LAJMI I FUNDIT:

Publikohet instrumentali “Ai”, një vlerë e re në gjininë e etno-rokut

Publikohet instrumentali “Ai”, një vlerë e re në gjininë e etno-rokut

Pas shumë viteve të bashkëpunimit mes miqve krijues, publikohet audio dhe video e instrumentalit etno-rok, “Ai”.

“Vepra më e re instrumentale, ‘AI’, e Agron Shalës fillon me një paratekst, vargjet e poetit Xhevdet Bajraj që mund të sugjerojnë një mënyrë dëgjimi e kuptimi të veprës. Zoti ia dhuroi drurin e tokën njeriut e ai nga grykësia edhe pas vdekjes e merr drurin në varr e thotë kjo tokë është e imja”, thotë për këtë vepër, artisti Besnik Hamiti.

Kavalli, që nis veprën instrumentale, të jep ndjenjën e jetës në ambient pastoral/idilik me tinguj të identifikueshëm nga trashëgimia vendore. Pastaj shpërthejnë tingujt e kitarës, edhe këta me ngjyrim krejt etnik thurin temën kryesore të veprës muzikore. Tingujt e fletës (gjethit) që shkojnë në sinkroni me kitarën ta japin ndjenjën se je në Grykë të Rugovës, ku janë mjeshtrit që e bëjnë fletën të prodhojë tinguj të pëlqyeshëm e të veçantë.

“Kambana jep o kalueshmërinë e kohës, o fundin e jetës, pra jep kumt të zi. Vepra ‘AI’ është edhe një gur i çmuar në gjerdanin e veprave muzikore të Agronit. Agroni edhe një herë e vërteton se është mjeshtër i vjeljes së motiveve muzikore etnike dhe ndërthurjes së tyre në krijim modern me vlerë të re dhe të shtuar në gjininë e etno-rokut”, shprehet Hamiti.

Muzikën e instrumentalit “Ai” e ka bërë Agron Shala. Videoja është realizuar nga mjeshtrit e fotografisë dhe të kamerës, Fatos Zogaj dhe Amir Krasniqi. Në kitarë është multi-instrumentalisti Ilir Veseli, ndërsa në bas legjenda e rokut të Kosovës, Shkelzen Veseli. Kavalli në instrumental është incizuar që më 2011 nga Agron Shala, në Pejë, ndërsa interpreton tashmë i ndjeri Kapllan Nikçi. Miksi dhe produksioni është bërë nga mjeshtri dhe legjenda tjetër e rokut shqiptar, Muha Veseli.

“Ai” është pjesë e albumit konceptual “Bardhezi” të Agron Shalës, që ngërthen vargjet e poetit të njohur Xhevdet Bajraj dhe grafikat e artistes Veronika Lloha dhe tashmë gjendet në platformat kryesore të muzikës, si Deezer, Apple Music, Amazon, Spotify etj. /Telegrafi/