LAJMI I FUNDIT:

PTK-ja dënohet me 25 mijë euro, shefit të prokurimit i revokohet licenca

Pas shkeljeve të evidentuara në tenderin “Shërbime të shpedicionit për PTK-në” Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka dënuar ketë ndërmarrje me 25 mijë euro, ndërsa shefin e prokurimit Fatmir Gjonbalajn me revokim të licencës. Gjykata e tenderëve gjeti se PTK-ja e shpërbleu me kontratë kompaninë që prezantoi certifikatë të UNMIK-ut.

Në tenderin për shërbime të shpedicionit Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “Arena”, ani pse e njëjta nuk kishte arritur të ofrojë dëshmi se është e certifikuar për këtë lloj shërbimi nga Dogana e Kosovës.

Ndërkohë kjo dëshmi, sipas specifikave të tenderit, ishte e domosdoshme për shpalljen e fituesit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Edhe pse kishte një vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) që ky tender të kthehet në rivlerësim për shkak të shkeljeve, kjo gjë nuk ndodhi nga kjo ndërmarrje.

Tenderi “Shërbime të shpedicionit për nevoja të Telekomit të Kosovës” kësaj kompanie iu dha më 25 maj 2017. Prej atëherë PTK-ja refuzoi disa kërkesa të Gjykatës së tenderëve (OSHP-së) që ta kthejë atë në rivlerësim.

Një vendim i OSHP-së, i 29 dhjetorit 2017, me të cilin përveçse i ka shqiptuar gjobë kësaj ndërmarrjeje, ka kërkuar edhe marrjen e masave ndaj menaxherit të prokurimit, Fatmir Gjonbalaj.

“I shqiptohet gjobë autoritetit kontraktues, Telekomit të Kosovës, në shumën prej 25 mijë eurosh për moszbatim të Urdhëresës të Panelit Shqyrtues dhe Vendimit me numër 175/17 të datës 05 korrik 2017. OSHP-ja do të kërkojë nga KRPP-ja që t’i revokohet licenca e prokurimit menaxherit të prokurimit”, thuhet në vendimin e OSHP-së./Telegrafi/