LAJMI I FUNDIT:

Puna 6 orëshe, e dobishme në Suedi

Puna 6 orëshe, e dobishme në Suedi

Të punosh vetëm 6 orë në ditë i bën mirë shëndetit, ul stresin si dhe rrit produktivitetin në punë dhe jashtë saj. Të paktën këtë konfirmojnë rezultatet e një eksperimenti të kryer nga qeveria suedeze.

Eksperimenti u krye për plot 12 muaj mbi 68 infermiere. Pas një vitit rezultoi se këto infermiere ishin më të lumtura e më pak të stresuara. Jo vetëm kaq, rezultatet tregojnë se, numri i raporteve për shkak të sëmundjeve u përgjysmua.


Edhe pacientët e tyre rezultuan më të kënaqur duke deklaruar se kujdesi ka qënë më i lartë. Fakti që produktiviteti rritet me uljen e orarit të punës është një debat mjaft i vjetër.

Së fundmi gjigandi i tregtisë online, Amazon ka përqafuar një skemë prej 30 orësh punë javore. Në Mbretërinë e Bashkuar, sondazhet tregojnë se 6 nga 10 menaxherë janë të mendimit se reduktimi i orarit të punës rrit produktivitetin e punonjësve në punë.

Por diçka e tillë vjen edhe me kosto, pasi reduktimi i orarit të punës përkthehet në zgjerim të stafit. Rritja e produktivitetit, sipas eksperimentit suedez mund të mbulojë vetëm 50% të kostos së punësimeve të reja. Në Suedi shumë kompani kanë filluar të aplikojnë skemën e re, atë 6 orëshe. Toyota ka qënë e para që e ka bërë diçka të tillë, 13 vite më parë. /Telegrafi/