eksperti-banner

Kanceri i pankreasit konsiderohet një nga format më agresive të kancerit dhe njëkohësisht një nga më të vështirat për t’u diagnostikuar në kohë.

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, onkologu, Ilir Kurtishi shpjegoi se problemi kryesor qëndron në faktin se kanceri i pankreasit shpesh nuk jep simptoma të qarta në fazat e hershme të zhvillimit.




“Është një sëmundje që për fat të keq zbulohet vonë. Numri më i madh i pacientëve paraqiten kur sëmundja tashmë është në faza të avancuara dhe kjo e vështirëson trajtimin”, tha Kurtishi.

Sipas tij, një nga sfidat kryesore është edhe pozita anatomike e pankreasit, pasi tumori mund të zhvillohet për një kohë të gjatë pa shkaktuar shqetësime të dukshme te pacienti.

Megjithatë, onkologu vlerëson se e ardhmja e luftës kundër kësaj sëmundjeje nuk qëndron vetëm te terapitë e reja, por edhe te diagnostikimi sa më i hershëm.

“Kjo do të jetë çelësi i trajtimit të kancerit të pankreasit. Shumë më e lehtë dhe më e suksesshme është ta gjejmë sëmundjen herët sesa ta trajtojmë kur ajo është në faza të avancuara”, u shpreh ai.

Kurtishi tregoi se në vendet e zhvilluara po punohet intensivisht për zhvillimin e analizave të reja të gjakut dhe metodave të avancuara diagnostikuese, të cilat do të mundësonin zbulimin e sëmundjes në fazat fillestare, madje edhe para se të shfaqen simptomat.

“Po shkohet drejt analizave që mund ta zbulojnë sëmundjen përmes gjakut, kur ajo është ende në stadin zero, të parë ose të dytë. Në ato raste mundësitë për trajtim dhe rezultatet janë shumë më të mira”, tha ai.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":


- YouTube www.youtube.com