LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët e KEDS-it u frikësohen largimeve nga puna (Video)

Punëtorët e KEDS-it u frikësohen largimeve nga puna (Video)

Që nga privatizimi i KEDS-it e deri më tani, 300 punëtorë janë larguar nga puna, përderisa vetëm ditët e fundit janë larguar rreth 100. Ndërkohë ka pasur dhe vazhdon të ketë punësime të reja nga kjo kompani, është shprehur në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel, nënkryetari i Sindikatës së pavarur “ElektroKosova”, Fehmi Pajaziti.

“Ne jemi për punësime të reja, normalisht, por pa e dëmtuar punëtorin e vjetër e pa i shkelur marrëveshjet. Pra, këto janë shkelje ligjore që janë bërë, po bëhen dhe pretendohet të vazhdohet kësisoj”, ka thënë ai.


Pajaziti mendon se me privatizimin e aseteve të KEDS-it, gjegjësisht kompanisë publike që ka qenë, dhe në lënien në dorë të menaxhmentit të një kompanie private e cila punon për publikun, është dashtë që shteti ynë të mendojë më mirë, të paktën të ketë një organ ose një bord mbikëqyrës të kësaj kompanie.

“Qeveria jonë me dije ose jo, është duke krijuar raste të reja sociale dhe nëse vazhdohet kështu, ne do të kemi protesta e deri të greva gjenerale”, ka shtuar Pajaziti, duke shtuar se vendimi për largim nga puna është antiligjor, prandaj u ka bërë thirrje institucioneve që ta shfuqizojnë atë vendim dhe t’i kthejnë punëtorët në detyrë.

“Punëtorët e KEDS-it janë të shqetësuar dhe i frikësohen largimeve të reja nga puna”, ka përfunduar Pajaziti.