Megjithëse për realizimin e kërkesave, ata i kishin dhënë kohë menaxhmentit të KEDS deri me 10 prill, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Pasi që nuk morën përgjigje pozitive, ata tashmë kanë vendosur që të protestojnë.

Fehmi Pajaziti, kryetar i Federatës së Pavarur e Sindikatave të KEDS-it, thotë për KosovaPress, se protestat janë të pashmangshme, pasi që kërkesat e tyre nuk u realizuan dhe se ata janë të detyruar që të protestojnë.


E protestat pritet të fillojnë së shpejti, brenda kësaj jave. “Ditët e ardhshme do të protestojmë, brenda kësaj jave. Sindikata e Pavarur e Elektrokosovës, nuk mundi t’i arrijë qëllimet në biseda me menaxhmentin e KEDS-it. Jemi të detyruar të protestojmë për ngritje të pagave, pa vullnetin tonë”, pohoi ai.

Ndërsa të martën, përmes një konference për shtyp, pritet që t’i shpalosin detajet, se kur dhe ku do të protestohet, me qëllim të realizimit të kërkesave të tyre për rritje të pagave.

Ndryshe, kërkesat e punëtorëve të KEDS-it për ngitje të pagave, kanë ardhur pas vendimeve të fundit për ngritje të pagave në sektorin publik prej 25 për qind, e po ashtu dhe ngritja e pagave për punëtorët e KEK-ut për 120 euro.

Punëtorët e KEDS-it kanë kërkuar rritje të pagave për kategori të ndryshme, duke filluar nga 50 euro deri në 130 euro, por nuk kanë refuzuar as rritjen në mënyrë lineare, ashtu siç është bërë dhe në KEK.

Ndërsa si kërkesa tjera, kanë qenë dhe pagesa e punës në festa, pagesat e punës jashtë orarit, pagesë për punëtorët që lëvizin nga një vend pune në tjetrin si dhe ndarje të bonuseve, në mënyrë korrekte dhe jo siç është bërë deri më tani. /Telegrafi/