LAJMI I FUNDIT:

Qendrat e masazhit në Prishtinë: Një punëtore rrëfen për marrëdhëniet intime me klientët

Qendrat e masazhit në Prishtinë: Një punëtore rrëfen për marrëdhëniet intime me klientët

Punëtoret në qendrat e masazheve në Kosovë, përveç punës së tyre për të bërë masazh, po përfundojnë duke kryer punë shtesë në këto vende. Këtë e ka rrëfyer Besa, (nuk është emri i saj i vërtetë për shkak të ruajtjes së privatësisë) për emisionin “UDHËVE”, në RTK se si e kishte filluar punën në njërën nga qendrat e masazhit në Prishtinë.

Aty kishte punuar më pak se 3 muaj, por ajo që kishte parë aty dhe kishte përjetuar ishte e mjaftueshme që ajo mos të dojë kurrë të kthehej në atë jetë.

“Nuk ka qenë punë që vet e kom dëshiruar me e bo, por prej fjalëve të shoqeve që kanë punuar me kanë thënë se 500 euro është pagesa mujore që bëhet, plus me përqindje ditore se sa punon”, rrëfen ajo.

Ajo thotë se i kishin shpjeguar se si “…nuk ke me punuar shumë, me u marrë vetëm me klientë”. Besa as shkollën nuk e kishte të kryer, njësoj si edhe kolegët e saj.

“Kanë punuar veç pse kanë pasur nevojë për pare… njëra ka qenë 17 vjeçe edhe njëra që ka punuar dy vjet aty ka qenë 18 vjeçe. Tjetra i ka pas 16 vjet, edhe e kam pas edhe një shoqe timen aty, ajo ka qenë 14 vjeçe”.

Ajo tregon se pronari ju kishte vënë kushte të punës, që ato të formonin një përqindje ditore të parave, të cilat do i merrnin vetë vajzat.

“Aty ka pas disa rregulla që është dashtë me i përfillë edhe vet na masazherkat, por çka se kemi pas të lejuar, ka qenë me pas marrëdhënie me klientët, por vetëm gjëra intime për me mujt me e nxjerrë edhe një pagesë ditore… varet sa ju ka kërkuar masazherja për me e kry atë punë… 25 euro”, tregon Besa.

Një orë për të bërë masazh kishte kushtuar 30 euro. Ndërsa numri i klientëve që e frekuentonin një qendër të tillë ishte i madh.

“Brenda 2 ore kanë qenë  10-15 klientë, dhe me bo gjera intime ato me klientë të vetë. Secila e ka pasur klientin e vet”.

Sipas Besës, një marrëveshje e tillë është bërë në mes masazhereve dhe klientëve, ndërsa ato e kishin obligative që veshja e tyre të ishte sa më provokuese. “Aty thoshin si bakshish i tyre, ajo ka qenë përqindja ditore që kanë marrë”. Besa thotë se marrëdhëniet e tilla, ato vajza i kryenin me vetë-dëshirë.

“Çdo femër e re sot lakmon pas parasë, nganë mas parës, dhe kur e kanë kuptuar se asaj një klient po ja ofron një shumë  të tillë… asaj ku me ditë se çka i doket.  30 euro, 40-50 deri në 120 euro i kanë marrë brenda ditës prej klientëve”.

Sipas saj, shumica prej atyre vajzave, pas orarit të punës kanë vazhduar me klientë të tyre edhe në hotele.

Ajo thotë se shefi i tyre i kishte paralajmëruar që të kenë kujdes me klientë, se në mesin e tyre mund të ketë edhe policë.

“Nëse dikush i ka thënë se është hera e tretë ose e katërt që po  vjen atëherë  u kanë klient i rregullt  nuk ka qenë diçka i dyshuar, por nëse dikush ka qenë veç hera e parë që ka qenë në atë masazh për  me bo masazh, atëherë është dyshuar se është ndonjë polic civil”.

Por, atë çka klientët nuk e dinin që i priste në këto qendra masazhi, ishte inçizimi nga kamerate fshehura që ishin aty.

Viktimë e këtyre qendrave, mund të jenë edhe vetë klientët, të cilët, sipas rrëfimit të viktimës, monitorohen nga kamerat. Ata mund të jenë viktimë e shantazheve dhe kërcënimeve të ndryshme, si pasojë e atyre incizimeve që posedojnë disa pronarë.

Në disa nga masazhet klientët incizohen nga kamerat qoftë duke hyrë në to, e në disa prej tyre edhe duke kryer atë për të cilën kanë shkuar aty. Ajo nuk e din nëse ato pamje janë fshirë ose jo.

“Ka pas edhe kamera nëpër dhoma, (a e kanë ditë klientët?), Jo sepse kanë qenë kamera të mshefta, nuk kanë qenë të deftume . Na masazheret e kemi ditë që ka pas, mirëpo nuk kanë qenë kamera që dëftohen që shihen por kanë qenë kamera krejt të vogla që nuk janë pa, ata(klientët) nuk e kanë ditë, mirëpo përmes atyre kamerave të vogla të recepcioni janë pa dëshmitë se çka po bëjnë klientët edhe vajzat mrena. Edhe tek dhomat edhe tek recepcioni ka pas kamera”.

MST: Mungesa ligjore e favorshme për këto biznese

Ky ishte vetëm rrëfimi i njërës nga vajzat e cila ka punuar në njërën nga këto qendra.

Joshja për para, mos stabiliteti familjarë dhe financiarë, një vend i cili shumë pak merret me çështjet e edukimit social,  të gjitha këto janë pasojë e një gjendje të tillë.

Secila nga vajzat e mitura është viktimë e mashtrimit.

Sipas Policisë së Kosovës, rritja e këtyre qendrave të masazheve, ka ndodhur në vitet e fundit. Sipas Riza Muratit, shef në sektorin e  Luftimit të Trafikimit me Njerëz në kuadër të Policisë së Kosovës, janë identifikuar rreth 80 sallone të masazhës në tërë Kosovën.

Sipas tij nga shtatëdhjeta lokale masazhi që janë kontrolluar, në dyzet prej tyre janë gjetur parregullsi.

“Fatkeqësisht është gjetur që është kryer edhe vepra penale qoftë mundësim I trafikimit me njerëz, ku e kemi një rast të tillë në këtë vit, por edhe vepra të tjera qoftë mundësim I prostitucionit.  Moshat janë  shumica mosha të reja,  18 deri në 21 vjeçare është ajo mesatarja, por kemi pasur edhe rastin kur në mesin e viktimave kanë qenë edhe dy viktima të mitura  14 dhe 16 vjeçare”, tha Riza Murati për emisionin “UDHËVE”.

Për Drejtorin e Shërbimeve Sociale në Komunë të Prishtinës, Vebi Mujku, forma të cilën po e përdorin pronarët e këtyre qendrave është joshja me para.

“Ne në qoftë se nuk punojmë në ngritjen e vetëdijes dhe të qytetarëve nuk kemi me arrit që të bëjmë një zgjidhje permanente për këto raste… një shumë që e përmendet edhe ju 500 euro në muaj ose 100 euro në ditë është një shumë që nuk e realizon as një shërbyes civil dhe as një punëtor në Kosovë, prandaj këta e kanë gjetur rrugën më të lehtë se sit ë vinë tek paraja e madhe”, thotë Mujku.

Për ta hapur një biznes të tillë, pronarët e këtyre masazhave  nuk e kanë aspak problem. Ata marrin licencën në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, pa pasur as një kriter të vendosur.

Këto masazhe për veprimtarinë që ushtrojnë, nuk i monitoron askush në aspektin profesional. Ata janë lënë të lirë nga shteti që të veprojnë pa asnjë pengesë.

“Kriteret i përcakton institucioni i cili edhe e jep lejen, unë konsideroj që duhet të jenë disa kritere si bizneset tjera që kanë disa kritere për me I hapë këto sallone të masazhit duke e pasur edhe parasysh që tani çka po gjendet aty mendoj se është e mjaftueshme vetëm një rast”, thotë Riza Murati.

Kurse sipas zëvendës drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Hamdi Hoxha, specifikimi I pikave të një biznesi është më I lehtë edhe për institucionet.

“Ka raste që faktikisht në dokumentet e regjistrimit të biznesit figuron si ndërmarrje tregtare por realisht ajo merret edhe me shërbime të tjera të cilat nuk i ka të specifikuara në dokumentet e regjistrimit të biznesit, kemi  hasë në disa nga to të cilat në realitet nuk përkon veprimtaria e tyre me dokumentet e regjistrimit të biznesit”, thotë Hoxha.

Ndërsa inspektorati i punës, as nuk është në dijeni se kush duhet ti mbikëqyrë këto biznese.

“Unë këtë nuk e di se cili institucion është kompetentë për dhënien e licencës  së punës, … unë nuk e di, unë nuk muj me e përkufizuar dhe unë personalisht nuk kam dal në teren dhe dhe me e pa se çka bonjë ata …unë nuk e di përkufizimin e punës së tyre, sepse nuk është fushë e inspektoratit të punës”, tha Basri Ibrahimi, Kryeinspektor Inspektoratit të Punës.

Për inspektoratin e Punës, problematike nuk është as mosha e punëtorëve, ata madje pranojnë se asnjëherë nuk kanë marrë iniciativë për mbylljen e këtyre qendrave, ose marrjen e lejeve të punës, deri në thirrjen që Policia e Kosovë ka bërë për mbylljen e tyre.

Ndërsa një biznes të  tillë nuk e mbikëqyrë as Inspektorati Shëndetësorë. Punëtorët në këto biznese, janë lënë të lira të punojnë pa as një përgatitje profesionale.

Gjithashtu, mos vërja e as një kriteri të  punës ose shkollim adekuat, ua ka mundësuar edhe pronarëve të këtyre masazhave që të keqpërdorin këtë biznes.

“Qendrat e masazhave nuk janë të parapara për mbikëqyrje me këto udhëzime administrative, qe do të thotë nuk është i paraparë as profili I punonjësve  as shkollimi I të punësuarve aty, as pajiset …nuk ka udhëzim administrativë që e rregullon këtë gjë, megjithatë është përshtypja se ka nevojë të rregullohet kjo gjë sepse duhet të dihet se çfarë procedurash kryhen aty edhe çfarë njerëz punojnë aty deh çfarë trajnimesh duhet përfunduar, për të kryer këtë shërbim”, tha Ardita Barkaku, kryeinspektor në Inspektoratin Shëndetësorë.

Sipas inspektoratit të punës, këto biznese duhet të inspektohen. Ibrahimi thotë se këto janë biznese të cilat operojnë në buzë të  një paligjshmërie të biznesit të tyre, ku edhe Policia e Kosovës i ka identifikuar këto si biznese të cilat duhet me e pas një kontroll më të shtuar.

“Ne nuk jemi profesional ose kompetent me e vlerësu llojin e këtij biznesi, sepse në bazë të ligjit të punës ne e vlerësojmë se lejohet punë të punohet prej moshës 15 vjeçare, të lidhet kontratë  me të dhe me personat prej moshës 15 vjeçare, aspektet e tjera të regjistrimit  dhe përcaktimit ose përkufizimit  të fushës së veprimit unë nuk e di se kush është kompetentë, ndoshta Ministria e Shëndetësisë , unë nuk e di se kush përcakton kriteret e regjistrimit të një biznesi të tillë, dhe çfarë kushtesh duhet të përgatiten, unë nuk e di se kush”, tha Ibrahimi.

Për Vehbi Mujkun, shqetësuese është mosha e vajzave që punojnë në disa qendra masazhi. Ai thotë se Ligji I Punës e lejon një punë të lehtë në rrethin familjarë në atë moshë, por jo edhe në qendra të masazhave.

“Secili i ikë përgjegjësisë së vet, ne e dimi se edhe me ligjin e punës lejohet një punë e lehtë prej moshës 15 vjeçare nën përkujdesjen e familjes, ose organit të kujdestarisë , mirëpo kjo nuk mund të konsiderohet një punë e lehtë pasi që kemi të bëjmë me një punë të masazhës”.

Emisioni Udhëve ka provuar që të intervistojë edhe drejtorin e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, në lidhje me kriteret për regjistrimin  e këtyre bizneseve, por ata nuk kanë pranuar që të flasin.

Sipas profesionistëve të fushës së masazheve ose të njohur si fizioterapi, Qeveria e vendit duhet të merret me këtë çështje.

“Përderisa nuk ka kritere si veprimtari në Ministrinë e Shëndetësisë ato nuk kishin guxuar me ju leju fare të punojnë, sepse dikush duhet të merret me to, dikush duhet ti menaxhoj ato, dikush duhet ti mbikëqyrë… Shoqëria jonë në përgjithësi, shteti jonë, ministritë tona duhet ti mbikëqyrin dhe të mos lejojnë gjëra të tilla’, tha Ahmet Blakaj, fiziater.

Edhe pse në fillim të këtij viti u mbyllen disa nga qendrat e masazhave në vend, ende shumë prej tyre e ushtrojnë këtë veprimtari duke qenë prezent në rrugët më të frekuentuara të qyteteve të Kosovës. Si dhe, duke shfrytëzuar hapësirën pa përkujdesje dhe vënë të kritereve të punës nga ana Institucionale.

Në njoftimet e tyre në rrjetet sociale, disa prej tyre bëjnë thirrje për klientë, duke prezantuar në forma provokuese edhe vajzat të cilat do kryejnë shërbimin e masazhave.