janë në qeveri ta kenë të qartë pse janë aty.

“Krejt në fund, nuk është e domosdoshme që qeveria të zvogëlohet në maksimum, e rëndësishme është që njerëzit që janë në qeveri duhet të kenë të qartë pse janë aty dhe të tregojnë rezultate”, ka theksuar ai.

Kujtojmë se Qeveria aktuale ka 21 ministri me 70 zëvendës ministra./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat

Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat "Zajednicën", për Këshillin e Evropës...

Lajme
Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Siguri
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori