LAJMI I FUNDIT:

Pse shqiptarët e urrejnë punën dhe njeriun e thjeshtë?!

Pse shqiptarët e urrejnë punën dhe njeriun e thjeshtë?!

Urrejtja ndaj punës dhe njeriut të thjeshtë të punës ka shumë të ngjarë që të ketë mbetur nga tretja e pamjaftueshme e feudalizmit shqiptar. Sunduesit e timareve, spahitë dhe të tjerët nuk mund të duronin që njerëz të cilët s’kishin rangun e tyre të dëgjoheshin apo të vendosnin. Kuptohet se sistemi e kishte të konsakruar këtë me të gjithë strukturën e vet social-kulturore.

Fatkeqësisht, ndjesia për njeriun e thjeshtë i kalo shekujt e errësirës osmane dhe kapi dhe periudhën moderne të mbretit, akoma më shumë të socializmit, duke ardhur deri në ditët tona. Tregojnë se një nga protagonistët e historisë sonë të dekadave të para të shekullit XX, Verlaci e shprehte hapur urrejtjen sesi Mustafa Kruja që po e zëvendësonte vinte nga familje e thjeshtë. Zogun nuk do t’ia falnin kurrë meremetimin e shëmtuar që bëri të historisë së vet për të treguar se ishte i sojmë. Rastet janë të pafundme…


Për njeriun e punës dhe ata që punojnë shumë, zhargoni kombëtar është i mbushur me fjalë fyese dhe bezdisëse. Më shumë akoma, për ata që kanë ardhur nga klasa shoqërore, që disa i paraqesin si inferiore. Kjo është arsyeja që urrejtja nuk ndan askënd. Fatos Nano do t’i kujtonte gjatë Edi Ramës, kohën e vështirë të emigracionit të këtij të fundit dhe gjendjen që ishte kur e ftoi në Tiranë. Por, pse e ftoi? Këtë nuk e tha askush. Sali Berishës do t’i kujtonin se kishte ardhur në Tiranë me valixhe druri, që nënkuptonte në logjikën metropolase kryeqytetase se ishte njeri i pagdhendur. Kurse së fundmi, ish-presidenti Bamir Topi do të merrej gjatë me punën që bënte dikur pasardhësi i tij po president. Ky i fundit, Nishani, do t’ia kthente më keq për mënyrën sesi ai përfitonte për të kursyer.

Kur në këtë nivel fyerja është institucion, mund të llogarisësh vetë sesi mund të trajtohen punët kur flitet për njerëz të thjeshtë. Ata janë të nëpërkëmbur në punët që bëhen, në pensionet që marrin, por edhe në kujdesin e pushtetit qendror. Ata janë thjeshtë numërorë të INSTAT-it që përdoren duke bërë punët më të vështira për t’u zgjatur jetën pushteteve të pashpirta, të cilat i tallin dhe i kujtojnë vetëm për zgjedhje kur u duhet vota.

Urrejtja për punën në këtë vend vjen dhe nga fakti i thjeshtë se shumë prej atyre që janë pasuruar e kanë ngritjen përmes rrugëve të errëta dhe familjeve të varfra dhe pa emër. Ndaj veçimi me njerëzit e thjeshtë që punojnë natë e ditë i tremb sepse u kujton fillesat, por edhe dallaveret që jo rrallë dhe i lajnë.

Shumë nga të pasurit tanë e kanë filluar pasurimin përmes shërbimit të shëmtuar të pushtetit dhe prej atij sigurojnë dhe sundimin mbi pjesën tjetër të popullsisë që nuk ka asgjë. Por, kjo pjesë ofendohet, pasi quhet e pazotë, thjeshtë se nuk diti të bënte flirtet e tyre dhe më shumë akoma vazhdon të bëjë të njëjtën gjë. Këtë nuk durojnë dot politikanët tanë, që kur duan të ofendojnë fillesat, atë për të cilën shumë prej tyre e kanë nisur në rrugë jo të pastra, kujtojnë mënyrën fisnike sesi e siguronin ndershmërisht jetën e tyre. /Homo Albanicus/