LAJMI I FUNDIT:

Qasje e përbashkët rajonale për digjitalizim

Qasje e përbashkët rajonale për digjitalizim

Me qëllim të uljes së tarifave të roamingut të telefonisë mobile në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj ka qëndruar sot në Shkup.

Beqaj, në takimin me Ministrin për Shoqëri të Inofmacionit dhe Administratë, Damjan Mancevski, ka diskutuar rreth tarifave të roamingut, por edhe për çështje të tjera që lidhen me Agjendën Digjitale të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

“Ky takim vjen pas takimit me Komisioneren Gabriel, ku u zotuam për një qasje të përbashkët rajonale mes Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për digjitalizim”, deklaroi Beqaj.
Ndër të tjera në këtë takim dypalësh u bisedua për Qasjen Rajonale, qytetet e mençura, të dhënat e hapura, sigurinë kibernetike, fuqizimin e grave si dhe për konferencat e samitet që do të organizohen në nivel rajonal.

“Kujtojmë se, në muajin Prill të këtij viti, do të mbahet Samiti Digjital i radhës, ku pritet ta përmbushim një nga detyrat që dalin nga Agjenda Digjitale e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, e mbështetur nga Komisionerja Mariya Gabriel, nënshkrimi i marrëveshjes për uljen e tarifave të roamingut”, ka shtuar ministri Besim Beqaj.

Ai gjithashtu uroi Ministrin Mancevski për arritjen e marrëveshjes për emrin me Greqinë, duke theksuar se kjo i ka hapë rrugë anëtarësimit të Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO./Telegrafi/