LAJMI I FUNDIT:

Publikohet projekti regjional për auditimin e performancës për prokurimin publik

Publikohet projekti regjional për auditimin e performancës për prokurimin publik

Gjykata Evropiane e Auditorëve së bashku me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë kanë mbështetur projektin regjional të auditimit të performancës për prokurimin publik në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe së fundmi kanë publikuar raportin sintezë për këtë projekt. Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës ishte pjesë e këtij projekti së bashku me Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve të rajonit përfshirë atë të Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi.

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, duke pasur parasysh rëndësinë dhe peshën e prokurimit publik në buxhetin e shtetit ka përkrahur këtë projekt në vazhdimësi. Me këtë rast ai shprehet mjaft i kënaqur që Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës po luan rol aktiv në komunitetin e auditimit, përmes bashkëpunimeve regjionale dhe më gjerë.


Osmani ka theksuar vullnetin dhe interesimin për iniciativa të tilla, duke siguruar se ZKA do të jetë pjesëmarrëse dhe do të jap kontributin e vet profesional.

Projekti kishte në fokus auditimin e prokurimit publik si fushë e ndjeshme ndaj mashtrimit dhe korrupsionit. Indikatorët e problemit në fushën e prokurimit, të siguruara nga mediat dhe hulumtimet tjera, tregojnë për një prirje të autoriteteve kontraktuese drejt procedurave të negociuara në vend të procedurave të hapura të cilat janë më pak transparente dhe më pak ekonomike. Pastaj ka anulime të shumta të kontratave, vonesa në zbatimin e kontratave dhe probleme tjera që shkaktohen nga procedura jo të mirëfillta të prokurimit.

Raporti i publikuar është një sintezë e gjetjeve dhe konkluzioneve kryesore që kanë dalë nga auditimi paralel dhe ka për qëllim të nxisë të kuptuarit e problemeve me të cilat përballen vendet e regjionit në fushën e prokurimit publik dhe bashkëpunimit regjional në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Konkluzioni i përgjithshëm që rezultoi nga auditimi paralel në fushën e prokurimit publik është se përmirësimi i fazës së planifikimit dhe përmirësimi i monitorimit mund të shtrojë themelet për një prokurim publik më efikas dhe më ekonomik.

Thelbi i këtij projekti të auditimit paralel, përveç masave të rekomanduara për përmirësim në fushën e prokurimit, është përmirësimi i mëtejmë i diturisë në auditim të performancës, dhe rrjetit rajonal që është krijuar mes pjesëmarrësve. /Telegrafi/