LAJMI I FUNDIT:

Pse, në futboll, njerëzit simpatizojnë për një shtet tjetër?

Pse, në futboll, njerëzit simpatizojnë për një shtet tjetër?

Një hartë e UEFA-së tregon se të gjitha shtetet e Evropës e kanë përkrahur Italinë në ndeshjen futbollistike me Anglinë. Sipas çdo kriteri, kjo është dukuri mjaft e pazakonshme dhe nuk ka të bëjë vetëm me sportin. Sipas disa mediave, Brexit-i duhet të jetë përgjigjja. Pra, arsyeja është politike e jo sportive. Nga kjo shihet se futbolli nuk është vetëm sport dhe se është shembull shkollor se si politika ndikon në futboll. Futbolli mund të merret edhe si mënyrë e kanalizimit të ndjenjave që prodhojnë momentet e përkohshme politike.

Në këtë hartë, si simpatizuesë të Italisë janë edhe Shqipëria dhe Kosova. Çka i shtynë këto dy shtete që të marrin këtë pozitë anuese? Këtu duhet të ekzistojë një lloj ndikimi që nuk është vetëm punë sporti. Ky duhet të jetë rezultat që vjen nga krijimi i kontakteve, gjegjësisht influencave që qarkullojnë nga një shtet në tjetrin.


Në rastin e Shqipërisë gjërat janë të qarta. Fjala është për lidhjet e dendura ekonomike, kulturore e artistike nëpërmes të cilave Italia ushtron ndikim në Shqipëri. Në Itali jetojnë rreth 800 mijë shqiptarë. Kjo nuk është shifër e vogël dhe flet edhe për remitenca të konsiderueshme të cilat derdhen në Shqipëri. Këta shqiptarë Italinë e kanë shtëpinë e tyre të dytë dhe janë në rrugë që ta bëjnë të parën. Nga ana tjetër, në Shqipëri jetojnë rreth 20 mijë italianë. Italia është investuese serioze në ekonominë e Shqipërisë. Ndikimi italian shihet gjithkund në Shqipëri. Në media, shumë programe kanë fizionomi italiane. Në universitete ekzistojnë katedra të studimeve të gjuhës italiane. Kur shkoni në Shqipëri, keni përshtypjen se gjithkush flet italisht. Prandaj, është shumë e arsyeshme pse shqiptarët janë simpatizues të Italisë. Ky rast flet për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve që e tejkalojnë sportin.

Nëse i marrim këto fakte dhe e krahasojmë gjendjen me Kosovën, shohim se pothuaj asnjë nga to nuk është e aplikueshme. Numri i shqiptarëve të Kosovës që jetojnë apo punojnë në Itali është aq i vogël sa nuk mund të merret për diskutim e lëre më numrin e italianëve që jetojnë në Kosovë që me siguri është zero. Në ekonominë e Kosovës, Italia nuk është as në mesin e dhjetë shteteve investuese. Në universitete nuk ka katedra të italishtes dhe askush nuk e flet këtë gjuhë. Italia ka ambasadë në Prishtinë, por askush nuk ia di emrin ambasadorit.

Në Kosovë, sidomos në kryeqytet, rasti është tërësisht i kundërt me atë të Shqipërisë. Është Anglia shteti që ushtron ndikim. Në Angli me siguri jetojnë më shumë se 60 mijë shqiptarë që janë nga Kosova. Në universitetin e Prishtinës qëmoti ekziston katedra e gjuhës angleze dhe shumica e banorëve e flasin këtë gjuhë. Anglia, gjegjësisht Britania, sipas FDI-së (Foreign Direct Investments) është investuesi i katërt në listë. Shto këtu remitencat që vijnë nga ky shtet për të parë se lidhjet bëhen edhe më të ngushta. Numri i shqiptarëve të Kosovës të shkolluar në Britani nuk është i vogël. Ëndrra e çdo të riu është që të shkojë në Angli. Dy këngëtare, ndër më të popullarizuarat në botë që jetojnë në Londër, janë nga Kosova. Numri i shqiptarëve të suksesshëm në këtë vend nuk është për ta injoruar. Plus, të gjithë e dinë se kush është ambasadori britanik në Prishtinë dhe, nga rëndësia, ai vjen menjëherë pas atij amerikan.

Atëherë, pse Kosova gjendet në këtë hartë? Ose, pse Kosova nuk simpatizon për Anglinë, por e ka zgjedhur Italinë? Të merremi vesh, kjo pyetje nuk bëhet për ta injoruar miqësinë e Kosovës me Italinë. Por, influenca italiane në jetën e njerëzve të Kosovës, në krahasim me atë angleze, është shumë afër zeros. Nëse është kështu, pse këta njerëz nuk e shprehin simpatinë për këtë shtet edhe në sport? Influenca, edhe pse në rast të kundërt, do të duhej të ishte njësoj sikur në Shqipëri. Vendet janë të ndryshme, por parametrat janë të njëjtë.

Në mediat sociale mund t’i gjeni disa “arsye”, por që të gjitha janë politike. Një grup është religjioz e një tjetër majtist, por së bashku e kundërshtojnë Anglinë sepse kanë qëndrime kinse antiimperialiste. Anglia duhet të mos përkrahet për shkak “të veprimeve kriminele në ish kolonitë e saja”. “Mirë jav bani Italia këtyne që e kanë mundu dhe eksploatu botën”, thonë këta ‘kujdestarë’ të drejtësisë. Po a? E çfarë kanë qenë veprimet e Italisë gjatë sundimit në Libi dhe Etiopi? Vllaznim-Bashkim a?

Në historinë e kësaj bote, pos dy apo tri shteteve, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, të gjitha tjerat, në ndonjë etapë të historisë, i kanë shkaktuar dëme të mëdha njëra-tjetrës. Pos luftës, disa i kanë keqtrajtuar e madje edhe masakruar minoritetet që kanë pasur brenda. Në bazë të këtij kriteri, ekipet futbollistike do të duhej të mbeteshin pa simpatizues. Prandaj, nuk qëndron as ky fakt në të cilin bazohen këta “kujdestarë”.

Natyrisht, grupi më i madh është ai që nuk bazohet në shembujt e mësipërm. Po i pyete këta pse janë për Italinë e jo Anglinë, nuk e dinë të përgjigjen. Edhe këta janë të influencuar nga diku. Njeriu, qoftë edhe injorant, nuk merr vendim pa qenë i influencuar. Por, a ka kufij simpatizimi futbollistik? Për fat të keq për disa nuk ka. Rastet e dhunshme të huliganëve anglezë ndaj shikuesve italianë dhe qëndrimi racist ndaj disa futbollistëve e kalojnë fushën e sportit dhe përbëjnë vepra penale.

Në fund të vitit 1999, kur po kaloja para hotel Grandit në Prishtinë, papritmas doli një kolonë e veturave me disa të rinj që e festonin fitoren e një ekipi turk ndaj një ekipi anglez. Në shikim të parë dukej si demonstratë e turqve. Një grup i tyre erdhi në këmbë dhe me flamuj turk u ndalën para një patrulle të ushtrisë britanike. I valëvitnin flamujt para fytyrave të ushtarëve të gjorë që nuk dinin se si të vepronin. Dojshin me jav shti shtizat e flamujve në hundë në stilin kishe, “na ju kemi mujtë, juve anglezëve”. Ishte situatë bizare. Pjesëtarë të një populli festonin fitoren e një populli tjetër duke e irrituar humbësin që ishte po ashtu tjetër. I ngacmonin ushtarët që ua kishin shpëtuar prapanicën dhe tashti i ruanin në paqe.

Njësoj do të ishte situata edhe sikur rolet të ishin të kundërta. Pra, sikur, ta zëmë, me flamuj anglezë në Prizren të ngacmoheshin ushtarët turq. E ngacmon tjetrin me fitoren e tjetërkujt. Festo – edhe nëse fitorja nuk është e jotja – por mos e pengo e as mos e irrito tjetrin.

P.S. Përndryshe, lojën Anglisë ia humbi trajneri që aplikoi një strategji të çuditshme, bëri ndërrime pa vend dhe për penallti i caktoi ata që kanë më së paku eksperiencë.