Pa u thellua në histori, media zakonisht sot quhet "pushtet i katërt" në një shoqeëi demokratike, përballë tre pushteteve të sistemit të sotëm shoqëroro-politik: Legjislativit, Ekzekutivit dhe Gjyqësorit.
Ky pushtet i mediave ekziston kryesisht për dy arsye:

- të informojë publikun;


- të krijojë një tribunë për publikun, që të thotë fjalën e tij.

Përmes këtyre dy komponenteve, në demokraci mediat janë korrektuesit më të mëdhenj të pushtetit. Duke qenë përherë në një lloj rivaliteti të natyrshëm me pushtetin, ato bëjnë identifikimin dhe luftimin e dukurive negative etj. Pra "në shoqëritë demokratike, duhet të jetë kështu, mediat dhe Qeveria janë në mosmarrëveshje të vazhdueshme për shumë çështje. Qeveria anon kah mbrojta, mbyllja; mediat anojnë kundër mbylljes, përkatësisht synojnë hapjen, transparencën”. (I.Berisha:191)

Në shoqëritë demokratike, si SHBA dhe vende tjera, mediat e kanë ushtruar dhe ushtrojnë ketë "pushtet". Shpesh nga raportimet e tyre për të bëmat e pushtetarëve ka ngjarë që të shtyjnë në dorëheqje presidentësh e lëre më çështje më të imëta që ndodhin çdo ditë. Të gjithë e dimë rastin më tipik, ku zbulimi i aferës së ashtuquajtur "Watergate" i publikuar në Washington Post detyroi presidentin Nixon të japë dorëheqje në vitin 1974.

Pra, me sa theksuam deri këtu, media kryesisht kujdeset për demokracinë në atë shoqëri të atij vendi ku operon. Nëse ua hedhim një sy mediave në Kosovë, na lind pyetja: a po e luajnë ketë rol mediat tona?!
Për t'u përgjigj po i theksojmë problemet me të cilat ballafaqohet sot realisht Kosova dhe do t'i krahasojmë me hapësirën që u jepet këtyre dhe çështjeve tjera.

Cilat janë problemet e mëdha që ballafaqohet Kosova?

Sipas raporteve të progresit, posaçërisht raportit të fundit, janë kryesisht katër probleme më të theksuara që ballafaqohet Kosova, të cilat stopojnë dhe rrezikojnë seriozisht shtetndërtimin dhe funksionimin e shtetit, e ato janë:

1. Krimi i organizuar;

2. Korrupsioni;

3. Çështja e veriut;

4. Përqindja e madhe e varfërisë ekstreme, që rrezikon të shpërthejnë trazira sociale etj. Kurse Freedom House e cilëson Kosovën si vend pjesërisht të lirë, me gjyqësor të politizuar, etj.

Çka po trajtojnë mediat tona?

Nëse ua hedhim një sy vetëm muajt e fundit, pothuajse 30 portale kryesore të cilat jam munduar me i përcjell, po ta përkthejmë në përqindje mund të themi se ato trajtojnë kryesisht këto çështje:

1. Takime dhe deklarata të politikanëve - 30%

2. Sport dhe showbiz - 25%

3. Fe, histori, ISIS, ekstremizma etj. - 35%

4. Korrupsion, krim të organizuar, papunësi etj. - 10%

Nga kjo mund të konstatojmë se mediat në Kosovë janë larg ta luajnë rolin e "pushtetit të katërt" pasi që në vend që të trajtojnë çështjet si krimi i organizuar dhe korrupsioni që janë të zhytur pushtetarët, në vend që të trajtojnë dhe investigojnë mënyrat e punësimit, si familjarizmi, përkatësia partiake dhe shitblerjet e vendeve të punës në institucione e ndërmarrje publike ku janë të zhytur mjaft zyrtar etj. ato trajtojnë çështje dytësore të cilat ose janë të shkuara, ose të gatuara për shpërqendrim vëmendje, ose janë çështje globale. Ato ndoshta po i marrin nga CNN, BBC, AL-Jazeera, por gazetat tona duhet ta kuptojnë se ato lajme nuk i hyjnë në punë kujt këtu pasi nuk janë portale me shikueshmëri globale por lokale dhe kombetëre.

Pse e bëjnë ketë?

Këtu në mënyrë hipotetike mund t'i japim disa arsye pse. Ato e bëjnë ketë sepse:

- Ca media janë të kapura apo blera nga pushteti dhe i shërbejnë atij për të mbuluar të bëmat e tij dhe për të shpërqendruar vëmendje.

- Ca janë media janë qartësisht në shërbim të agjendave të huaja, shembull: prishja morale me artikuj "roze"(lexo: pornografik) ose edhe irritimi i popullsisë me religjionin e shumicës me artikuj të "zinj" rreth Lindjes duke e asociu me dhunën etj.

- Ca tjera janë thjeshtë komercialiste të egra që nuk respektojnë asnjë kriter etik të gazetarisë, që për të përfituar nuk kursejnë çoftë edhe fatkeqësitë e individëve, etj.

Përveç këtyre, natyrisht ekzistojnë disa media që mundohen ta luajnë rolin e tyre, megjithëse janë pak.